SHFMU “DËSHMORËT E VITISË”

 

Vetëm pak minuta larg qendrës së qytezës së Vitisë gjendet Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Dëshmorët e Vitisë”. Drejtori i kësaj shkolle, z. Qemajl Hyseni, tregon se kjo është një shkollë e re, si objekt por, edhe si institucion arsimor. “Objekti ynë është ndërtuar në vitin 2010 kur është themeluar edhe vet shkolla jonë si pasojë e shtimit të popullsisë në komunën e Vitisë. Deri atëherë, të gjithë fëmijët e qytezës tonë i kanë vijuar mësimet në shkollën e vjetër – Bafti Haxhiu. Asokohe numri i nxënësve ishte aq i madh sa mësimi zhvillohej në tri ndërrime,” deklaroi z. Hyseni. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se me krijimin e kësaj shkolle kushtet për mësim janë përmirësuar dukshëm. “Objekti i ri na ka ndihmuar shumë në zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, ne kemi klasa dhe kabinete të mjaftueshme, prandaj mësimi zhvillohet në një ndërrim të vetëm,” shtoi z. Hyseni.

 

Aktualisht, kjo shkollë i ka 850 nxënës të cilët janë të ndarë në 36 paralele, kurse për mbarëvajtjen e procesit mësimor kujdesen rreth 50 mësimdhënës. Në kushte normale mësimi në këtë shkollë fillon në orën tetë të mëngjesit. Mirëpo, për shkak të zbatimit të masave mbrojtëse kundër pandemisë së COVID-19, në kohën kur ne biseduam me drejtorin e shkollës, atje ishte në zbatim varianti A i punës, dhe mësimi fillonte nga ora 07:40 dhe punohej me tri ndërrime.

 

Sa i përket kabineteve drejtori i shkollës theksoi se përkundër që shkolla ka hapësirë të mjaftueshme për kabinete, pajisja e tyre me mjete të konkretizimit nuk ishte shumë e kënaqshme. Prandaj, aktualisht në këtë shkollë përpjekjet kryesore janë të përqendruara në përmirësimin e kësaj gjendjeje. “Në fillim e kemi pasur vetëm kabinetin e informatikës. Tani jemi duke i pajisur klasat me projektorë dhe llaptopa, një pjesë e mirë e të cilëve janë siguruar nga një donacion i organizatës Caritas të Luksemburgut. Gjithsesi, pjesën më të madhe të pajisjeve që i kemi tani i kemi pranuar si donacione nga organizata gjermane GIZ,” tha z. Hyseni.

 

Nga biseda jonë ne mësuam se kjo shkollë është duke e zhvilluar edhe një projekt tjetër me Bankën Botërore, përmes të cilit është paraparë që të sigurohen një pjesë tjetër e pajisjeve për kabinetet, kryesisht mjete për konkretizim dhe trajnim. Konkretisht përmes pakos së Bankës Botërore shkolla i ka përfituar të 15.000 dollarë ose 13.300 Euro. Kjo shumë është ndarë në 7 pjesë. Në pjesën e parë është futur pajisja e disa klasave me projektorë, pjesa e dytë është ndarë për sigurimin e mjeteve të konkretizimit për lëndët biologji, kimi, fizikë, matematikë, edukatë fizike, gjeografi dhe muzikë. Pastaj, është parashikuar pajisja e bibliotekës së shkollës me lektyra, një punëtori me nxënës, si dhe dy trajnime me mësimdhënës për metodologjitë e mësimdhënies dhe kurrikulës si dhe për shfrytëzimin e teknologjisë. Synimi kryesor i të gjitha këtyre investimeve në teknologji është digjitalizimi komplet i shkollës. Gjegjësisht, kalimi në mësim digjital me ç’ rast nxënësit do të kenë mundësi jo vetëm që t’i dëgjojnë ligjëratat, por edhe t’i shohin konceptet që janë duke u shpjeguar.

 

Sa i përket kualifikimeve të mësimdhënësve drejtori Hyseni theksoi se shumica e tyre janë të rilicencuar dhe shpejt pritet që të gjithë ta kryejnë këtë procedurë. Ai pati fjalë të mira edhe sa i përket punës dhe përkushtimit të nxënësve, por edhe vet prindërve. Sipas tij, prindërit kanë qasje të mirë në shkollë, dhe janë të gatshëm që të ndihmojnë. Madje, investimet e prindërve nuk mungojnë as në aspektin e infrastrukturës. Këto pohime sa i përket punës dhe sukseseve të nxënësve të kësaj shkolle mbështeten me arritje konkrete në gara të ndryshme të dijes si vendi i parë në nivel Kosove në garat e robotikës. Pastaj vendi i tretë në garat e gjuhës angleze Spelling Bee, vendi i dytë në nivel komunal në maratonën e dijes, e kështu me radhë.

 

Në fund drejtori Hyseni, duke uruar që pandemia e COVID-19 të mbarojë sa më shpejtë u bëri thirrje të gjithë të rinjve që të vazhdojnë të kontribuojnë në luftën kundër saj duke e mbajtur distancën, duke i pastruar duart dhe duke i bartur maskat e tyre.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE