SHFMU “12 PRILLI” NË FSHATIN VERMICË TË MALISHEVËS

 

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “12 Prilli” në fshatin Vermicë të Komunës së Malishevës mund të konsiderohet një shkollë shumë e re. Objekti i parë i saj u ndërtua në vitin 1978 (me katër klasa), dhe asokohe ajo ishte paralele e ndarë e Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti” në fshatin Llazicë.

 

Në fillim objekti i ri dhe më pas pavarësimi i shkollës

Për shkak të vështirësive të udhëtimit të nxënësve të nivelit të shkollës së mesme të ulët (klasat VI-IX), të cilët duhej të përshkonin mbi tetë kilometra në ditë vajtje-ardhje deri në shkollën amë, me kërkesën e prindërve, në vitin 2014, filloi ndërtimi i objektit të ri të shkollës, ndërsa më 17 Shkurt 2015 u bë përurimi i tij. Tri vjet më vonë, në vitin 2018 erdhi edhe deri te pavarësimi i shkollës ndërsa në vitin 2022, me kërkesë të Këshillit Drejtues, Këshillit të Arsimtarëve, drejtorisë së shkollës dhe prindërve, kjo shkollë u emërua me emrin “12 Prilli”.

 

Klasa të mjaftueshme, por pa kabinete

Sipas drejtoreshës së shkollës znj. Mendushe Gashi në këtë shkollë i vijojnë mësimet 130 nxënës, për të cilët kujdesen 21 mësimdhënës dhe dy punëtorë teknik. Ajo më tej theksoi se ndërtimi i objektit të ri të shkollës e ka lehtësuar shumë punën në këtë institucion arsimor pasi që tani shkolla i ka njëmbëdhjetë klasa mësimi, nëntë prej të cilave janë të parapara për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Ndërsa, nxënësit e klasës së parafillorëve e kanë një klasë të veçantë të përgatitur enkas për këtë moshë. Po ashtu, në pjesën e nënkulmit të shkollës, ekziston një hapësirë të cilën arsimtari i edukatës fizike bashkë me nxënësit e shfrytëzojnë për zhvillimin e aktiviteteve sportive gjatë kohës së dimrit kurse gjatë verës shkolla ka fusha sportive shumë cilësore. Mirëpo, sipas drejtoreshës Gashi, për fat të keq shkolla e ka vetëm një kabinet (kabinetin e biologjisë) dhe kjo do të thotë se atyre u mungojnë kabinetet e nevojshme për zhvillimin e mësimit, ashtu siç edhe kërkohet për zbatimin praktik të kurrikulës së re të Kosovës. Gjithsesi, ajo mbetet optimiste që në të ardhmen e afërt kjo shkollë do të pajiset me kabinetet e nevojshme dhe mjetet e tjera didaktike e të konkretizimit.

 

Përkundër mungesave puna dhe sukseset nuk ndalen

Ajo që mungon për sa i përket kabineteve me sa duket kompensohet nga puna dhe përkushtimi i mësimdhënësve. “Të gjithë mësimdhënësit tonë janë të kualifikuar në fushat përkatëse si dhe e kanë përfunduar me sukses trajnimin për Zbatimin Praktik të Kurrikulës së Re të Kosovës. Gjithashtu, ata çdo herë kanë qenë të gatshëm dhe kanë shprehur interesim për të bërë ngritjen dhe zhvillimin e tyre profesional përmes programeve të ndryshme trajnuese,” deklaroi drejtoresha Gashi. Ajo vazhdoi më tej duke theksuar se kombinimi i këtij përkushtimi nga mësimdhënësit, shumica dërmuese e të cilëve janë banorë të fshatit Vermicë, me bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme me prindërit ndikon që edhe fëmijët të japin maksimumin e tyre. “Tek nxënësit e shkollës sonë, çdo herë vërehet motivimi dhe energjia për të nxënë. Kjo ndodhë falë angazhimit të tyre dhe mbështetjes dhe përkrahjes së vazhdueshme të mësimdhënësve të shkollës sonë. Nxënësit tanë kanë arritur suksese dhe janë dalluar në gara të ndryshme të cilat janë organizuar në nivel komunal, si ato me fokus të njohurive, në garat e ndryshme të recituesve, në turnetë sportive, ku së fundmi në garat e futbollit të vogël, ekipi ynë i vajzave u rendit në vendin e dytë në nivel të komunës,” përfundoi drejtoresha Gashi.

 

Hapi i radhës digjitalizimi i shkollës

Më tej, drejtoresha Gashi thekson se aktualisht ajo është duke u angazhuar që të realizojë një projekt për digjitalizimin e shkollës. Sipas saj, sot jemi duke jetuar në epokën e teknologjisë informative dhe digjitalizimi i shkollës do të mundësojë rritjen e dukshme të cilësisë së mësimit. Në fund të intervistës sonë drejtoresha Gashi i porositi të gjithë të rinjtë: “Mësoni dhe lexoni sa më shumë për një të ardhme të ndritur, qëndroni sa më larg dukurive negative, duajeni dhe respektoni njëri- tjetrin, nderojeni vendlindjen tuaj.”

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE