SHFMU “HAXHI ZEKA” ZAHAQ – PEJË

 

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Haxhi Zeka” në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës gjendet 7 (shtatë) kilometra larg qytetit të Pejës përbri rrugës magjistrale Pejë-Prishtinë, në mesin e 4 (katër) fshatrave: Zahaq, Llabjan, Nakëll dhe Ramun. Fillimisht, kjo shkollë u themelua në vitin 1948 si paralele e ndarë e Shkollës Fillore “Zef Serembe” në fshatin Gllaviqicë. Asokohe, mësimi zhvillohej aty nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Situata mbeti e tillë deri në vitin 1971 kur për shkak të rritjes së numrit të nxënësve kjo paralele e ndarë e mori statusin e shkollës së plotë fillore dhe u pagëzua me emrin e rilindësit Haxhi Zeka, emër ky që ajo e mban sot e kësaj dite.

 

Kjo është një shkollë shumetnike

Sipas drejtorit të shkollës z.Samir Zekaj, sot aty i vijojnë mësimet gjithsejtë 323 nxënës, ndërsa janë të punësuar 31 punëtor (27 mësimdhënës, 3 punëtor ndihmës, dhe drejtori i shkollës). Në pyetjen se çka e veçon këtë shkollë, drejtori Zekaj theksoi se kjo është një shkollë shumetnike pasi që krahas nxënësve shqiptar, aty i vijojnë mësimet edhe shtatëmbëdhjetë nxënës të komuniteteve rom dhe ashkali, të cilët janë plotësisht të integruar dhe socializuar me nxënësit shqiptar.

 

Në lidhje me atë se sa i plotëson kushtet objekti i shkollës për zhvillimin e mësimit ai u përgjigj: “Sa i përket hapësirës shkolla jonë për momentin i plotëson kushtet pjesërisht. Në fakt, hapësira është arsyeja kryesore pse ne e zhvillojmë mësimin në dy ndërrime. Gjithsejtë i kemi dhjetë klasa (dhoma mësimi) duke i përfshirë edhe para fillorët. Po ashtu, e kemi edhe një kabinet për lëndën e teknologjisë informative (TIK), si dhe një klasë për nxënësit e riatdhesuar. E kemi edhe bibliotekën e shkollës si dhe fushën sportive për lëndën e edukatës fizike.”

 

Sfidat kryesore: hapësira e kufizuar dhe siguria e nxënësve

Krahas hapësirës së kufizuar, një shqetësim tjetër serioz është edhe siguria e nxënësve e cila kërcënohet nga komunikacioni dhe qentë endacak. Përderisa problemi i qenve endacak është një problem i përgjithshëm, rreziku në komunikacion është shumë më serioz. Siç edhe është cekur në fillim të këtij artikulli, kjo shkollë gjendet në mesin e katër fshatrave përbri rrugës magjistrale Pejë-Prishtinë dhe një pjesë e nxënësve duhet ta kalojnë rrugën për të ardhur në shkollë. Kohë më parë për këtë qëllim është ndërtuar edhe një nënkalim. Mirëpo, për fat të keq, sipas z. Zekaj jo gjithmonë dhe jo të gjithë nxënësit e shfrytëzojnë atë.

 

Sukses i kënaqshëm, por ka hapësirë për përmirësim

Sa i përket suksesit të nxënësve, drejtori Zekaj theksoi se në përgjithësi ai është i kënaqur ndonëse ka hapësirë për përmirësim. Më tej ai theksoi se në garat e diturisë në nivel kombëtar kjo shkollë ka arritur sukses mjaft të mirë në lëndët e gjuhës shqipe dhe asaj angleze. Kurse, në nivel lokal suksese janë arritur edhe në lëndët e shkathtësisë në sport dhe art. Suksesi është i ngjashëm edhe në Testin e Arritshmërisë.

 

Drejtori Zekaj vazhdoi më tej duke theksuar se një nga pikat më të forta të shkollës që ai e drejton është bashkëpunimi më të gjithë aktorët e këtij institucioni arsimor. Ku falë këtij bashkëpunimi është arritur që objektit kryesor t’i ndërtohen edhe tri shtojca (anekse) me ndihmën e komunitetit, komunës si dhe KFOR-it. Pastaj është rregulluar fusha e sportit, parku i shkollës, si dhe rrethoja dhe oborri i shkollës. Ndërsa në mesin e projekteve që synohen që të realizohen janë kompletimi i kabinetit për kimi-biologjifizikë, kompletimi i bibliotekës me tituj të ri dhe zhvillimi i trajnimeve për zhvillimin profesional të mësimdhënësve. Në fund drejtori Zekaj i porositi të gjithë të rinjtë që të mësojnë dhe edukohen që t’i shërbejnë zhvillimit dhe përparimit të Kosovës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE