http://https://www.youtube.com/watch?v=ghzPa4jG4i8
Në tetor të vitit 2021, Gjeneral Major Ferenc Kajári nga Hungaria e mori komandën si Komandanti i 26-të i KFOR-it. Duke e pasur parasysh rëndësinë e kësaj pozite dhe faktin që në të gjitha paraqitjet publike Gjeneral Major Kajári shihet gjithmonë në uniformën e tij ushtarake, është e lehtë që të harrohet se pas uniformës qëndron një njeri familjar i dashur i cili është i përkushtuar që t’i ndihmojë njerëzit në nevojë. Në këtë intervistë ekskluzive për festat e fundvitit, Gjeneral Major Kajári është pajtuar që të ndajë me ne diçka më shumë rreth fëmijërisë, familjes dhe jetës së tij në përgjithësi.
Kosova shquhet për shoqërinë e saj të larmishme. Si mundet brezi i ri të përfitojë nga ky diversitet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për veten?
Diversiteti është i mirë! E bën jetën tonë më të gjallë dhe gjithashtu jep mundësi të shkëlqyeshme të mësojmë të pranojmë të tjerët ashtu si janë dhe si e shohin ata botën rreth nesh. Nëse përpiqemi të shikojmë diçka nga këndvështrimi i të tjerëve, kjo mund të hapë një dimension të ri për ne. Në këtë mënyrë, ne do ta kuptojmë botën më mirë dhe më vonë do të jemi në gjendje të përshtatemi me rrethana të reja, do të jemi më fleksibël dhe do të kemi mundësi më të mira për sukses.
A mund ta ndani një përvojë tuaj nga rinia që mendoni se ka ndihmuar në formimin e personit që jeni sot?
Kur isha 14 vjeç, shkova në një shkollë ushtarake që ishte larg shtëpisë. Gjatë atyre viteve mësova se asgjë nuk vjen falas, duhet punuar shumë për të arritur qëllimet tuaja, por ka rrethana kur edhe mundi dhe përkushtimi nuk mjaftojnë. Mësova gjithashtu se pa miq është e vështirë të mbijetosh dhe se njeriu duhet të marrë vendime dhe më vonë duhet të mbartë pasojat e tyre dhe se nuk ndihmon të fajësosh të tjerët për zgjedhjet e gabuara.
Nëse do të kishit mundësi ta takoni veten si fëmijë, çfarë do t’i thoshit?
Kjo është pyetje me spec. Kur e kujtoj veten tani, mendoj se shqetësohesha shumë për të ardhmen dhe nëse i kisha marrë vendimet e duhura. Prandaj, ndoshta thjesht do t’i thoja vetes sime të ri: jetoje jetën ashtu siç të ofrohet dhe përpiqu ta shijosh pak më shumë të tashmen! Bëje atë që mendon se është e drejtë të bësh, por mbi të gjitha mos u shqetëso shumë për të ardhmen. Qetësohu, do t’i bësh zgjedhjet e duhura, do të jetë në rregull! (Por, në fakt do të dëshiroja që e ardhmja të më vinte në këtë çast dhe t’më thoshte diçka të ngjashme!)
Çfarë këshillash u jepni vazhdimisht fëmijëve tuaj?
Fëmijët e mi janë të rritur – ose të paktën kështu mendojnë ata ☺! Kur ishin nxënës në shkollë, u thosha se nuk janë duke mësuar për mësuesit, as për mua e as për nënën e tyre. Ata janë duke mësuar për vetvete sepse atë që e kanë mësuar nuk mund t’ua merr askush dhe mund ta përdorin në të ardhmen për të përparuar në jetë dhe për të arritur qëllimet e tyre.
Kush ishte shembulli yt për ta ndjekur kur u rritët?
Kjo është pyetje e vështirë; këtë pyetje ma kanë parashtruar shpesh në shkollë kur isha fëmijë dhe gjithmonë kam shpikur dikë. Por sinqerisht, nuk kam pasur kurrë një shembull për ta ndjekur. Doja të isha një person i mirë, i sigurt, i fortë dhe i besueshëm, që ndihmon të tjerët kur kanë nevojë, por mbi të gjitha doja të isha vetvetja.
Kush ishte superheroi yt i preferuar?
Kur isha fëmijë, superheronjtë nuk ishin të zakonshëm (e di që janë vërtet të rrallë, por të paktën në fëmijërinë time nuk ishin vizitorë të shpeshtë në Hungari ☺). Më i afërti me një superhero, nëse e kujtoj atë kohë, ishte një nga personazhet e filmave vizatimorë që më pëlqente kur isha fëmijë; ishte një djalë nga një film vizatimor i titulluar “Lapsi magjik”. Nëse i duhej diçka, ai thjesht e vizatonte dhe kjo pastaj realizohej. Ai e përdori këtë “fuqi” për të ndihmuar të tjerët dhe për të shpëtuar ata që ishin në telashe. Personazhi tjetër, ndoshta më i njohur si “superhero” ishte Obelix, nga seritë franceze të filmave vizatimorë Asterix dhe Obelix. Më pëlqente ky film vizatimor dhe më pëlqente mënyra se si gjithmonë ai e shpëtonte fisin e tij nga legjionet romake. Kur flas për superheronjtë e ditëve moderne, të preferuarit e mi janë Iron Man dhe Captain America.
Cilin lloj të muzikës/zhanrit muzikor e parapëlqeni?
Gjithmonë më ka pëlqyer muzika (zhanri pop dhe rock) dhe akoma më përcjellë në jetën time. Çdo fazë e jetës mund të lidhet ose të identifikohet me një grup ose këngëtar. Për shembull, nëse dëgjoj “Fast Car” nga Tracy Chapman (lexuesit e Revistës 4You mund ta njohin nga remiksi i Jonas Blue dhe Dakota) më kthen në vitin 1988 kur e mora gradën e togerit sepse në atë kohë ishte e preferuara ime. Kur isha me shërbim në Sudan, i vetmi album në kompjuterin tim ishte nga një grup hungarez i quajtur “Unique”. E dëgjova me muaj të tërë (nuk kishte zgjidhje tjetër) dhe kur dëgjoj zërin e këngëtarit, e ndjej menjëherë erën e shkretëtirës që më fryn në fytyrë. Por këngëtari im i preferuar i të gjitha kohërave është “Bosi” – Bruce Springsteen. Më pëlqen shumë dhe më kthen në vitet e gjimnazit. Aktualisht më pëlqen të dëgjoj Ed Sheeran dhe Dua Lipa. Kështu që ndoshta pas disa vitesh, kur të dëgjoj “Levitating”, ajo do të më sjellë kujtime nga Kosova.
Cili është sporti i juaj i preferuar dhe cilin sportist e parapëlqeni?
Kur isha i ri, ushtroja karate dhe në këtë mënyrë artet marciale ishin sporti im i preferuar. Më vonë, kur pata rastin të hipi dhe ta ngasë motoçikletën, fillova të ndiqja serinë Motor GP dhe u bëra adhurues i “Doktorit”, Valentino Rossi.
Cili është vendimi/synimi juaj personal i Vitit të Ri për vitin 2022?
Zakonisht, nuk e kam zakon të marrë vendime për Vitin e Ri, por mendoj se situata aktuale është unike dhe kërkon masa unike. Të komandosh një organizatë kaq të madhe si KFOR-i është privilegj i madh por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Shumë njerëz dhe shumë jetë varen nga vendimet që i merr komandanti. Prandaj, synimi im personal për vitin 2022 është ta kryej këtë detyrë me sukses. Ta kryej punën time çdo ditë dhe të jem 100% i vëmendshëm deri në detaje dhe duke e vënë aktivitetin e KFOR-it në qendër të vëmendjes, në mbështetje të mjedisit të qetë dhe të sigurt për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë.
Në përmbyllje, cila është porosia juaj për të rinjtë kosovarë?
Porosia ime është të jemi tolerantë me njëri-tjetrin, të jemi të hapur ndaj të tjerëve, të pranojmë ata që mendojnë ndryshe. Jini të hapur për ndryshime dhe sfida të reja! Planifikojeni të ardhmen dhe punoni shumë për të, por mbi të gjitha shikojeni të ardhmen me besim, sepse është e juaja!