SHKOLLA E MESME E LARTË E ARTEVE APLIKATIVE “ODHISE PASKALI” NË PEJË

 

Shkolla e Mesme e Lartë e Arteve Aplikative “Odhise Paskali “ në Pejë, është shkollë me specifika të veçanta, në të cilën vijuan mësimet dhe morën hapat e parë artistik emra eminent të artit, të njohur në Kosovë dhe më gjerë.

 

Për shkak të karakterit të saj specifik, ajo sjellë në gjirin e saj nxënës nga shumë komuna, të cilët e zhvillojnë talentin e tyre artistik, por njëkohësisht edhe i hedhin themelet e karrierës së tyre profesionale. Kuadri mësimor është i tëri i kualifikuar dhe profesional. Dhomat e mësimit, së bashku me atelietë, kabinetet dhe hapësirat tjera për mësim janë të pajisura në përputhje me specifikat përkatëse, dhe për rrjedhojë ato e japin pasqyrën e një shkolle model.

 

Historiku

Zanafillën e punës së kësaj shkolle e hasim në vitin 1948, atëherë kur hapet si shkollë artizanale duke i përfshirë edhe drejtimet të cilat më vonë u bartën në shkollat e tjera, si Shkolla Ekonomike dhe Shkolla Teknike. Prandaj, me të drejtë thuhet se kjo shkollë është ndër më të vjetrat në komunën e Pejës. Më vonë, ajo u shndërrua në shkollë të mesme profesionale të artit, ndërkaq formën që e ka sot e mori në dekadat e fundit, kur edhe u orientua tërësisht në artet aplikative, përkatësisht në drejtimet të cilat ekzistojnë sot.

 

Drejtimet-lëmitë e punës

Drejtimet të cilat i ofron shkolla për vijim të mësimit janë: Dizajn Enterieri; Dizajn Tekstili dhe Veshje; Dizajn Grafik; Formësues Qeramike; dhe Art – Pikturë. Për ndryshe në këtë shkollë i vijojnë mësimet gjithsejtë 260 nxënës, ku 163 prej tyre janë femra.

 

Praktikat profesionale në kuadër të Mësimit në Vend të Punës (MVP)

“Bashkëpunimi shkollë – punëdhënës luan rol themelor në zhvillimin e kompetencave profesionale të nxënësve; në përshtatjen dhe përmirësimin e të nxënit në mjedisin shkollor, në përputhje me kërkesat e profesionit; në përmirësimin e vetëbesimit dhe përshtatshmërinë e nxënësve në situata profesionale; në përmirësimin e punësueshmërisë së nxënësve; në përmirësimin e aftësive profesionale të instruktorëve; dhe sjelë sektorin e AAP dhe punëdhënësve më pranë njëri-tjetrit.”

 

Kështu e shpjegon rëndësinë e praktikës profesionale në kuadër të MVP-së, drejtori i kësaj shkolle z. Kastriot Blakaj. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se mësimi në vendin e punës është një formë e arsimit dhe aftësimit profesional dual për arritjen e kualifikimit profesional, i cili organizohet përmes bashkëpunimit ndërmjet punëdhënësve privat dhe publik dhe institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional, me qëllim që të iu ofrohen mundësi nxënëseve të shkollave profesionale të zhvillojnë dhe arrijnë aftësi dhe të praktikojnë njohuritë e marra nga shkolla në vendin e punës.

 

Sipas z. Blakaj, rëndësia e mësimit në vendin e punës në formimin e nxënësve me kompetencat e nevojshme për punësim të suksesshëm është e padiskutueshme. Po ashtu, po aq e rëndësishme është edhe cilësia e realizimit të mësimit në vendin e punës. Nxënësve duhet t’u krijohen kushte që jo vetëm të marrin pjesë në mënyrë aktive në një shumëllojshmëri të aktiviteteve praktike profesionale në mjediset reale të punëdhënësve, por kjo pjesëmarrje duhet të karakterizohet edhe nga përmbushja e kërkesave që ndërlidhen me parametrat cilësorë.

 

“Praktikat profesionale, respektivisht MVP për nxënësit e kësaj shkolle ka filluar të zbatohet dhe përkrahet nga ITED dhe SOLIDAR SUISSE, si pionier të MVP në Kosovë. Ata janë bashkëpunëtorët tonë të ngushtë për organizimin dhe monitorimin e MVPsë,” shtoi drejtori Blakaj.

 

Kështu në kuadër të MVP-së, aktualisht më shumë se 45 nxënës të kësaj shkolle janë duke e vijuar praktikën në 14 kompani private të Pejës edhe atë në 3 profile që ndërlidhen me shkollën: Dizajn Enterieri; 2. Dizajn i Tekstilit dhe Veshjeve; si dhe Dizajn Grafik.

 

“Praktikat profesionale, respektivisht MVP për nxënësit e kësaj shkolle ka filluar të zbatohet dhe përkrahet nga ITED dhe SOLIDAR SUISSE, si pionier të MVP në Kosovë. Ata janë bashkëpunëtorët tonë të ngushtë për organizimin dhe monitorimin e MVP-së,” shtoi drejtori Blakaj.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE