Krahasuar me shërbimet e tjera të transmetimit si Netflix ose Amazon Prime, Disney+ mund të quhet fëmija i ri (apo edhe foshnja) në lagje pasi që ai u lëshua për herë të parë në nëntor 2019 vetëm në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Holandë. Sidoqoftë, që nga ajo kohë, ky shërbim streaming është rritur dhe përhapur në të gjithë globin. Aktualisht Disney+ është në dispozicion në 36 vende dhe ka rreth 103 milion abonentë. Përveç kësaj, me ndihmën e shërbimit të duhur VPN (lexoni më shumë rreth kësaj teme në rubrikën tonë Hi-Tech në numrin e muajit maj) mund ta përdorni këtë shërbim nga kudo në botë.
A është i mirë Disney+?
Fakti që ka arritur 103 milion abonentë në një kohë relativisht të shkurtër është dëshmi e mjaftueshme se ky është një shërbim cilësor i transmetimit. Pa dyshim që karakteristika e tij më e rëndësishme është çmimi fillestar i parapagimit mujor prej 7.99 $ në muaj. Për më tepër, ata që dëshirojnë të marrin maksimumin e këtij shërbimi mund të kërkojnë paketën Hulu & ESPN+ për 13.99 dollarë në muaj. Kjo do të thotë që edhe me shtimin e kësaj pakete, Disney+ mbetet shumë i arsyeshëm.
Çfarë përmbajtjeje ofron Disney+?
Çmimi i Disney+ arsyetohet edhe më shumë edhe nga cilësia e përmbajtjes që ai e ofron, e cila është mjaft e pasur pasi që përfshin prodhime nga studiot kryesore të argëtimit të Disney dhe biblioteka e filmit dhe televizionit, ku përfshihen Walt Disney Pictures, Walt Disney Animation Studios, Pixar, Disneynature, Disneytoon Studios, Lucasfilm, Marvel Studios, National Geographic nga filma të zgjedhur nga 20th Century Studios, Hollywood Pictures, Searchlight Pictures, Touchstone Pictures dhe Caravan Pictures. Si pasojë, shfaqjet si Finding Nemo, Captain Marvel dhe prodhime të tjera të Marvel, filmat Spiderman, të gjithë filmat dhe serialet e Star Wars, seriali The Mandalorian dhe 30 sezone të plota të Simpsons janë vetëm disa nga titujt e përfshirë. Në total, sugjerohet që Disney+ të ketë afërsisht 7,000 episode televizive dhe 500 filma.
Çka i mungon Disney+ në krahasim me shërbimet e tjera streaming?
Krahasuar me gjigandët e tjerë të transmetimit si Netflix dhe Amazon Prime, Disney+ i mungojnë seriale dhe përmbajtje origjinale. Aktualisht, Disney+ ofron disa seri origjinale si The Mandalorian, por ka shumë të ngjarë që në të ardhmen Disney+ ta adresojë edhe këtë çështje.
A duhet ta provoni dhe ta merrni Disney+?
Duhet të merrni Disney+ nëse jeni adhurues i Disney, Star Wars, Marvel dhe Pixar sepse me kalimin e kohës, ata tituj do të zhduken nga shërbimet e tjera të transmetimit. Disney+ gjithashtu ka bërë përpjekje shtesë për të përfshirë në bibliotekën e vet shfaqje të shkëlqyera si The Simpsons dhe The Mandalorian. Me 7,99 dollarë në muaj, Disney+ funksionon më lirë se Netflix dhe Amazon Prime Video. Gjithashtu mund të paguani për një vit përpara, gjë që ju jep rreth dy muaj falas. Ose merreni paketën ESPN + dhe Hulu, e cila është një blerje me 13,99 dollarë në muaj. Në fund të fundit, çmimi prej shtatë dollarëve në muaj nuk është shumë i lartë, të paktën për ta provuar. Mbase mund të përfundoni duke u kthyer vazhdimisht tek Disney, dhe kështu t’iu thuani shërbimeve tjera të transmetimit: “tung, tung!”
(Burimi/Source: Wikipedia and Reviews.org)