SEKOJA MBRESËLËNËSE

 

Drunjtë sekoja (sequioa) rriten përgjatë shpatit perëndimor të vargmaleve të Sierra Nevadës (në Kaliforni të SHBA-ve) në lartësi mbidetare nga 1500 deri në 2200 metra dhe larg nga bregdeti. Tipari që i dallon më së shumti këta drunj janë përmasat e tyre gjigande, për shkak të të cilave ata njihen edhe si rrokaqiejt e natyrës. Ekzemplari më i madh i këtij druri njihet me emrin Gjenerali Sherman.

 

Ky gjigand i natyrës është 84 metra i lartë dhe e ka një perimetër prej 31,1 metra në bazën e trungut (rreth 1,3 metra mbi tokë), ndërsa peshon plot 1,2 milionë kilogramë. Ndërsa, perimetri i kurorës së këtij druri është 33 metra.

 

Me përmasa të tilla, nuk është për t’u habitur që sipas një studimi të vitit 2002 vlerësohet që Gjernerali Sherman është rreth 2000 vjet i vjetër. Mirëpo, supozohet që mund të ketë sekoja që janë edhe deri në 4000 vjet të vjetra, pasi që jo gjithmonë ekzemplarët më të gjatë janë edhe më të vjetrit.

 

Sekojat janë drunj halor, dhe halat e tyre kanë ngjyrë hiri të gjelbër dhe rriten deri në 6 milimetra. Ato gjenden afër degëve më të trasha të drurit. Boçat e këtyre drunjve kanë formë vezore, kurse është interesante se fara e sekojës peshon vetëm disa miligramë.

 

Lëvorja e këtyre drunjve ka ngjyrë të kafe të kuqërremtë me të çara të thella, përderisa trashësia e vet lëvores mund të arrijë deri në 1 metër. Kjo lëvore e trashë është mbrojtës i shkëlqyer natyral, i cili i mbron trungjet e drunjve nga sëmundjet, insektet e madje edhe nga zjarri. Në fakt, zjarret mund t’i dëmtojnë vetëm drunjtë e rinj dhe jo të vjetrit. Për më tepër, sipas ekspertëve, zjarret janë të domosdoshme për rritjen e sekojave,

 

Zjarri ndihmon me lirimin e farës së sekojave nga boçat, riciklimin e materieve ushqyese në tokë, zvogëlimin e konkurrencës nga drunjtë e tjerë, shkatërrimin e barishteve dhe bimëve të tjera të vogla, ekspozimin e tokës ku farat mund të lëshojnë rrënjë, si dhe krijimin e boshllëqeve në pyje ku mund të depërtojë drita e domosdoshme për fidanët e reja.

 

Krahas përmasave, sekojat njihen edhe për shërbimet kritike që ato i ofrojnë në ekosistemin rreth tyre si ofrimi i burimeve ushqimore dhe mbrojtjes për kafshët e egra, aftësitë për pastrimin e ujit dhe thithjen e dyoksidit të karbonit nga atmosfera jonë dhe depozitimin e tij në trungjet e tyre.

 

Ndonëse në fillim të shekullit të 20-të këta drunj u eksploatuan me shumicë, për shkak të trungut të brishtë, sekojat nuk cilësohen si specie me vlerë për industrinë e drurit.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE