RUAJENI SIGURINË TUAJ ONLINE – KËSHILLA PRAKTIKE

 

Ju mësoni, lidheni me miqtë dhe luani lojëra në internet. Ky është bërë realiteti modern për pothuajse çdo adoleshent dhe këdo që e përdor internetin. Për fat të keq shumë prej adoleshentëve janë shënjestra ideale për kriminelët kibernetik për arsyen e thjeshtë se ata nuk i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme sigurisë kibernetike. Prandaj, është e domosdoshme që ju të tregoheni po aq të kujdesshëm gjatë aktiviteteve tuaja në internet sikurse edhe në jetën reale. Ashtu siç ju nuk e lini telefonin tuaj të mençur larg jush në një vend publik, sigurohuni që po e përdorni edhe internetin në mënyrë më të sigurt.

 

Në një deklaratë në lidhje me sigurinë kibernetike, Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), theksoi se mbi 90% e popullatës në Kosovë kanë qasje në internet dhe që PK-ja është tejet e angazhuar në parandalimin e krimit kibernetik ose krimeve që mund të kryhen përmes internetit. “Policia e Kosovës merret me raste të ndryshme, ku ankuesit janë individë por edhe institucione apo biznese, rastet e ankesave të të cilave kanë të bëjnë me internetin. Secili rast ka specifika të ndryshme, por ne u bëjmë thirrje të gjithë njerëzve që të jenë tepër të kujdesshëm kur e përdorin internetin.” Zyrtari policor Hoxha, gjithashtu theksoi që PK-ja në është në shërbim të të gjithë njerëzve në Kosovë.

 

Për të gjithë ju që dëshironi të jeni më të sigurt në internet, por nuk e dini si, ne ju ftojmë që t’i lexoni disa këshilla që do t’ju ndihmojnë të qëndroni të sigurt tani dhe në të ardhmen.

 

NDAJ ME KUJDES

Ajo që postoni mund të zgjasë gjithë jetën: Para se të postoni diçka në internet, mendoni se çfarë të tjerët mund të mësojnë për ju dhe kush mund ta shohë atë sot dhe në të ardhmen – mësuesit, prindërit, kolegët dhe madje edhe punëdhënësit e mundshëm në të ardhmen. Ndani vetëm materiale me të cilat ndjeheni rehat dhe të cilat ju prezantojnë pozitivisht.

 

Jini të vetëdijshëm për atë që po ndahet: Jini të vetëdijshëm se kur e postoni një foto ose video në internet, ju mund të jeni duke ndarë informacione rreth të tjerëve ose detaje personale për veten tuaj si ku jetoni, ku shkoni në shkollë ose ku dilni.

 

Postoni për të tjerët vetëm ashtu siç dëshironi që edhe ata të postojnë për ju: Rregulla e artë vlen edhe për internet. Kërkoni leje para se të etiketoni një mik në një foto dhe sigurohuni që ata pajtohen me këtë.

 

Zotëroni praninë tuaj në internet: Është në rregull të kufizosh se kush mund të shohë informacionin tënd dhe çfarë ndan. Mësoni dhe përdorni parametrat e privatësisë dhe sigurisë në lojërat, aplikacionet dhe platformat tuaja të preferuara në internet.

 

INFORMATAT PERSONALE JANË SI PARAJA. VLERËSOJINI ATO. MBROJINI ATO.

 

Dijeni çfarë është duke u mbledhur, kush po e mbledh dhe si do të përdoret: Informatat për ju, sikurse lojërat që ju pëlqen të luani, kërkimet tuaja në internet dhe ku blini dhe jetoni – të gjitha këto janë të vlefshme për njerëz të caktuar, sikurse paratë. Tregoni vëmendje se kush i merr këto informacione dhe si mblidhen ato përmes aplikacioneve dhe faqeve të internetit. Përdoreni një produkt ose shërbim vetëm nëse kompania tregon qartë dhe hapur se si do të përdorë informacionin tuaj personal. Nëse nuk jeni të sigurt se çfarë do të bëjë një biznes me informacionin tuaj, pyesni prindërit tuaj. Nëse një aplikacion kërkon leje për të përdorur informacionin personal (si vendndodhja juaj), mendoni dy herë nëse pajtoheni ta ndani këtë. Për shembull, nëse e instaloni një lojë fjalësh e cila kërkon të ketë qasje në lokacionin, mikrofonin, fotot, kalendarin dhe/ose kontaktet e juaja, ju duhet të mos e lejoni këtë, sepse një aplikacion i tillë në të vërtetë nuk ka nevojë për këtë qasje që të funksionojë si duhet.

 

Siguroni pajisjet tuaja: Përdorni fjalëkalime dhe kodkalime të forta ose veçori identifikuese me prekje për të kyçur pajisjet tuaja. Sigurimi i pajisjes tuaj mund të ndihmojë në mbrojtjen e informacionit tuaj nëse e humbni ose ua vjedhin pajisjen tuaj.

 

Kujdes me lidhjet në rrjetet Wi-Fi: Rrjetet publike pa tel (Wi-Fi) dhe të ashtuquajturat “hotspots” nuk janë të sigurta – kjo do të thotë se ekziston mundësia që kushdo mund të shohë atë që po bëni në llaptopin ose smartfonin tuaj ndërkohë që jeni të lidhur në atë rrjet. Mendoni se çfarë po bëni dhe nëse dëshironi që një person tjetër ta shohë këtë. Nëse i përdorni shumë rrjetet Wi-Fi publike, merreni në konsideratë që të filloni të përdorni një rrjet privat virtual (VPN – Virtual Private Network), që siguron një lidhje më të sigurt në rrjetet Wi-Fi.

 

Sa më shihni, sa jo: Disa dyqane dhe vendndodhje të tjera kërkojnëpajisje me Wi-Fi ose Bluetooth të aktivizuara për të gjurmuar lëvizjet tuaja ndërsa jeni brenda rrezes. Çaktivizoni Wi-Fi dhe Bluetooth kur nuk i përdorni, dhe kufizojeni përdorimin tuaj të rrjeteve publike Wi-Fi, të cilat e ruajnë vendndodhjen tuaj dhe e gjurmojnë çfarë bëni në internet.

 

Kur keni dyshime, hidheni: Vegzat në email, tweet, postime dhe reklamat online përdoren shpesh nga kriminelët për qasje në informacionet tuaja personale. Nëse duket e çuditshme, edhe nëse e dini burimin, më mirë fshijeni.

 

Një VPN e shtrinë një rrjet privat në një rrjet publik dhe ua mundëson përdoruesve që të dërgojnë dhe pranojnë të dhëna në rrjetet e përbashkëta publike sikur pajisja e tyre të jetë e lidhur në një rrjet privat. Kështu aplikacionet me një VPN aktiv mund të përfitojnë nga funksionaliteti, siguria dhe menaxhimi i një rrjeti privat. Shumica e VPN janë me pagesë (abonime mujore), por ju mund të shkarkoni dhe përdorni shumë VPN falas. Vetëm kërkoni pak në internet për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme për ju. Nëse dëshironi që të lexoni për disa prej VPN-ve falas më të mira shkoni në rubrikën tonë Hi-Tech në faqe 22 në numrin e muajit maj.

 

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE