SHFMU “DITËT E MINATORIT” NË FSHATIN KISHËZ

 

Ndonëse i ka edhe dy paralele të ndara, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Ditët e Minatorit” në fshatin Kishëz, në Komunën e Graçanicës, me gjithsejtë 164 nxënës, mbetet një nga shkollat më të vogla në Kosovë. Gjithsesi, numri i vogël i nxënësve nuk e bën atë më pak të rëndësishme. Pasi që, siç thotë edhe drejtori i kësaj shkolle, z. Vezir Bytyqi, rënia e numrit të nxënësve është një problem me të cilin duhet të përballen shumë shkolla në zonat rurale të Kosovës.

 

Me punë tejkalohen të gjitha vështirësitë

Qëkur u hap për herë të parë në vitin shkollor 1966/67, kjo shkollë është përballur me sfida të shumta. Fatmirësisht, shkolla amë si dhe paralelja e ndarë në fshatin Shushicë tani operojnë në objekte të reja. “Në vitin shkollor 2020/2021 u përfundua ndërtimi i objektit të ri të shkollës amë. Falë këtij investimi ne kemi hapësirë të mjaftueshme për ta zhvilluar mësimin në një ndërrim të vetëm dhe në kushte shumë më të mira,” tha drejtori Bytyqi. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se në vitin shkollor 2011/2012, edhe në fshatin Shushicë u përfundua ndërtimi i objektit të ri shkollor. Kurse, pjesëtarët e forcave paqeruajtëse të KFOR-it kanë investuar në ndërtimin e një terreni sportiv shumë funksional.

 

Halle të mëdha për këtë shkollë të vogël

Problemi i parë që e veçoi drejtori Bytyqi është numri tepër i vogël i nxënësve në paralelen e ndarë në fshatin Shushicë, pasi atje i vijojnë mësimet vetëm nëntë nxënës. Për këtë arsye, mësimi zhvillohet në klasa të kombinuara gjë që krijon vështirësi në punën e mësuesit, mungesë të socializimit të nxënësve, si dhe konkurrencë të zbehtë në mesin e vet nxënësve për të treguar shkathtësitë e tyre. Një problem tjetër mbetet mungesa e hapësirës së mjaftueshme dhe vjetërsia e shkollës në fshatin Shashkoc, ku e vijojnë mësimin 44 nxënës.

 

Shkollë e vogël por ambicie të mëdha

Fakti se kjo është një shkollë e vogël, nuk i ka penguar asnjëherë nxënësit dhe mësimdhënësit e saj që të kenë ambicie të mëdha. “Nxënësit e shkollës sonë çdo herë marrin pjesë në gara të ndryshme të diturisë, gara sportive ose kulturore. Falë interesimit të nxënësve dhe punës së mësimdhënësve rezultatet që ata i arrijnë në këto gara janë shumë të mira,” shtoi drejtori Bytyqi. Me këtë rast, ai e veçoi pjesëmarrjen në Garat e Robotikës dhe programin “Shkollat e Shekullit të 21”, i cili zbatohet në Kosovë nga British Council, në partneritet me Ministrinë e Arsimit. Përmes këtij projekti, kjo shkollë dhe mësimdhënësja e teknologjisë informative janë ndihmuar në zbatimin e praktikave të mira në fushën e Mendimit Kritik, Zgjidhjes së Problemeve dhe Kodimit, të cilat i ndihmojnë nxënësit të jenë mendimtarë kritikë dhe novatorë të aftë të zgjidhin probleme dhe të përgatiten me shkathtësi për tregun e punës në të ardhmen. Për më tepër, falë punës dhe përkushtimit të treguar, British Council e ka përzgjedhur këtë shkollë për incizimin e orës mësimore e cila do të shërbejë si material plotësues për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

 

Roli I juaj është i veçantë për të ardhmen tonë

Në fund të intervistës sonë, drejtori Bytyqi, i porositi të gjithë të rinjtë se ata janë pjesë e rëndësishme dhe vlera më e çmuar e shoqërisë sonë. Si të tillë, ata e kanë një rol të veçantë në ndërtimin e të ardhmes së Kosovës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE