SEMIRAMIDA

 

Mbretëresha asiriane Semiramida është e pranishme në histori, legjenda, si dhe në kulturën popullore. Legjendat për të janë të shumta dhe ato janë regjistruar nga 80 autorë të antikitetit duke e përfshirë këtu Plutarkun, Euzebin, Polineun, Diodorin, etj.

 

Sipas legjendës së shkruar nga Diodori, Semiramida ishte vajza e perëndisë së peshqve Derketos nga Ashaloni dhe një vdekatari të zakonshëm. Sapo e lindi atë, Derketo e braktisi dhe u fundos. Pas kësaj për fëmijën filluan që të kujdeseshin pëllumbat deri sa atë e gjeti Sima, bariu mbretëror.

 

Martesa me Onesin dhe Mbretin Nin

Kur u rrit, Semiramida i mahniste të gjithë me bukurinë mirësinë dhe mençurinë e saj. Onesi, një nga gjeneralët e Mbretit Nin të Asirisë, u dashurua me të dhe e bindi Siman që t’ia jepte dorën e saj për martesë. Nga martesa e tyre e lumtur Semiramida i lindi dy djem Hijapatin dhe Hidaspin.

 

Në këtë kohë Mbreti Nin e mobilizoi ushtrinë e tij të madhe për të sulmuar mbretërinë e Baktrit. Mbreti Nin ia arriti që ta pushtonte këtë mbretëri, por pushtimi i kryeqytetit të saj nuk ishte i lehtë. Duke qenë se rrethimi i qytetit vazhdoi gjatë, Onesi nuk duroi më që të qëndronte larg dashurisë së tij, andaj i çoi fjalë Semiramidës që të bashkohej me të gjatë rrethimit. Me të arritur atje, Semiramida shpejt e vërejti një pikë të dobët në mbrojtjen e qytetit dhe me mjeshtëri e shfrytëzoi atë për t’i detyruar Baktrianët që ta dorëzonin edhe kryeqytetin e tyre.

 

Mbreti Nin u magjeps aq shumë pas saj dhe u dashurua në të, kështu që u mundua që ta bindte Onesin që t’ia jepte gruan e tij. Fillimisht, ai ia ofroi Onesit në këmbim vajzën e tij Princeshën Sonane për grua. Kur kjo nuk bëri punë, në fund mbreti iu kërcënua që do t’ia nxirrte sytë si dënim. Onesi, për shkak të frikës nga mbreti i tij dhe dashuria fatkeqe për gruan e tij u çmend dhe e vari veten. Pas kësaj, Mbreti Nin u martua me Semiramidën.

 

Semiramida dhe Mbreti Nin e lindën e një djalë të cilin e quajtën Ninus. Gjatë betejave për të pushtuar Azinë, Mbreti Nin u plagos për vdekje nga një shigjetë. Semiramida, menjëherë u maskua si i biri i saj dhe e mashtroi ushtrinë e burrit të saj që t’i ndiqnin udhëzimet e saj, pasi që ata kujtuan që urdhrat vinin nga sundimtari i ri.

 

Themelimi i Qytetit të Babilonisë –

Pas vdekjes së Ninit, Semiramida sundoi si Mbretëreshë Regjent për 42 vjet. Gjatë sundimit të saj ajo e pushtoi pjesën më të madhe të Azisë. Ndërsa, për kujtim të bashkëshortit të saj të dytë, Mbretit Nin, Semiramida e ndërtoi një mauzole madhështor si dhe në brigjet e lumit Eufrat e themeloi qytetin antik të Babilonisë, një qytet përplot me ndërtesa të mrekullueshme.

 

Për realizmin e këtij projekti, ajo i mblodhi ndërtuesit dhe artistët më të mëdhenj të kohës nga e tërë bota, dhe me rreth dy milionë punëtorë, filloi të ndërtonte qytetin e ri. Rreth qytetit y ndërtuan muret mbi 60 kilometra të gjatë dhe qindra metra të lartë dhe në të cilët ishin të përfshira edhe 250 kulla. Njëherit, këto mure rrethuese ishin aq të gjera sa që në to mund të kalonin përbri dy karroca.

 

Lumi Eufrat kalonte përmes qytetit kështu që në brigjet e tij u ndërtuan shëtitore të bukura të cilat lidheshin mes tyre me një urë të gjatë. Më pas u ndërtuan edhe dy pallate të fortifikuara, njëra në njërën anë të bregut të lumit, kurse tjetra në anën tjetër. Nga këto pallate mbretëresha mund të shihte lindjen dhe perëndimin e Diellit.

 

Këto pallate ishin të lidhura mes tyre me një korridor të nëndheshëm, i cili kalonte nën shtratin e lumit. Në qendër të qytetit u ndërtua një tempull, në majën e të cilit u vendosën statujat e arta të Zeusit, Herës dhe Rejit. Krahas Akropolit, aty u ndërtuan edhe kopshtet e famshme të varura të cilat ishin një sërë kopshtesh në platforma sipër njëra tjetrës të pasura me drunj, shkurre dhe lule të ndryshme. pas përfundimit të tyre, Kopshtet e Varura të Babilonisë u bënë të njohura si një prej Shtatë Mrekullive të Botës Antike.

 

Rënia

Semiramida, i vazhdoi projektet e saj ndërtimore edhe në pjesët e tjera të Azisë, duke themeluar qytete të reja dhe duke ndërtuar ndërtesa, parqe dhe shatërvanë të mrekullueshëm. Më pas, ajo kaloi nga Medina në Egjipt pasi që dëshironte që ta mësonte nga Orakulli i Amonit se si do të përfundonte jeta e saj. Orakulli i tha asaj se në mënyrë të mistershme ajo do të zhdukej nga faqja e dheut, dhe se kjo do të ndodhte kur i biri i saj Ninusi do të komplotonte kundër saj.

 

Pasi e vizitoi edhe Etiopinë, Semiramida u kthye në Baktri dhe i filloi përgatitjet për një fushatë të madhe pushtuese ndaj Indisë. Në këtë nismë ajo nuk pati fat; ajo i humbi dy të tretat e ushtrisë së saj dhe u kthye e mundur në vendin e saj.

 

Shumë shpejt, Semiramidën e zuri edhe fatkeqësia e dytë; Ninusi e organizoi një komplot kundër saj, dhe atë me ndihmën e një eunuku. Ky komplot u zbulua, por Semiramida e mençur duke i pasur parasysh ato që ia kishin thënë në Egjipt, vullnetarisht hoqi dorë nga froni. Shumë shpejt pas kësaj, ajo në mënyrë të çuditshme u zhduk, në moshën gjashtëdhjetë e dy vjeçare. Besohej që ajo ishte shndërruar në një pëllumb dhe kishte fluturuar në qiell, ku ishte pranuar në mesin e perëndive.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE