SHFMU “GJ. K. SKËNDERBEU” SALLAGRAZHDË

 

Ambienti i gjelbëruar, pastërtia dhe rregulli janë tri gjërat e para që bien në sy sapo të futesh në oborrin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët (SHFMU) “Gj. K. Skënderbeu” në fshatin Sallagrazhdë. Fakti se shkolla gjendet në një fshat i cili shtrihet rrëzë bjeshkëve të Sharrit vetëm sa ia shton hijeshinë këtij objekti të dijes. Përshtypjet e mira vazhdojnë edhe brenda shkollës. Drejtori i kësaj shkolle z. Bafti Gashi, tregon se gjithçka në këtë shkollë është arritur në rend të parë falë punës dhe angazhimit të pakursyer të mbarë kolektivit të shkollës, mirëpo, pa i harruar edhe prindërit e sidomos vet nxënësit.

 

Të gjitha nismat pozitive kanë lindur prej nxënësve

Sipas drejtorit të shkollës, shkaku kryesor i suksesit të tyre është bashkëpunimi që personeli, qoftë ai administrativ apo mësimor, e kanë krijuar me nxënësit përgjatë viteve të funksionimit të saj. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, organet shkollore si këshilli i nxënësve apo ai prindërve janë shumë aktiv. “Bashkëpunimi është në nivel aq të mirë sa që do të thosha se të gjitha nismat pozitive kanë lindur prej nxënësve por, ç’ është më e rëndësishme edhe janë realizuar, së paku pjesërisht, nga vetë nxënësit. Nga ana tjetër, fakti se idetë kanë ardhur dhe janë realizuar nga vetë fëmijët, ka ndikuar që ata të bëhen mbrojtësit kryesor të mjedisit shkollor,” deklaroi drejtori Gashi. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se fryma e bashkëpunimit në këtë shkollë është e një rëndësie tepër të veçantë. “Rreth tridhjetë për qind e banorëve të Sallgrazhdës i përkasin besimit katolik. Kjo do të thotë se në këtë shkollë mësimet i vijojnë nxënësit e besimeve të ndryshme fetare. Përkundër kësaj, ne asnjëherë nuk kemi pasur probleme për shkak të këtyre dallimeve as në shkollë, por as në fshatin tonë.”

 

Falë investimeve ndër vite shkolla është në gjendje të mirë

Edhe sa i përket gjendjes së objektit shkollor, drejtori Gashi tha se falë projekteve të ndryshme që janë realizuar deri tani, objekti i shkollës është në një gjendje mjaft të mirë dhe i plotëson kushtet për zhvillimin e mësimit. Për shembull, disa vite më parë, falë një projekti të realizuar nga Komisioni Evropian, në këtë shkollë asokohe u investuan rreth 300.000 euro, për izolimin dhe lyerjen e tërësishme të shkollës, rregullimin e kulmit si dhe vendosjen e sistemit të ngrohjes qendrore. Një investim tjetër i çmuar, për të cilin tashmë kemi shkruar në revistën tonë, u realizua vetëm disa muaj më parë nga CIMIC-u (bashkëpunimi civilo-ushtarak) i KFOR-it. Në kuadër të këtij projekti shkollës iu dhuruan projektorë dhe llaptopë për kabinetin e lëndës së TIK-ut. Sigurisht, investimet e tilla janë të mirëseardhura pasi që ato ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së procesit të mësimdhënies dhe mësim nxënies.

 

Rënia e numrit të nxënësve problem, por puna nuk ndalet

Për fat të keq, si shumë shkolla të tjera në Kosovë, edhe kjo shkollë është duke u përballur me rënien e numrit të nxënësve. Z. Gashi, theksoi se ky është një problem shumë serioz me të cilin përballet jo vetëm shkolla por i tërë fshati, pasi që një pjesë e konsiderueshme e banorëve të këtij fshati kanë imigruar në botën e jashtme. Rënia e numri të nxënësve mund të jetë problem serioz, por jo edhe angazhimi i nxënësve. Këtë e dëshmon fakti se pjesa dërmuese e nxënësve të kësaj shkolle i vijojnë apo i kanë përfunduar studimet e tyre në fusha të tilla si mjekësi, ekonomi, ndërtimtari, bujqësi e fusha të tjera të rëndësishme për tregun e punës në Kosovë. Kur merret parasysh se këta fëmijë vijnë nga Sallagrazhda me rreth 300 shtëpi dhe Dubrava me rreth 160 shtëpi, atëherë është e qartë se sa shumë çmohet shkollimi dhe dija në këto anë.

 

Investoni në dijen tuaj

Në fund z. Gashi i porositi të gjithë të rinjtë e Kosovës se është tejet e rëndësishme që sapo të zgjohen në mëngjes, ata duhet ta kenë të qartë qëllimin pse përgatiten për të ardhur në shkollë dhe ta shfrytëzojnë këtë kohë me gjithë këto mundësi të mira për të mësuar; sepse perspektiva është në anën e atyre që mësojnë dhe investimi më i mirë për të ardhmen e tyre, është investimi në dijen e tyre.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE