SHFMU “REXHEP ELMAZI” NË GJILAN

 

“Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Rexhep Elmazi” e ka filluar punën si paralele e ndarë e Shkollës Fillore “Selami Hallaqi”, në gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 1982/83 në lagjen ‘Dheu i Bardhë’, në komunën e Gjilanit. Kjo shkollë e nisi punën me katër klasë, prej klasës së I-rë e deri në të IV-ën si dhe një paralele për parashkollor,” kështu fillon ta tregojë historinë e kësaj shkolle drejtori i saj z.Nehat Ramadani. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se me rritjen e lagjes në fjalë, u rrit edhe numri i nxënësve. Kështu që, më 28 shkurt 1992 shkolla u pavarësua dhe aty u bartën edhe nxënësit e klasave të larta (V-VIII).

 

Nga 1211 në 753 nxënës

Në vitin shkollor 1996/97 shkolla u emërua me emrin “Rexhep Elmazi” të cilin e mban me krenari edhe sot. Rritja e shkollës vazhdoi deri në vitin shkollor 2008/09, kur kapaciteti i saj arriti në 1211 nxënës. Që atëherë, ky numër është zvogëluar për më shumë se 30 për qind, dhe rrjedhimisht sot kjo shkollë i ka gjithsejtë 753 nxënës, duke e përfshirë këtu edhe klasën e bashkangjitur dhe fëmijët-nxënësit e integruar. Mësimi zhvillohet në dy ndërrime dhe për mbarëvajtjen e tij kujdesen 54 mësimdhënës, 10 punëtorë ndihmës teknik, drejtori, zëvendës drejtoresha dhe psikologja e shkollës dy ditë në javë.

 

Mungesa e hapësirës – problem serioz

Kur e pyetëm se cili ishte problemi më i madh me të cilin përballet sot kjo shkollë z. Ramadani theksoi se ishte mungesa e hapësirës: “Objekti i kësaj shkolle është ndërtuar në vitin 1982, dhe ne sot na mungon hapësira e mjaftueshme për kabinete dhe aktivitete të tjera jashtë mësimore, aktivitete të lira, muzikë, art pamor, aktivitete letrare e dramatike, etj.” Përkundër hapësirës së kufizuar, falë disa donacioneve shkolla e ka një kabinet për lëndën e TIK-ut, si dhe një kabinet të përzier me tabelë të mençur, mjete për kimi, fizikë dhe biologji si dhe bibliotekën e shkollës. Kjo situatë bën që objekti t’i plotësojë deri diku kushtet për punë. Gjithsesi, kërkesat e kurrikulës përmbushen në tërësi falë punës dhe kualifikimeve adekuate të mësimdhënësve të shkollës.

 

Sukseset nuk mungojnë

Në lidhje me bashkëpunimin me prindërit, drejtori Ramadani theksoi se ka hapësirë për përmirësim. Kjo, sipas tij është e kuptueshme kur kihet parasysh që në ditët e sotme prindërit kanë shumë pak kohë për të qenë të pranishëm në shkollë. Mirëpo, falë teknologjisë moderne, mësimdhënësit mbajnë kontakte të rregullta me prindërit përmes telefonave. Sido që të jetë, kur bëhet fjalë për suksesin e nxënësve ai u shpreh mjaft i kënaqur: “Në garat e fundit që u mbajtën në Kolegjin Mehmet Akif ” në Lipjan, nxënësit tanë (klasa e VIII) rrëmbyen tre vendet e para në matematikë; Tuana Rexhepi, Bleart Mustafa dhe Delina Hasani, si dhe Alba Ibishi vendin dytë në klasën e pestë. Edhe në Testin e Arritshmërisë nxënësit tanë janë në mesin e të parëve, në mesin a artë, ndonëse shkolla jonë është shkollë gjithëpërfshirëse.

 

Shkolla është dritare e jetës

Më tej, z. Ramadani foli për planin e tij që në të ardhmen të përfshijë një numër sa më të madh të nxënësve në planifikimet mësimore, aty ku lejohet, në mënyrë që ata të mos e ndjejnë veten të anashkaluar, por ta ndjejnë veten si subjekt, që mund të arrijnë qëllimet dhe dëshirat e tyre, që ta ndjejnë veten si veprues dhe jo vetëm si vëzhgues. Ndërsa për të rinjtë ai e pati një porosi të thjeshtë: “Shkolla është dritare e jetës – imagjinojeni shtëpinë pa dritare, kjo është jeta pa shkollë.”

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE