SHFMU “KONGRESI I MANASTIRIT” NË FSHATIN STUDENÇAN

 

Në fshatin e qetë dhe paqësor të Studençanit, rrënjët e arsimit datojnë që nga Perandoria Osmane. Në ato kohëra kishte një shkollë (mejtep) ku popullata vendase mësonte alfabetin araboosman në xhaminë e fshatit.

 

Një shekull shkollim

Ndërsa kohët ndryshuan dhe shoqëria evoluoi, po ashtu bënë edhe strukturat arsimore. Gjatë sundimit të Mbretërisë Jugosllave, në fund të viteve 1920 u hap një shkollë për nxënësit shqiptarë dhe serbë. Ajo shkollë vazhdoi të funksionojë deri në fund të vitit 1941, kur për shkak të përshkallëzimit të Luftës së Dytë Botërore shkolla u mbyll. Siç rezulton, kjo ishte hera e fundit që kjo shkollë mbyllej, pasi që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (1945) e deri më tani, mësimi në këtë shkollë nuk është ndërprerë asnjëherë. Në vitin 1964, për faktin se Studençani është një nga fshatrat më të mëdhenj të Kosovës, shkollës së tij i është dhënë statusi i shkollës fillore të plotë me emrin “19 Nëntori”, ndërsa në vitin shkollor 1991/92 është riemëruar me emrin “Kongresi i Manstirit”.

 

Një ndërtesë shkollore që i plotëson të gjitha nevojat

Drejtori aktual i kësaj shkolle është z.Ramadan Gashi, një punonjës shumëvjeçar në shërbim të këtij institucioni, ku fillimisht punoi si mësimdhënës dhe tani në krye të tij, i cili njëkohësisht është edhe banor i fshatit Studençan. Me krenarinë e dukshme për atë që ai e quajti dashurinë dhe shtysën e qëndrueshme afatgjate që ky fshat e ka treguar për arsimin ndër shekuj, z. Gashi na informoi që ndërtesa aktuale e shkollës u ndërtua në vitin 2001 përmes një donacioni nga qeveria japoneze dhe i përmbush të gjitha kërkesat e një shkolle. Kjo gjithashtu falë faktit se numri i nxënësve në këtë vit akademik është 354, nga niveli parashkollor deri në klasën e nëntë. Fatkeqësisht, si në shumë zona të tjera rurale, edhe kjo shkollë po përballet me rënie të numrit të nxënësve për shkak të faktorëve të ndryshëm, ndër të cilët kryesori është migrimi i popullsisë drejt qendrave kryesore urbane në Kosovë por edhe jashtë saj.

 

Kushte të mira + punë e zellshme = sukses

Pavarësisht se sa shqetësuese është rënia e numrit të studentëve, kjo e ka një përfitim të papritur, gjegjësisht faktin që procesi mësimor zhvillohet vetëm në një ndërrim, duke filluar nga ora 08:00. “Në kolektivin tonë i kemi gjithsej tridhjetë e pesë punonjës, nga të cilët njëzet e pesë janë mësues, dy edukatorë, një psikolog, një asistent për fëmijë me nevoja të veçanta dhe katër punëtorë teknik. Hapësira e shkollës është e mjaftueshme dhe përbëhet nga një kabinet për kompjuterë, kabinetet për kimi, fizikë dhe biologji që funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe një sallë të edukatës fizike që i plotëson të gjitha standardet”, theksoi z. Gashi. Ai më tej shtoi se kushtet e shkëlqyera të punës janë reflektuar pozitivisht në procesin arsimor në tërësi. “Jemi të kënaqur me suksesin e përgjithshëm të nxënësve, duke i marrë parasysh arritjet e tyre në gjysmëvjetorin e parë dhe rezultatet e arritura nga pjesëmarrja në “Olimpiadën e Matematikës”. Tre nga nxënësit tanë – Jon Krasniqi, Agnesa Gashi dhe Elda Krasniqi – na përfaqësuan në këtë olimpiadë dhe arritën rezultate shumë pozitive. Agnesa Gashi, po ashtu ka dalë e treta në garat komunale, si dhe kemi qenë të suksesshëm edhe në gara të ndryshme sportive komunale”.

 

Ne duhet të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë

Z. Gashi po ashtu na informoi se të gjithë mësimdhënësit në këtë shkollë janë të kualifikuar, madje tre prej tyre i kanë përfunduar studimet e nivelit master. Gjithashtu, të gjithë janë trajnuar në zbatimin e kurrikulës së re, si dhe ndjekin vazhdimisht kurse të tjera të formimit profesional që organizohen rregullisht. Sipas drejtorit Gashi, qëllimi kryesor i të gjitha këtyre përpjekjeve është dëshira e tij dhe e stafit për të menaxhuar procesin arsimor në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për të ngritur cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Megjithatë, ai theksoi se nevoja për të përmirësuar cilësinë e procesit të mësimdhënies dhe të të nxënit, kur bëhet fjalë për sigurimin e mjeteve dhe burimeve didaktike, është ende shqetësuese. Në fund z.Gashi u bëri thirrje të gjithë të rinjve që ta duan Kosovën dhe të punojnë shumë dhe në mënyrë profesionale për të siguruar një të ardhme të begatë dhe paqësore.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE