Çdo shkollë mbart historinë e saj, dhe Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Ditët e Minatorit” në Kishnicë është një nga ato vende ku historia, komuniteti dhe arsimi bashkohen në një. Për shumë vite, kjo shkollë ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën e nxënësve nga Kishnica, Shashkoci dhe fshatrat përreth. Sot ajo vazhdon të rritet, duke i ruajtur traditat dhe duke u përshtatur me nevojat e arsimit modern.
Një rrugëtim i gjatë që filloi në vitet gjashtëdhjetë
Historia e shkollës filloi në vitin 1966, kur u hap si shkollë e vogël fillore për katër klasat e para. Dy vite më vonë u zgjerua në shkollë të plotë fillore deri në klasën e tetë. Objekti i parë i shkollës ishte pronë e minierës së Kishnicës dhe ishte ndërtuar fillimisht për banim të minatorëve që vinin nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Me marrëveshje ndërmjet institucioneve lokale, ai objekt u përdor për arsimin e fëmijëve deri në vitin 2020, kur u ndërtua objekti i ri si investim i përbashkët i institucioneve lokale dhe qendrore.
Shkolla administron edhe një paralele të ndarë në fshatin Shashkoc, ku nxënësit e klasës së parë deri në të nëntën vijojnë mësimin. Këtë vit, nxënës nga fshati Shushicë iu bashkuan shkollës amë në Kishnicë për shkak të rënies së numrit të nxënësve në fshatin e tyre dhe aplikimit të mësimit tërë ditor në Prishtinë për nivelin një deri në nëntë.
Një komunitet i vogël, por shumë aktiv
Aktualisht, shkolla ka nëntëdhjetë e një nxënës në Kishnicë dhe dyzet e shtatë në Shashkoc, gjithsej 138. Edhe pse numri i nxënësve ka rënë gradualisht, shkolla vazhdon të funksionojë me organizim dhe përkushtim të lartë. Stafi përfshin nëntë mësues klasor, dymbëdhjetë mësimdhënës të lëndëve, një edukatore për klasën përgatitore, pesë punëtorë teknik dhe drejtorin. Në total, një ekip prej njëzet e tetë personash punojnë çdo ditë për të mbështetur nxënësit.

Kushtet dhe mjedisi i të nxënit
Objekti i ri shkollor ofron hapësirë dhe ndriçim të mjaftueshëm natyral për zhvillimin e mësimit cilësor. Shkolla ka kabinetin e teknologjisë dhe informatikës me shtatë kompjuterë dhe një TV, si dhe kabinetin e shkencave të natyrës, i cili, edhe pse i improvizuar në disa pjesë, është i pajisur me materiale bazike për eksperimente. Hapësira e bibliotekës është rinovuar dhe pritet të furnizohet me libra së shpejti.
Duke folur për zbatimin e kurrikulës së re, drejtori Vezir Bytyqi shpjegon se ajo kërkon kushte të mira dhe mbështetje të përkushtuar. “Qëllimi ynë është t’ju ndihmojmë nxënësve të zhvillojnë dije, aftësi dhe vlera,” thotë ai. “Presim përmirësime në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit dhe partnerët tjerë.”
Suksese që e bëjnë shkollën krenare
Shkolla ka arritur rezultate të rëndësishme vitet e fundit. Në vitin 2022, ekipi i vajzave fitoi vendin e parë në turneun e organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës për shkollat e Prishtinës. Po ashtu shkolla shkëlqeu në “Kosovo Makers League”, ku ekipi i saj mori pikët maksimale në të tre raundet online dhe siguroi vend në Super Finalen me njëqind ekipet më të mira në vend.
Edukimi mjedisor dhe angazhimi i nxënësve
Vëmendje e veçantë në këtë shkollë i kushtohet edhe mjedisit dhe mbrojtjes së tij. Këtë e dëshmon projekti mjedisor i realizuar kohëve të fundit për cilësinë e ajrit, në bashkëpunim me JICA dhe Ministrinë e Mjedisit. Gjatë këtij projekti nxënësit mësuan rreth ndotjes, ndikimit në shëndet dhe mënyrave për të mbrojtur ambientin. Në kuadër të aktivitetit, nxënësit mbollën edhe tridhjetë bimë dekorative në oborrin e shkollës.
Sfidat dhe mesazhi i drejtorit
Sfidë e madhe mbetet mungesa e terrenit sportiv dhe sallës së edukatës fizike. Edhe pse janë bërë përpjekje me institucione të ndryshme, punimet janë vonuar për arsye administrative. Drejtori shpreson që kjo çështje të zgjidhet vitin e ardhshëm. Në fund, ai e pati një mesazh të qartë për të rinjtë: “Duhet të krijojmë mundësi që i motivojnë të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë. Arsimimi cilësor, mundësitë e studimit dhe vendet e punës me paga të dinjitetshme janë thelbësore. Trendi i largimit të të rinjve është shumë shqetësues.”



