SHFMU “KUVENDI I VERRAVE TË LLUKËS” – DEÇAN

 

“Shkolla jonë që e mban emrin simbolik të pajtimit të unitetit të dashurisë dhe respektit, është hapur në vitin shkollor 1994. Objekti shkollor ka filluar të ndërtohet në fillim të viteve 90-ta dhe ia vlen që të theksohet se për infrastrukturën e saj vazhdimisht është përkujdesur komuniteti, veçmas bashkatdhetarët tanë.” Kështu e fillon përshkrimin për shkollën “Kuvendi i Verrave të Llukës” në Komunën e Deçanit, drejtoresha e kësaj shkolle znj. Besarta Tahirukaj-Idrizi. Ajo vazhdoi më tej duke theksuar se deri në vitin 2011 kjo shkollë ishte pjesë, gjegjësisht paralele e ndarë e shkollës “Lidhja e Prizrenit”. Mirëpo, duke filluar nga viti 2011 ajo u shkëput tërësisht dhe filloi të operonte si shkollë tërësisht e pavarur. Kurse, që nga shtatori i vitit të kaluar mësimi po zhvillohet në objektin e ri që ofron kushte maksimale për zhvillimin e procesit edukativo-mësimor.

 

Kjo është një shkollë rurale, andaj numri i nxënësve që i vijojnë mësimet aty është relativisht i vogël. Në këtë vit shkollor mësimin e vijojnë 114 nxënës që nga klasa përgatitore deri në klasën e nëntë (nga një paralele), dhe mësimi zhvillohet në dy dërrime. Ndërsa, siç u shpreh drejtoresha Tahirukaj-Idrizi, kontributin e tyre të shenjtë në edukimin e brezave e japin 16 mësimdhënës, të cilët janë të gjithë të kualifikuar në drejtimet përkatëse.

 

Duke qenë se shkolla tashmë e ka një objekt të ri dhe modern, padyshim që sa i përket infrastrukturës shkolla i plotëson kushtet optimale për zhvillimin e suksesshëm të procesit mësimor. Ndërsa, objekti përcjellës i shkollës së vjetër shfrytëzohet për kabinete. “Kur është fjala tek kabinetet, vlen të përmendim kabinetin e informatikës i cili u pajis me laptopë falë një donacioni të KFOR-it. Po e përmend këtë kabinet, sepse dua që ta shfrytëzoj këtë rast që ta shpreh edhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimin tonë për këtë kontribut tejet të çmuar për shkollën dhe nxënësit tonë,” theksoi drejtoresha Tahirukaj-Idrizi.

 

Sa i përket bashkëpunimit me prindër, drejtoresha e shkollës thotë se ai ka qenë dhe vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm. Sipas saj, kjo vlen jo vetëm sa i përket aspektit të mbarëvajtjes së procesit edukativo-arsimor dhe vijueshmërisë së rregullt të fëmijëve në shkollë, por edhe në ofrimin e të mirave materiale në funksion të sigurimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës shkollore.

 

“Edhe pse një shkollë e vogël shkolla jonë ka treguar se është vatër e sukseseve të mëdha: nxënësit tanë kanë marrë pjesë në gara të ndryshme të dijes dhe sportive lokale dhe kombëtare dhe kanë arritur suksese domethënëse,” deklaroi znj. Tahirukaj-Idrizi. Disa prej sukseseve që ajo i veçoi janë: “Në gjuhë shqipe nxënësit e klasës së shtatë dhe nxënësit e klasës së tretë i kanë zënë vendet e para. Po ashtu, në garat për pikturë ata kanë dalë në vendin e parë dhe të tretë në nivel komunal. Në aktrim klasa e nëntë, grupi i vajzave, vendi i parë në nivel komunal. Po ashtu, vendin e parë e kanë zënë nxënësit e klasës së tretë në monolog. Më tej, në garat për futboll për femrat, ekipi i shkollës sonë e zuri vendin e parë në nivel komunal dhe e përfaqësoi komunën në garat kombëtare.”

 

Në pyetjen se cila është pika më e fortë e shkollës, drejtoresha e kësaj shkolle pa asnjë hezitim e veçon nivelin e bashkëpunimit në mes të mësimdhënësve, menaxhmentit të shkollës dhe komunitetit. Për këtë arsye ajo theksoi se nevoja e tyre kryesore është pajisja me mjete didaktike-mësimore, gjegjësisht kabinetet për lëndët Biologji-Kimi-Fizikë, edukatë fizike, etj. Po ashtu, hapësirave rreth shkollës u mungon gjelbërimi, kurse mangësia kryesore është mos pasja e bibliotekës së shkollës. Mirëpo, drejtoresha Tahirukaj-Idrizi theksoi se ajo dhe kolektivi i shkollës synojnë që t’i plotësojnë në të ardhmen të gjitha këto mungesa, pasi që ata kanë hapësira të mjaftueshme në objektin përcjellës të shkollës. Në fund, ajo e pati një porosi të thjeshtë por edhe shumë domethënëse për të gjithë rinjtë: “Mësoni shumë, punoni shumë! Jemi duke ecur përpara! Ju mund ta bëni ndryshimin pozitiv!”

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE