SEMAFORI MË HUTUES NË BOTË

 

A do të hutoheshit edhe ju po të qëndronit përballë kësaj morie të semaforëve në të cilin ndizen njëherësh të tria ngjyrat – e kuqja, e portokallta dhe e gjelbra? Edhe shoferët në Londër të Anglisë mbetën të hutuar kur e panë për herë të parë këtë semafor.

 

Ky hutim është më se i arsyeshëm përpara kësaj “Peme Semafor” e cila në fakt nuk e ka për qëllim rregullimin e komunikacionit, pasi që kjo është një skulpturë e cila gjendet në lagjen Poplar të Londrës. Kjo skulpturë është vepër e skulptorit francez Pierre Vivant.

 

Kjo vepër e artit është tetë metra e lartë dhe i ka gjithsejtë 75 komplete të dritave të cilat komandohen me kompjuter. Ky semafor u vendos në vitin 1998 në vendin e një rrapi i cili u “sëmur” nga ndotja e ambientit nga e cila vuante kjo zonë e Londrës.

 

Qëllimi fillestar ishte që dritat të aktivizoheshin në përputhje me aktivitetet e Bursës së Londrës, mirëpo u hoq dorë nga ky qëllim sepse realizimi i një ideje të tillë kushtonte tepër shtrenjtë.

 

Ndonëse, disa shoferë në fillim u hutuan nga dritat e semaforëve që ndizeshin dhe fikeshin, duke i kujtuar për sinjale të vërteta për rregullimin e komunikacionit, kjo skulpturë shumë shpejt u pëlqye si nga turistët ashtu edhe nga banorët lokal.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE