RUMEJSA – ZËRI I NJË ËNDRRE QË RRITET ME PASION

Pasioni për muzikën shpesh lind si një ndjesi e brendshme që nuk mund të shpjegohet me fjalë dhe për artisten e re Rumejsa Peci, ai ka qenë prezent që në moshën pesëvjeçare. Me një zë që të ngroh shpirtin dhe energji që reflekton sinqeritet, ajo e ka ndjekur ëndrrën e saj për ta ndërtuar një karrierë në botën e muzikës. Në këtë intervistë ekskluzive me 4You Magazine, Rumejsa e ndau me ne rrugëtimin e saj të deritanishëm, sfidat që i ka hasur si vajzë në një industri të vështirë, frymëzimet që e udhëheqin, dhe këshillat e saj për të gjithë të rinjtë që duan ta ndjekin pasionin e tyre.

 

A mund të na tregoni për fillimet tuaja në muzikë dhe çfarë ju inspiroi të ndiqni një karrierë në botën e artit?

Dashuria ime për muzikën ka nisur që në moshën pesëvjeçare. Që në atë kohë, e ndjeja se muzika ishte më shumë sesa një tingull, ishte një ndjesi që më mbushte shpirtin dhe më bënte të ndihem vetvetja. Ishin pikërisht familjarët e mi ata që të parët e vunë re prirjen time për muzikë. Ata më dëgjonin me kujdes teksa këndoja apo imitoja melodi që i dëgjoja rastësisht, dhe e kuptuan që kjo nuk ishte thjesht një lojë fëmijërore, por fillimi i një pasioni të vërtetë.

 

Si do ta përshkruanit stilin tuaj muzikor dhe si ka evoluar ai gjatë viteve?

Normalisht që me kalimin e viteve stili im muzikor ka ndryshuar sepse nuk dua ta kufizoj veten në një zhanër të vetëm. Gjatë rrugës kam eksperimentuar me tinguj të ndryshëm, emocione të ndryshme dhe mënyra të ndryshme shprehjeje. Megjithatë, e ndjej që kohët e fundit po e gjej gjithnjë e më shumë veten te stili Pop. Është një hapësirë ku mund të jem autentike, por edhe fleksibël, dhe që ai më jep lirinë që e kërkoj për të qenë krijuese dhe e sinqertë në muzikën time.

 

Cili ka qenë aspekti më sfidues i udhëtimit tuaj në industrinë e muzikës deri tani?

Një nga sfidat më të mëdha në rrugëtimin tim muzikor ka qenë fakti që, si vajzë, e kam ndjerë shpesh sa e vështirë mund të jetë kjo industri. Muzika është një pasion i madh për mua, por pasionit shpesh i duhet t ë përballet me realitetin dhe realiteti është që kjo fushë, veçanërisht për vajzat, kërkon shumë durim, forcë dhe kujdes. Një nga vështirësitë më të mëdha është gjetja e njerëzve të duhur për të bashkëpunuar, njerëz që të kuptojnë artistikisht, që të respektojnë si individ dhe që e ndajnë të njëjtën vizion pa keqkuptime apo qëllime të dyfishta.

 

Çfarë mesazhi shpresoni të përcillni përmes muzikës tuaj për audiencën tuaj?

Mesazhi që dua ta përcjell me muzikën time është i thjeshtë, por i rëndësishëm: të punojmë fort për ëndrrat tona dhe të mos dorëzohemi kurrë, pavarësisht sfidave. Muzika për mua është art, është pasion dhe është mënyra më e sinqertë për të komunikuar me njerëzit.

 

A mund të ndani një përvojë ose moment në karrierën tuaj që e pati një ndikim të rëndësishëm në ju, qoftë personalisht apo profesionalisht?

Është ende fillimi i karrierës sime, kështu që nuk mund të them se kam përjetuar ndonjë moment me ndikim të madh deri tani. Por, ajo që e kam kuptuar në këta hapa të parë është se jo gjithmonë njerëzit janë të vendosur në fjalën e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për muzikën. Premtimet shpesh nuk mbahen, dhe realiteti është ndryshe nga pritshmëritë.

 

Si e balanconi vizionin tuaj krijues me kërkesat komerciale të industrisë së muzikës?

Balancimi i vizionit tim krijues me kërkesat komerciale të industrisë është një sfidë më vete. Unë gjithmonë përpiqem që të jem besnike ndaj vetes dhe asaj që dua ta shpreh përmes muzikës. Mirëpo, natyrisht, e kuptoj që industria ka dinamika dhe pritshmëri të caktuara. Mundohem ta gjej një mes të artë duke e ruajtur thelbin tim si artiste, por edhe duke qenë e hapur për të eksperimentuar dhe për t’u përshtatur aty ku ka kuptim.

Çfarë roli luajnë mediat sociale dhe platformat digjitale në karrierën tuaj, dhe si angazhoheni me fansat tuaj online?

Mediat sociale dhe platformat digjitale luajnë një rol shumë të rëndësishëm në karrierën time, sidomos në këtë fazë të hershme. Ato ma japin mundësinë të jem në kontakt të drejtpërdrejtë me publikun, ta ndaj muzikën dhe emocionet e mia si dhe prapaskenat e rrugëtimit tim artistik.

 

 

Çfarë këshille do t’iu jepnit muzikantëve të rinj që ju shikojnë dhe duan t’i ndjekin hapat tuaj?

Këshilla ime për muzikantët e rinj që duan ta ndjekin këtë rrugë është: mos hiqni dorë, edhe kur duket e vështirë. Besoni në veten tuaj, punoni fort dhe mos prisni që dikush tjetër t’ju japë dritën e gjelbër por, krijoni vetë mundësitë. Rruga nuk është e lehtë, por nëse e bëni me zemër, çdo hap ka vlerë.

 

Nëse do të mund të bashkëpunonit me cilindo artist, të vdekur ose të gjallë, kush do të ishte dhe pse?

Nga artistët tonë do të doja shumë të bashkëpunoja me Yll Limanin. Ai është një artist që më përshtatet shumë si stil dhe energji. Kurse nga artistët e huaj do të ishte pa dyshim Adele. Muzika e saj është plot emocione dhe thellësi, dhe mënyra se si ajo arrin t’i prekë ndjenjat e njerëzve është e jashtëzakonshme.

 

Nëse nuk do të ishit muzikante, çfarë karriere tjetër mendoni se do të kishit ndjekur?

Nëse nuk do të isha muzikante, mendoj se do të isha angazhuar në një fushë që ka lidhje me artin dhe krijimtarinë, si p.sh. dizajni grafik ose fotografia. E kam gjithashtu pasion shprehjen vizuale dhe mënyrën se si mund të komunikosh ndjenja dhe mesazhe përmes pamjeve dhe dizajneve.

A keni ndonjë ritual ose besëtytni që e respektoni para se të dilni në skenë?

Para se të dal në skenë, e kam një ritual të veçantë që më ndihmon të përgatitem shpirtërisht dhe emocionalisht. Besoj dhe gjithmonë lutem për forcë, qetësi dhe udhëzim.

 

Nëse do të mund të darkonit me tre njerëz, të gjallë apo të vdekur, kush do të ishin ata dhe pse?

Nëse do të mund të darkoja me tre njerëz, ata do të ishin individë që kanë lënë gjurmë të thella në botë përmes veprave dhe mençurisë së tyre si dhe frymëzimit që e kanë ofruar.

 

Nëse do të mund të dëgjonit vetëm një këngë për pjesën tjetër të jetës suaj, cila do të ishte ajo dhe pse?

Nëse do të mund të dëgjoja vetëm një këngë për pjesën tjetër të jetës sime, ajo do të ishte “Nuk po ec” nga Yll Limani.

 

Nëse do të mund të hanit vetëm një ushqim për pjesën tjetër të jetës suaj, cili do të ishte ai dhe pse?

Nëse do të mund të haja vetëm një ushqim për pjesën tjetër të jetës sime, mendoj se do të ishte një kombinim i ushqimeve tradicionale dhe pastave.

Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?

Kurrë mos e humbni besimin në veten dhe pasionin tuaj. Jeta është plot me sfida dhe pengesa, por çdo hap që e bëni drejt ëndrrave tuaja ka vlerë. Mos u dorëzoni, edhe kur rruga duket e vështirë. Është e rëndësishme të besoni në procesin tuaj, të jeni të sinqertë me veten dhe të jeni të gatshëm të punoni fort për atë që dëshironi.

 

“Dua ta falënderoj sinqerisht 4You Magazine për mundësinë e dhënë dhe për mbështetjen e ofruar. Është një nder i madh të jem pjesë e këtij projekti dhe ta ndaj historinë time me ju. Shpresoj që kjo mundësi të sjellë frymëzim dhe motivim për të gjithë ata që e lexojnë dhe besojnë në fuqinë e pasionit dhe përpjekjes. Ju falem nderit dhe përshëndetje të sinqerta për të gjithë lexuesit dhe ekipin e 4You Magazine!”