SHKOLLA E MUAJIT – MËSIMI NË DISTANCË OSE ONLINE!

Çdo muaj në këtë rubrikë ne e prezantojmë një prej shkollave të shumta fillore dhe të mesme të cilat operojnë në Kosovë. Sidoqoftë, për shkak të pandemisë COVID-19, në këtë muaj ne kemi vendosur që të flasim për mësimin në distancë ose online.

 

Mësimi online – mësimi i së ardhmes

 

Ndonëse, kjo metodë e të mësuarit erdhi në pah si pasojë e mbylljes së shkollave për të parandaluar përhapjen e COVID-19, ajo, pa asnjë dyshim në të ardhmen do të jetë po aq e zakonshme sa edhe shkuarja në shkollë në ditët e sotme. Duke qenë se zbatimi i saj erdhi në mënyrë të papritur dhe pa përgatitjet e nevojshme, fillimi i saj nuk ishte aspak i lehtë. Përkundër kësaj, reagimi ishte mjaft i shpejt dhe qysh më 23 mars institucionet më të larta arsimore në vend (Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – MASHTI) me ndihmën e transmetuesit publik të Kosovës (RTK) dhe partnerëve të tjerë filluan që t’i transmetonin orët e para në distancë. Kjo do të thotë se mësimi në distancë filloi vetëm tetë ditë pasi që qeveria vendosi që të gjitha institucionet arsimore në Kosovë të ndërprisnin punën, si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

 

Ndoshta ky është fat në fatkeqësi!

 

Mbase sot, për shkak të rrethanave aktuale që kanë të bëjnë me pandeminë COVID-19 është e vështirë që të shihet si e tillë, kjo fatkeqësi mund të ketë nxitur një nismë tejet pozitive dhe të domosdoshme për zhvillimin e mësimit në të ardhmen. Mundësitë teknologjike për zhvillimin e mësimit në përputhje me kërkesat e sotme për arsim janë të pafundme. Mirëpo, për arsye të ndryshme ato janë shfrytëzuar shumë pak. Pastaj, mund të themi se për herë të parë në histori nxënësit në mbarë Kosovën i vijojnë dhe kanë qasje të plotë në ligjëratat e njëjta, duke siguruar kështu një standard të njëjtë për sa i përket cilësisë së ligjërimit. Po ashtu, mësimi online kërkon më shumë angazhim të prindërve me fëmijët por, edhe punë të pavarur nga nxënësit dhe rrjedhimisht i përgatit ata më mirë për fazat e mëvonshme të arsimimit të tyre dhe sidomos për studimet e tyre. Rrjedhimisht me të drejtë shtrohet pyetja: Cilat janë përparësitë e të mësuarit online?

 

 

 

Përsëritja – Nuk duhet harruar se krahas transmetimit në dy kanalet e sipërpërmendura të transmetuesit publik të gjitha materialet mund të rishikohen sa herë që të keni nevojë përmes platformës https://emesimi.rks-gov.net. Madje, jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në gjuhën turke dhe boshnjake. Një plus më shumë është se të gjitha këto ligjërata mund të plotësohen me materiale të tjera shtesë të cilat gjithashtu, mund të gjenden online.

 

Rehatia – Një ndër debatet më të mëdha kohëve të fundit ka qenë pesha e rëndë e çantave shkollore. Mësimi online e ka zgjedhur këtë problem sa hap e mbyll sytë. Madje, fëmijët jo vetëm që nuk duhet të bartin çantat e tyre por, ata nuk janë më të detyruar as që të qëndrojnë ulur për orë të tëra në karrige të parehatshme. Po ashtu, mos të harrojmë se mësimi nga shtëpia duhet të jetë shumë më pak stresues dhe frikësues për më të vegjlit pasi që ata fillojnë të përshtaten me këtë ndryshim të madh në jetën e tyre nga rehatia dhe siguria e shtëpisë së tyre.

 

Shpenzimet – Duke qenë se shumica e prindërve sot punojnë, shkuarja në shkollë për fëmijët ka kërkuar shpenzime shtesë të cilat varësisht nga rrethanat individuale nuk kanë qenë aspak të ulëta. Pa e përmendur këtu sigurinë e fëmijëve të cilët nganjëherë kanë udhëtuar me mjete të transportit të cilat nuk i kanë përmbushur as kushtet minimale për sigurinë e tyre.

 

Zhvillimi i vetë disiplinës – Fakti se fëmijëve nuk iu kërkohet që të jenë fizikisht të pranishëm në shkollë nënkupton që ata duhet të zhvillojnë vetë disiplinë dhe të tregohen të përgjegjshëm në menaxhimin e kohës dhe detyrave të tyre. Tek e fundit, mos të harrojmë se kjo është një shkathtësi që do t’iu duhet gjatë tërë jetës së tyre.

 

Përshtatja e ambientit të mësimit (qetësia) – Të mësuarit në shtëpi ju mundëson që ambientin e të mësuarit ta përshtatni sipas dëshirës së vet fëmijëve në mënyrë që ata të kenë sa më pak shpërqendrime. Për shumë fëmijë ulja në bankat e fundit ka qenë problem më vete për shkak të zhurmës apo pengimeve nga shokët dhe shoqet e klasës. Përmes mësimit online çdo fëmijë është i ulur në bankën e parë. Pastaj, mësimi online është jashtëzakonisht i përshtatshëm edhe për fëmijët që janë më të turpshëm pasi që ata nuk duhet të brengosen për ndërveprimin e tyre me bashkëmoshatarët apo edhe mësimdhënësit e tyre në klasë.

 

Këto janë vetëm disa prej përparësive që i ofron mësimi online. Jo rastësisht universitetet më me emër në botë janë duke ofruar gjithnjë e më shumë ligjërata dhe kurse studimore online. Sepse, duam apo s’duam ne, mësimi online është e ardhmja dhe ajo që nisi nga pandemia COVID-19 mund të rezultojë në një prej reformave më të suksesshme në arsim jo vetëm në Kosovë por, në mbarë botën.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE