SHKOLLA FILLORE DHE E MESME E ULËT “NAZIM GAFURRI” NË PRISHTINË

 

Shkolla “Nazim Gafurri” gjendet në pjesën verilindore të Prishtinës, më konkretisht buzë rrugës “Bajram Bahtiri” e cila shpie për në Malësinë e Gollapit. Puna në të ka filluar me 25 mars 1983 si paralele e ndarë e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë. Shkolla tani i ka 1100 nxënës, 56 mësimdhënës, 5 punëtor administrativ, si dhe 11 punëtorë ndihmës dhe teknik. Drejtoresha e kësaj shkolle, Ardianë Makolli Sadiku theksoi se sa i përket objektit, krahas hapësirave administrative, shkolla i ka 25 dhoma mësimi, 3 kabinete, bibliotekën, si dhe sallën e edukatës fizike.

 

Pothuajse katër dekada shërbim në kalitjen e ardhmërisë

“Për këto 38 vjet të punës së saj, shkolla jonë, sikur edhe tërë arsimi në Kosovë, është përballur me një sërë sfidash. Megjithatë, ne i kemi tejkaluar të gjitha këto sfida. Sot, pothuajse katër dekada më vonë mund t’i gëzohemi një pune të madhe edukativo- arsimore në arsimin e gjeneratave të reja, në kalitjen e ardhmërisë së ndritshme,” tha drejtoresha Makolli Sadiku.

 

Bashkëpunimi me prindërit – pika më e fortë

Sipas drejtoreshës, një ndër pikat më të forta të kësaj shkolle është bashkëpunimi me prindërit, gjegjësisht komunitetin. Shkolla e ka një plan për fuqizimin e rolit të prindërve, në kuadër të të cilit janë zhvilluar aktivitete të shumta. Prindërit kanë rol të konsiderueshëm në vendimmarrje dhe monitorim nëpërmjet të përfaqësimit të tyre në këshillin drejtues të shkollës, në këshillat e prindërve, por edhe si pjesëmarrës në takimet e rregullta me mësimdhënës. Mirëpo, ata e kanë mundësinë që të ofrojnë edhe ekspertizën e tyre në mbështetjen e mësimdhënësve për realizimin e temave dhe kapitujve specifik, për të cilët prindërit e posedojnë përgatitjen profesionale. Kështu, ata kanë mbajtur ligjërata në lëndë të caktuara, sugjerojnë tema dhe aktivitete në kuadër të planifikimeve periodike, si dhe i mbështesin nxënësit dhe mësimdhënësit në realizimin e mësimit jashtë shkolle, theksoi në mes të tjerash drejtoresha e shkollës.

 

Sukseset e nxënësve dëshmia më e mirë e punës

“Këtë vit nxënësja e shkollës sonë Elona Shabani e ka zënë vendin e dytë në gara të fizikës në nivel komunal dhe vendin e 5-të në nivel vendi. Kurse, nxënësi Ton Krasniqi e ka zënë vendin e 5-të në gara të matematikës në nivel komunal. Vitin që shkoj nxënësja jonë Elona Shabani e ka zënë vendin e parë në nivel kombëtar në garën e Fizikës,” shtoi drejtoresha Makolli-Sadiku e cila vazhdoi më tej “Po ashtu, shkolla jonë e ka zënë vendin e parë në garën ‘Arti i Riciklimit’, vendin e parë në garën ‘Microbit’ dhe të drejtën për pjesëmarrje në garën regjionale në Beograd. Në vitin 2016 nxënësit tanë kanë qenë kampion në nivel vendi në futboll. Kurse vitin që shkoi grupi i vajzave në futboll është shpallur nën kampion në nivel komunal.”

 

Të punojmë dhe kontribuojmë në zhvillimin e Kosovës

Sipas drejtoreshës Makolli Sadiku këto janë vetëm disa prej sukseseve që i kanë arritur nxënësit e kësaj shkolle. Sipas saj këto suksese janë dëshmia më e mirë e punës që zhvillohet aty. Në fund ajo i porositi të gjithë të rinjtë që me punë mund t’i arrijmë të gjitha, dhe iu bëri thirrje që të punojmë dhe të kontribuojmë në zhvillimin e Kosovës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE