SHFMU “SAKIP BELLAQA” NË FSHATIN PATAQAN

 

E rrethuar me vreshtat e pafundme të rrushit, shkolla fillore në fshatin Pataqan të Epërm në komunën e Rahovecit u hap për herë të parë në vitin 1977. Asokohe, hapja e saj u mundësua pas ndërtimit të objektit të shkollës me vetë kontributin e fshatarëve të fshatrave Pataqan i Epërm dhe Nushpal, fëmijët e të cilëve i vijojnë mësimet aty.

 

Shtatë vjet si shkollë e pavarur

Fillimisht, kjo shkollë ishte paralele e ndarë e Shkollës Fillore “Vëllezërit Frashëri” të fshatit Drenoc. Në vitin 2009 u përfundua ndërtimi i objektit aktual dhe më pas nga viti shkollor 2015/16 ky institucion arsimor u pavarësua nga shkolla amë dhe e mori emrin Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët – SHFMU “Sakip Bellaqa”. Krahas faktit që kjo është një shkollë relativisht e re, ajo dallohet edhe për numrin relativisht të vogël të nxënësve, pasi që aty i vijojnë mësimet vetëm 105 nxënës. Përkundër numrit të vogël të nxënësve, mësimi duhet të zhvillohet në dy ndërrime për shkak të mungesës së hapësirës.

 

Sipas drejtorit të kësaj shkolle, z. Avdullah Bellaqa, mungesa e hapësirës është problemi kryesor me të cilin përballen nxënësit dhe mësimdhënësit që ai i drejton. “Për shkak të hapësirës, ne nuk e kemi as edhe një kabinet të vetëm. Mësimdhënësit e shkollës tonë janë në gjendje që t’i përmbushin kërkesat kurrikulare, por na mungojnë kabinetet dhe mjetet e tjera të konkretizimit, të cilat janë shumë të nevojshme për një proces të mirëfilltë mësimor,” tha drejtori Bellaqa. Më tej ai theksoi se për mbarëvajtjen e procesit mësimor kujdesen 23 mësimdhënës, 12 prej të cilëve janë mësimdhënës të përhershëm të shkollës, kurse pjesa tjetër janë mësimdhënës që e plotësojnë normën aty.

 

Hapësira mungon por jo bashkëpunimi me prindërit

Mbase hapësira është e kufizuar, por ajo që nuk i mungon kësaj shkolle është bashkëpunimi dhe mbështetja nga prindërit dhe i tërë komuniteti i këtyre dy fshatrave. Sipas drejtorit Bellaqa, kjo është pika më e fortë e shkollës, dhe falë këtij bashkëpunimi edhe sukseset nuk mungojnë, ndonëse, siç e theksoi ai, gjithmonë ka vend për përmirësim.

 

“Nxënësit e shkollës tonë për çdo vit kanë arritur suksese të mira në garat që i organizon Drejtoria për Kulturë dhe Arsim në Komunën e Rahovecit. Pra, shkolla jonë renditet në mesin e shkollave më të mira të komunës. Po ashtu, edhe këtë vit shkollor, përkatësisht në muajin mars të këtij viti, dy nxënëse të shkollës tonë kanë marrë pjesë në garën e matematikës të organizuar dhe të mbajtur nga Kolegji Mehmet Akif në Prizren. Atje, dy motrat binjake Erisa dhe Enea Makshana, nxënëse të klasës së pestë, kanë dalë të parat me nga 100 pikë të fituara.

 

Largimi i nxënësve nga shkolla tejet shqetësues

Më tej, z. Bellaqa theksoi se një tjetër shqetësim i madh për të është ikja e nxënësve nga shkolla drejt shteteve të ndryshme të Evropës. Madje, siç thotë ai, aktualisht një ndër detyrat më të vështira për të si drejtor i shkollës është përgatitja e dokumenteve të nevojshme për nxënësit që kërkojnë të largohen nga shkolla dhe nga Kosova.

 

Vështirësi ka, por puna nuk ndalet

Përkundër, këtij fenomeni prekës z. Bellaqa thekson se puna nuk mundet dhe nuk do të ndalojë. Rrjedhimisht, projekti kryesor që ai synon ta realizojë është zgjerimi i objektit dhe pajisja e shkollës me kabinete, bibliotekë dhe fushë sportive, në mënyrë që puna e nxënësve dhe mësimdhënësve të jetë edhe më frytdhënëse. Në fund, ai i porositi të gjithë të rinjtë që mos ta braktisin vendin, por të mësojnë, të studiojnë, dhe të punojnë për ta çuar Kosovën përpara, sepse siç edhe ka thënë populli “Guri rëndë peshon në vend të vet”.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE