SHKOLLA FILLORE DHE E MESME E ULËT “ANTON SANTORI” NË BITI TË EPËRME

 

Fshati Biti e Epërme në Komunën e Shtërpcës është një fshat tipik malor i cili është i rrethuar me bukuritë dhe peizazhet mbresëlënëse të Maleve të Sharrit. Mirëpo, fakti që ky vend është i rrethuar nga malet, nënkupton që jeta aty nuk është aspak e thjeshtë. Kjo sepse, gjërat që për shumicën prej nesh janë po aq të mirëqena sa edhe ajri që e thithim, si për shembull shërbimet telefonike dhe të internetit, në këtë fshat janë mjaft të vështira për t’u qasur në to. Rrjedhimisht, kur je në këtë fshat të krijohet përshtypja sikur koha ka ndaluar.

 

Shkolla e vogël me halle të mëdha

Kohë më parë ekipi ynë e pati rastin që ta vizitonte këtë fshat, gjegjësisht Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Anton Santori” ku u mirëpritëm me shumë bujari nga drejtoresha e shkollës znj. Lumnie Hyseni së bashku me stafin dhe nxënësit e shkollës. Sipas saj, për herë të parë puna në këtë shkollë ka filluar diku rreth viteve 1946-1947 dhe mësuesi i parë ishte tashmë i ndjeri Ahmet Sllamniku nga rrethi i Gjilanit. Po ashtu, gjatë dekadës së parë të ekzistencës, në këtë shkollë u zhvillua mësimi vetëm deri në klasën e katërt. Mirëpo, për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të nxënësve, në vitin 1960 asaj iu dha statusi i shkollës së plotë fillore. “Para vitit 1999 në këtë shkollë i vijonin mësimet gjithsej 150 nxënës. Mirëpo, pas vitit 1999 numri i nxënësve ka vazhduar të bjerë vazhdimisht dhe sot i kemi vetëm 21 nxënës,” theksoi drejtoresha Hyseni. Në pyetjen se cilat janë arsyet kryesore për një rënie të tillë ajo tha: “Ka shumë arsye pse ka ardhur deri te kjo rënie por, kryesorja do të thosha se ka të bëjë me migrimin e banorëve të fshatit drejt qendrave më të mëdha ku ata kanë mundësi më të mira për punësim dhe një standard jetësor më të mirë.”

 

Miku i mirë në ditë të vështirë

Një tjetër problem me të cilin përballen në këtë shkollë është objekti i shkollës gjegjësisht mungesa e kabineteve dhe mjeteve të tjera të konkretizimit të cilat do t’iu mundësonin arsimtarëve që të zhvillonin mësimin në përputhje me kërkesat e kohës moderne. Gjithsesi, drejtoresha Hyseni mbetet optimiste pasi që atyre shpesh iu del në ndihmë KFOR-i përmes donacioneve të ndryshme. “Që prej ditës së parë ushtarët e KFOR-it na kanë ndihmuar pa asnjë rezervë. Krahas përpjekjeve për siguri, në vitin 2000 KFOR-i na e ka dhuruar një furgon të cilin e kemi përdorur për vite të tëra për transportimin e nxënësve nga shkolla në shtëpi dhe anasjelltas. Pastaj kohë më parë ata na i kanë sjellë edhe disa tabela të bardha falë të cilave ne nuk kemi më nevojë që të shkruajmë me shkumës. Ndërsa në donacionin e fundit KFOR-i i ka siguruar dy kompjuterë dhe një projektor,” shtoi drejtoresha Hyseni.

 

Punë dhe përkushtim për një të ardhme të ndritur

Një arsye tjetër për të qenë optimiste për drejtoreshën Hyseni është edhe bashkëpunimi që shkolla e ka me prindërit dhe mbi të gjitha angazhimi i nxënësve, por edhe i mësimdhënësve për të dhënë maksimumin për të mirën e nxënësve të tyre. Krahas kësaj, të gjithë mësimdhënësit janë të kualifikuar në fushat përkatëse si dhe e kanë të përfunduar me sukses trajnimin për zbatimin praktik të Kurrikulës së re të Kosovës. Në fund të bisedës sonë ajo e pati një porosi shumë të thjeshtë për të gjithë të rinjtë e Kosovës: “Mësoni dhe lexoni sa më shumë për një të ardhme të ndritur, qëndroni sa më larg dukurive negative, dojeni dhe respektoni njëritjetrin, nderojeni Kosovën.”

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE