SHKOLLA E AGROBIZNESIT DHE TEKNOLOGJISË “ZENEL HAJDINI” NË FERIZAJ

 

Në kuadër të strukturës së arsimit të mesëm të lartë në Kosovë, krahas shkollave të mesme si gjimnazet, shkollat teknike, ekonomike, të mjekësisë etj., operojnë edhe të ashtuquajturat shkollat e mesme profesionale. Për dallim nga të gjithë shkollat e tjera të mesme të cilat si qëllim kryesor e kanë përgatitjen e nxënësve për studimet në fakultet, shkollat e mesme profesionale qëllim primar e kanë përgatitjen e nxënësve për tregun e punës, sapo ata të mbarojnë shkollimin e mesëm.

 

Interesim i vogël për këto shkolla

Sipas drejtorit të shkollës së agrobiznesit dhe teknologjisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj, z. Abdullah Imeri, interesimi i ulët i nxënësve është një prej sfidave më të mëdha me të cilat duhet të përballet shkolla që ai drejton dhe simotrat e saj në komunat e tjera. Kjo, sipas z. Imeri vjen si pasojë e mungesës së njohurive të nxënësve, por edhe prindërve për sa i përket përparësive dhe dobive që i kanë këto shkolla.

 

“Fokusi i shkollës sonë është që të përgatisim sa më mirë dhe me kompetencë nxënësit për tregun e punës për të gjitha profilet. Kjo ka bërë që shumica e nxënësve që në klasën e XII-të, menjëherë pas praktikës profesionale të gjejnë vende të punës. Për këtë e kemi edhe evidencën e gjeneratave të kaluara që tregon për suksesin e punës së shkollës sonë,” shtoi z. Imeri. Ai vazhdoi më tej duke theksuar që ky koncept i punës vërehet edhe në mënyrën se si prezantohet apo ekspozohet puna e nxënësve të tyre. Çdo vit brenda shkollës organizohen paraqitje publike të punës së nxënësve varësisht nga profili që nxënësit e vijojnë. Kjo do të thotë që për shembull, nxënësit që janë në profilin e konfeksionit organizojnë sfilata me punimet e tyre. Ndërsa, për Maturantët organizohet edhe ceremoni publike e diplomimit, e cila është e vetmja e llojit të tillë në Kosovë. “Kjo është një lloj gare e cila i mobilizon të gjitha profilet në shkollë për një paraqitje sa më të mirë dhe mundësi të paraqitjes para publikut të gjerë se sa mund të arrihet në përgatitjen e nxënësve në shkollat profesionale.,” tha z. Imeri.

 

Shkolla ka kabinete dhe kuadër profesional

Në vitin shkollor 2021/2022 në shkollën e agrobiznesit dhe teknologjisë “Zenel Hajdini” i vijojnë mësimet 415 nxënës, për të cilët kujdesen 72 mësimdhënës, shatë punëtorë teknik dhe tre punëtorë administrativ. Për shkak të numrit modest të nxënësve, shkolla ka hapësirë të mjaftueshme, por njëherit është e pajisur edhe me nëntë (9) kabinete-punëtori ku kryhet pjesa e punës praktike për profilet që janë në shkollë. Sipas z. Imeri, përmes kabineteve-punëtorive dhe bashkëpunimit me biznese, në kuadër të projektit të “Mësuarit në Vendin e Punës” mundësohet realizimi i pjesës praktike të të nxënit dhe realizimi i moduleve të praktikës të parapara me Kurrikulë.

 

Sa i përket kualifikimit të mësimdhënësve që ligjërojnë në këtë shkollë drejtori Imeri u shpreh tejet i kënaqur pasi që sipas tij, aktualisht në këtë shkollë ligjërojnë edhe mësimdhënës me përgatitje akademike ‘doktor shkence’. Një tjetër përparësi e kësaj shkolle është se trekëndëshi Nxënës-Shkollë-Prind është një prej shtyllave më të rëndësishme, dhe ky bashkëpunim është në një nivel të kënaqshëm.

 

Projekte të vazhdueshme për ngritjen e cilësisë

Duhet theksuar që aktualisht shkollat profesionale në Kosovë janë të detyruara që të operojnë me buxhet të kufizuar. Sepse, realizimi i punës praktike kërkon material shpenzues të konsiderueshëm. Mirëpo, përkundër kësaj në këtë shkollë punohet vazhdimisht në përmirësimin e kushteve për mësim. Projekti i radhës i cili pritet që të realizohet në muajt e parë të vitit 2022 është pajisja e Kabinetit të Kuzhinës me teknologji komplete, si dhe funksionalizimi i një punëtorie për Përpunimin e Drurit,

profil shumë i kërkuar në rajonin e Ferizajt. Në fund të intervistës sonë drejtoi Imeri i porositi të gjithë të rinjtë që të regjistrohen në shkollat profesionale. Sipas tij ato janë një mundësi e shkëlqyer që ata të kenë një të ardhme të sigurt dhe mundësi për zhvillim ekonomik të vendit.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE