SHFMU “GËRNÇAR”

 

Tradicionalisht, Prizreni është shquar për bashkëjetesën e qetë të etnive të ndryshme dhe Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “GËRNÇAR” në fshatin Gërnçar të kësaj komune është një shembull tipik.

 

Në këtë shkollë procesi mësimor zhvillohet në dy gjuhë – shqip dhe boshnjakisht. Drejtori i shkollës z. Miljazim Pajaziti në lidhje me këtë çështje tha: “Marrëdhëniet midis nxënësve janë shumë të mira, ashtu si edhe mes mësuesve, pavarësisht nga gjuha dhe përkatësia e tyre etnike. Lirisht mund të themi se procesi i mësimdhënies zhvillohet në një harmoni multietnike, me shumë respekt dhe vlerësim.”

 

Nga një paralele e ndarë në shkollë të plotë fillore dhe të mesme të ulët

Një tjetër aspekt i veçantë i kësaj shkolle është se deri në vitin 2014 ajo ishte paralele e ndarë e shkollës së fshatit fqinj. Mirëpo, gjithçka ndryshoi më 4 tetor 2014, kur Ministria e Arsimit e miratoi kërkesën e prindërve dhe mësuesve të kësaj shkolle për t’ia dhënë asaj statusin e shkollës së plotë fillore dhe të mesme të ulët. Menjëherë pas këtij vendimi filloi edhe ndërtimi i objektit të ri shkollor i cili u përurua në dhjetor të vitit 2019. Kështu tani kjo shkollë e ka një ndërtesë të re të ndërtuar sipas standardeve moderne evropiane.

 

Në këtë shkollë mësimet i vijojnë gjithsejtë 182 nxënës një pjesë e të cilëve i vijojnë mësimet në paralelen e ndarë në fshatin Novosellë. Kurse për mbarëvajtjen e procesit mësimor kujdesen 27 mësimdhënës. Drejtori Pajaziti, theksoi se fakti se shkolla e ka një objekt modern dhe rreth 95 për qind e mësuesve janë të kualifikuar profesionalisht, e bën atë tejet krenar për cilësinë e punës në këtë shkollë.

 

Ku ka punë, ka edhe suksese

Optimizmin e tij e arsyetojnë edhe arritjet e nxënësve në gara të ndryshme të dijes, siç ishte Konkursi i organizuar nën kujdesin e Koordinatorit Kombëtar për Kulturë dhe Arsim. “Ne fituam shumë çmime në atë Konkurs, dhe ajo për të cilën ne mund të jemi veçanërisht krenarë është rezultati nga gjuha boshnjake, pasi që një nxënës i shkollës sonë e fitoi vendin e parë në nivelin kombëtar,” shtoi drejtori Pajaziti. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se për çdo lëvdatë është edhe puna e klubeve shkollore për dramë, muzikë dhe art. Sipas tij, edhe në këtë periudhë të vështirë ata kanë arritur që t’i përkushtohen promovimit të njohurive të fituara dhe të prezantojnë punën e tyre përmes rrjeteve sociale, më saktësisht në ueb faqen e shkollës.

 

Një arritje tjetër që drejtori Pajaziti e veçoi është edhe bashkëpunimi me prindërit të cilin ai e cilësoi si shumë pozitiv: “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me prindërit, përmes rrjeteve sociale, grupeve në ‘Viber’. Gjithashtu, në këtë situatë të prekur nga pandemia ne e kemi krijuar edhe të ashtuquajturin – Grupi i TASK FORCE – në të cilin janë të përfshirë edhe prindërit. Ky grup e monitoron situatën në shkollë, në mënyrë që të veprojë në mënyrë parandaluese dhe të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur nxënësit dhe mësimdhënësit nga virusi.”

 

Shkolla ka nevojë për pajisje për kabinete

Një problem që drejtori i shkollës e veçoi është mungesa e kabineteve, gjegjësisht mjeteve të konkretizimit për këto kabinete, pasi që dhomat e dedikuara për kabinete shkolla i ka. Më këtë rast drejtori Pajaziti u bëri thirrje të gjithë donatorëve të mundshëm që të ndihmojnë për t’i siguruar pajisjet e nevojshme për kabinete.

 

Kur është fjala të pandemia e COVID-19, me sa duket, objekti i ri shkollor ka ndikuar pozitivisht pasi që ekzistojnë kushtet që të gjitha orët mësimore të zhvillohen në mënyrë rigoroze në përputhje me udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit. Madje, ne mësuam se në fund të muajt tetor të këtij viti, kjo shkollë pati një vizitë inspektimi për COVID-19, dhe pas të gjitha kontrolleve, u vlerësua publikisht si një shkollë që i ndjek me përpikëri udhëzimet e autoriteteve kompetente për pandeminë.

 

Planet për të ardhmen

Përveç projekteve të infrastrukturës, plani i drejtorit të kësaj shkolle është që t’u siguroj nxënësve dhe mësuesve teknologji moderne, të krijojë një platformë në internet për këtë shkollë, si dhe të bëjë digjitalizimin e ditarëve. Kjo do t’ua mundësonte mësuesve dhe studentëve që të punojnë në distancë.

 

Në fund drejtori Pajaziti e dha një porosi tejet të thjeshtë për të gjithë të rinjtë në Kosovë: “Tregohuni të përgjegjshëm ndaj librit dhe mësoni, mësoni dhe vetëm mësoni!”

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE