SHFMU MODEL “ISMAIL QEMALI“, MITROVICË

 

Shkolla fillore dhe e mesme e ulët (SHFMU) “Ismail Qemali“ ndodhet në lagjen Bair në rrugën Migjeni në qytetin e Mitrovicës. Shkolla e ka filluar punën në vitin 1961, në ish objektin në rrugën “Ahmet Selaci”, ku edhe ka vazhduar të operojë deri në vitin 2019.

 

Nga viti 2019, shkolla u zhvendos në objektin e ri, projekt ky i realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i financuar nga Banka Evropiane dhe nga Komuna e Mitrovicës. Rrjedhimisht, shkolla posedon hapësirë të mjaftueshme ku përfshihen edhe 6 kabinete, biblioteka, salla e leximit, salla e edukatës fizike, terrenet sportive, qendra e trajnimeve, dhe këndi i rekreacionit. Me fjalë të tjera, falë realizimit të këtij projekti kjo shkollë operon në një objekt modern me kushte optimale për zhvillimin e procesit edukativo-mësimor.

 

“Krahas objektit, ne jemi shumë të kënaqur edhe me bashkëpunimin që e kemi me prindërit. Ky bashkëpunim zhvillohet përmes Këshillit të Prindërve, Bordit të Shkollës, Këshillit të Arsimtarëve dhe Këshillit të Nxënësve,” theksoi drejtoresha Hafize Musliu. Ajo ceku më tej se hapësira e mjaftueshme në kombinim me bashkëpunimin e mirë në mes të shkollës, nxënësve dhe prindërve, ka dhënë rezultate të lakmueshme. Madje, sipas saj, rezultatet kanë qenë në ngritje përkundër situatës me pandeminë e COVID-19.

 

Në mesin e sukseseve të arritura nga nxënësit e shkollës, drejtoresha Musliu i veçoi nxënëset Dhurata Hasani dhe Nara Doroci, të cilat performuan në mënyrë të shkëlqyeshme në Festivalin e Këngëve Cicërimat, Buzë Ibrit, për çka u vlerësuan lartë. Dhurata Hasani, u nderua me çmimin e dytë, ndërsa Nara Doroci e fitoi çmimin e Debutantes më të mirë. Një tjetër sukses është edhe vendi i dytë në garat për basketboll të organizuara nga Omni Sport. Në garat nacionale për dituri, nxënësi i kësaj shkolle Jon Ibishi ka dalë i pari në nivel komunal ndërsa, në nivel kombëtar Engjëll Haxhikadria ka dalë i pari në Art Muzikor, Rozafa Hajrizi e ka zënë vendin e dytë për Recitim-Teatër. Nxënëset Vlera Gashi, Elsa Hamiti dhe Jona Uka janë shpërblyer me vendin e dytë në nivel komunal në kategorinë e aktrimit. Kurse, Nara Doroci e ka fituar vendin e tretë të Edicionit të Katërmbëdhjetë të Festivalit Pianisti i ri 2021 Prizren.

 

Në pyetjen se cila është pika më e fortë e kësaj shkolle drejtoresha Musliu e veçoi mësimdhënien cilësore dhe aktivitetet përcjellëse. Për këtë, sipas saj, meritë të veçantë kanë të gjithë mësimdhënësit, të cilët janë të kualifikuar për të zbatuar kërkesat e kurrikulës së re të mësimdhënies. Si mangësinë më të madhe ajo e sheh mungesën e bashkëpunimeve ndërkombëtare me shkolla të këtij niveli jashtë vendit, si dhe mungesën e pajisjeve në kabinetin e IT-së dhe gjuhëve të huaja.

 

Krahas sukseseve të sipërpërmendura, puna serioze në këtë shkollë është përcjellë edhe me realizimin e disa projekteve si: fitimi i grantit nga Banka Botërore për pajisjen e kabinetit për Biologji- Kimi-Fizikë dhe atij të Edukatës Muzikore. Trajnimi i të gjithë mësimdhënësve me modulet gjithë përfshirja dhe individualizmi i mësimit për nxënës me nevoja të veçanta, si dhe përdorimi i programeve online në sigurimin e cilësisë në mësimdhënie. “Këndi i leximit” dhe “Stop Bullizmin” janë dy projekte të tjera të realizuara në shkollë. Përmes projektit “Këndi i Leximit” biblioteka e shkollës është pasuruar me 200 tituj të librave me përmbajtje të ndryshme.

 

Drejtoresha Musliu, po ashtu, e bëri të ditur që në të ardhmen e afërt pritet që të realizohet pajisja me mjetet e nevojshme e Kabinetit të Gjuhëve dhe atij të Informatikës. Në fund, ajo i porositi të gjithë të rinjtë e Kosovës se duhet të punojmë të gjithë së bashku në ngritjen arsimore në të mirë të shoqërisë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE