SHFMU “SHABAN IDRIZI” NË MITROVICË

 

Historia e Shkollës Fillore dhe të Mesme e Ulët (SHFMU) “Shaban Idrizi” në fshatin Zhabar në Komunën e Mitrovicës është shumë interesante dhe emri i saj e reflekton këtë histori. Shaban Idrizi ishte mësuesi i parë i kësaj shkolle kur ajo u hap në vitin 1916. Hapja e saj, asokohe, ishte kulminimi i përpjekjeve disa vjeçare të banorëve të zonës për ta hapur këtë shkollë.

 

Banorët i ngritën dy ndërtesa të shkollës

Drejtoresha e shkollës Saranda Ademi, tregon që kërkesa për hapjen e shkollës ishte aq e madhe sa që banorët e kësaj zone investuan dy herë në ndërtimin e objektit të parë shkollor. “Në vitin 1910, fshatarët e Zhabarit, e organizuan ndërtimin e shkollës. Edhe pse shkolla u ndërtua për këtë qëllim, ajo nuk u përdor për mësim, por mbeti për nevojat e pushtetit të atëhershëm. Në vitin 1915, shkolla u ndërtua për herë të dytë, dhe një vit më vonë, pra në vitin 1916, e filloi punën shkolla e parë shqipe në Zhabar,” deklaroi drejtoresha Ademi.

 

Hapësirë e mjaftueshme dhe punë profesionale

Që atëherë kanë kaluar shumë vite dhe shkolla ka pësuar shumë ndryshime, por pa i mbyllur dyert e saj dhe pa e ndalur punën arsimore. Sot, ajo i ka 484 nxënës, për të cilët kujdesen 27 mësimdhënës dhe 7 punëtorë administrativ dhe teknik. Duke qenë se mësimi zhvillohet në dy ndërrime, drejtoresha Ademi thekson se shkolla ka hapësirë të mjaftueshme dhe është e pajisur me kabinete. Po ashtu, të gjithë mësimdhënësit janë të kualifikuar dhe i kanë vijuar me sukses të gjitha trajnimet përkatëse për të realizuar procesin mësimor në përputhje me kurrikulën e re mësimore.

 

Tradita vazhdon

Siç është cekur në fillim, që nga ditët e para të ekzistimit, lidhja e shkollës me banorët e zonës ka qenë pika e saj më e fortë dhe tradita vazhdon edhe sot. Sipas drejtoreshës Ademi mbështetja e prindërve, nuk ka munguar asnjëherë. Kjo e ka krijuar një atmosferë që i lejon nxënësit që t’i përmbushin nevojat dhe potencialin e tyre. Falë kësaj, dhe faktit që një pjesë e stafit kanë kualifikim superior në fushën e edukimit përfshirës dhe pedagogjisë kjo shkollë është gjithëpërfshirëse. Me fjalë të tjera, asnjë nxënës nuk veçohet dhe çdo fëmijë është i përfshirë në klasa me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre pa marrë parasysh prejardhjen apo nevojat e tyre zhvillimore.

 

Puna shpërblehet me suksese

“Nxënësit tanë kanë arritur suksese si në gara sportive edhe në gara diturie. Së fundmi, nxënësja jonë Erisa Kelmendi doli e para dhe e dyta në gara në atletikë, gjegjësisht në disiplinën e hedhjes së gjyles,” theksoi drejtoresha Ademi e cila vazhdoi duke theksuar: “Ne jemi shkolla e vetme në Komunën e Mitrovicës që është përzgjedhur për zhvillimin e testit ndërkombëtarë në Matematikë dhe Shkenca TIMSS. Po ashtu, shkolla jonë ishte finaliste rajonale në Sfidën e Kodimit MICROBIT që u organizua nga British Council, ndërsa në garat komunale në shah, nxënësit tanë dolën në vendin e tretë.”

 

Mungesa e izolimit të ndërtesës problem serioz

Numri i madh i sukseseve nuk do të thotë që shkolla nuk ka probleme. Përkundrazi, për shkak të izolimit jo adekuat të ndërtesës, gjatë dimrit shkolla është tepër e ftohtë dhe rrjedhimisht shpenzimet për ngrohje janë tepër të larta. Mirëpo, drejtoresha Ademi është optimiste që në të ardhmen e afërt edhe ky problem të adresohet ne mënyrën e duhur.

 

Mësoni dhe lexoni sa më shumë

Në fund, të bisedës sonë drejtoresha Ademi i porositi të gjithë të rinjtë: “Mësoni dhe lexoni sa më shumë për një të ardhme të ndritur. Qëndroni larg dukurive negative, jepni shumë dashuri dhe respekt për shoqërinë të afërmit tuaj, nderojeni dhe duajeni vendin tuaj.”

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE