SHFMU “SHOTË GALICA” NË RUNIK

 

Në qendër të fshatit Runik, buzë rrugës magjistrale Mitrovicë-Istog-Pejë, bie në sy ndërtesa moderne e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët (SHFMU) Shotë Galica. Para se të ndërtohej ky objekt i ri mësimi zhvillohej në një ndërtesë të vjetër, e cila as për së afërmi nuk i plotësonte kushtet për zhvillimin e procesit mësimor. Këtë e ka dëshmuar edhe ekipi ynë në një nga raportimet tona shumë vjet më parë.

 

Objekt i ri për një tempull të vjetër të dijes

“Sipas të dhënave nga njerëzit e moshuar shkolla jonë e filloi punën në vitin 1926. Asokohe mësimi mbahej në dhoma të vogla dhe jo në gjuhën shqipe. Në vitin 1939 filloi mësimi në gjuhën shqipe, dhe mësuesi i parë i shkollës ishte Vasil Vasili nga Vlora e Shqipërisë. Pas luftës se Dytë Botërore, numri i nxënësve rritet në 70 nxënës ku mësues ishin Ramiz Baraku dhe Rrahim Gashi. Në kuadër të shkollës fillojnë të mbahen edhe kurse për zhdukjen e analfabetizmit,” kështu e fillon tregimin e tij për shkollën që ai e drejton z. Rrahim Dervishaj. Ai vazhdoi më tej duke theksuar që në nëntor të vitit 2011, përfundoi ndërtimi i objektit të ri me një sipërfaqe rreth 4.000 m2. Falë këtij investimi nga ana e Ministrisë së Arsimit, kjo shkollë tani ka hapësirë të mjaftueshme për zhvillimin procesit cilësor të arsimit në përputhje me kërkesat e sotme. Po ashtu, shkolla ka edhe hapësirë të mjaftueshme për kabinetet e ndryshme. Mirëpo, furnizimi i tyre me mjetet e nevojshme didaktike lë për të dëshiruar, dhe sidomos kur bëhet fjalë për pajisjet teknologjike si laptopët dhe projektorët për kabinetin e informatikës.

 

Kushtet e mira prodhojnë suksese

Kushtet e mira të mësimit, padyshim që kanë ndikuar edhe në sukseset e nxënësve. Kështu, ndër sukseset e arritura gjatë vitit shkollor 2020/2021, drejtori Gashi e veçoi faktin se tre nxënës të kësaj shkolle ishin finalistë në garat kombëtare për gjuhë angleze të organizuara nga Kolegji Mehmet Akif në Prishtinë. Ndërsa në sport, nxënësit e kësaj shkolle u shpallën kampion komunal në futboll të vogël. “Krahas sukseseve të nxënësve ne në shkollën tonë jemi krenar edhe për funksionimin e mrekullueshëm të trekëndëshit pedagogjik Nxënës-Shkollë-Prindër,” theksoi drejtori Gashi. Ai vazhdoi më tej “Shkolla jonë pikat më të forta i ka bashkëpunimin dhe harmoninë brenda kolektivit, trajtimin e barabartë të gjithë nxënësve pa marr parasysh përkatësinë e tyre etnike, pasi që shkolla jonë i ka edhe dy nxënës të komunitetit RAE.” Bashkëpunimi i mirë me prindërit konfirmohet edhe nga fakti që rishtas kjo shkollë e ri funksionalizuar bibliotekën e shkollës. Ky projekt është arritur falë bashkëpunimit me Komitetin Lokal për Siguri Publike.

 

Arsimi dhe edukata çelësi i suksesit

Vlen të theksohet që krahas shkollës amë e cila gjendet në qendër të fshatit Runik, kjo shkollë e ka edhe një paralele të ndarë në fshatin Syriganë, ku zhvillohet mësimi deri në klasën e pestë. Përndryshe, bashkë me nxënësit në paralelen e ndarë, në këtë shkollë mësimet i vijojnë gjithsejtë 560 nxënës, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit mësimor krahas administratës së shkollës kujdesen 44 mësimdhënës dhe 6 punëtorë teknik. Falë kualifikimeve profesionale dhe përfundimit të trajnimeve përkatëse puna në këtë shkollë zhvillohet në përputhje të plotë me kurrikulën e re mësimore.

 

Në fund drejtori Gashi i porositi të gjithë të rinjtë e Kosovës që të vazhdojnë të punojnë dhe mësojnë fort, por edhe që t’i kushtojnë vëmendje sjelljes së tyre. Sipas tij, është me rëndësi që të rinjtë të mos e harrojnë për asnjë moment se arsimi dhe edukata janë çelësi i çdo suksesi.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE