SHËRBIME PSIKO-SOCIALE FALAS PËR FËMIJËT ME AFTËSI TË KUFIZUARA!

Me një postim në llogarinë e tyre në Facebook (UNICEF Kosovo Programme), Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka bërë të ditur për nismën e tyre më të re, gjegjësisht ofrimin e shërbimeve psiko-sociale falas për fëmijët me aftësi të kufizuara.

 

“Çdo fëmijë është i prekur nga pandemia dhe mungesa e qasjes në shërbimet adekuate të cilat ndihmojnë që fëmijët të mos përjetojnë jostabilitet emocional,” theksohet në postimin në fjalë. Kjo është arsyeja pse Zyra e UNICEF-it në Kosovë në bashkëpunim me organizatat partnere, që i mbrojnë fëmijët që jetojnë me aftësi të kufizuara, duke i përfshirë edhe 34 ekspertë, kanë vendosur që të ofrojnë shërbime falas online për të gjithë fëmijët që kanë nevojë për mbështetje gjatë kësaj periudhe.

 

Më tej në postim thuhet se për këtë qëllim, Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat anëtare (Shoqata e të verbërve në Kosovë, Shoqata Kosovare e te Shurdhërve, Handikos – Asocimi i Paraplegjikëve dhe Fëmijëve të Paralizuar të Kosovës, Handikep Kosova, Shoqata e Autizmit, Down Syndrome Kosova, Klub Dëshira – Personat me Aftësi të Kufizuara Mendore) i ka angazhuar 34 ekspertë lokal për të ofruar seanca psikologjike, edukative dhe terapeutike për të gjithë fëmijët më aftësi të kufizuara në Kosovë.

 

Në fund të këtij postimi u bëhet thirrje të gjithë prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë që të kontaktojnë në numrat zyrtar të organizatave të lartpërmendura, apo përmes faqeve të tyre sociale, nëse kanë dëshirë dhe nevojë që të jenë pjesë e këtij programi online dhe të përfitojnë nga këto shërbime falas për fëmijët e tyre dhe për vet prindërit.

 

Kjo nuk është nisma e vetme e organizuar gjatë kohës së pandemisë së COVID-19 nga Zyra e UNICEF në Kosovë. Në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID-19, kjo zyrë, përmes partnerëve të saj implementues, i ka siguruar 12,000 komplete familjare për higjienë të cilat ua ka shpërndarë familjeve më të margjinalizuara në vetë-izolim për t’i ndihmuar ato në zbatimin e masave parandaluese. Këto komplete higjienike janë shpërndarë në 30 komuna në tërë Kosovën. Shpërndarja e tyre është bërë një javë pasi institucionet e Kosovës e shpallën gjendjen e jashtëzakonshme të shëndetit publik më 16 mars 2020.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE