SHKOLLA FILLORE DHE E MESME E ULËT “XHEMAIL MUSTAFA” NË PRISHTINË

 

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Xhemail Mustafa” gjendet në Lagjen Dardania, një prej lagjeve më të mëdha dhe më të populluara në Prishtinë. Rrjedhimisht, me rreth 1132 nxënës, kjo është një nga shkollat më të mëdha të kësaj komune. Përkundër numrit të madh të nxënësve, për sa i përket moshës së saj, kjo shkollë mund të quhet një adoleshente pasi që është themeluar vetëm shtatëmbëdhjetë vjet më parë. Mirëpo, çdo gjë që i mungon për sa i përket jetëgjatësisë, kjo shkollë e kompenson me punë, cilësi në procesin arsimor dhe me sukseset e nxënësve të saj në garat e ndryshme.

 

Rregulli dhe disiplina – tiparet bazë të kësaj shkolle

Gjëja e parë që bie në sy sa i afrohesh kësaj shkolle është rregulli dhe pastërtia si në oborr ashtu edhe brenda vet ndërtesës. Rregulli vërehet edhe kur bëhet fjalë për disiplinën e nxënësve, gjë për të cilën ekipi ynë u bind gjatë vizitës sonë në këtë shkollë. Sipas ushtrueses së detyrës së drejtoreshës znj. Vjollca Jupolli, të gjitha sukseset e arritura në këtë shkollë janë rezultat i punës ekipore, gjegjësisht bashkëpunimit të jashtëzakonshëm në mes të personelit të shkollës, nxënësve dhe prindërve. “Shkolla e jonë është e njohur pikërisht për shkak të bashkëpunimit me prindërit,” theksoi znj. Jupolli dhe vazhdoi më tej: “Që në fillim të vitit shkollor ne e mbajmë një takim ku i zgjedhim përfaqësuesit e klasave. Më pas ata e hartojnë planin e tyre të veprimit ku e përcaktojnë se çka mund të bëjnë si prindër gjatë vitit shkollor. Në çdo aktivitet i kemi shumë mbështetës.”

 

Shkolla ka kabinete të mjaftueshme

Sa i përket objektit të shkollës, znj. Jupolli theksoi se në përgjithësi ai i plotëson kushtet për zhvillimin e mësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës së re. Madje, ajo theksoi se deri në shpërthimin e pandemisë së COVID-19 kjo shkollë ka funksionuar me sistemin kabinetor. Kjo do të thotë se nxënësit kanë lëvizur nga klasa në klasë varësisht nga orari i tyre. Ky model i punës është mundësuar edhe falë faktit që shkolla i ka 6 kabinete – për teknologji, fizikë-kimi, informatikë, biologji, dhe art figurativ. Mirëpo, me futjen në fuqi të masave kundër COVID-19, lëvizja e nxënësve nuk ka qenë më e mundur andaj puna është kthyer në sistemin e vjetër.

 

Klubet e nxënësve, platforma e punës jashtë mësimore

Krahas kabineteve, të cilat falë mbështetjes së Drejtorisë Komunale për Arsim dhe organizatës GIZ kanë qenë të furnizuara me materiale të mjaftueshme, në shkollë veprojnë edhe një numër i madh i klubeve në kuadër të të cilave nxënësit i kryejnë shumë aktivitete jashtë mësimore. Në mesin e këtyre klubeve janë: klubi i shkencave, klubi i ekologëve, klubi i gjelbër, klubi i karrierës, klubi i mediave, klubi i gjuhëtarëve, klubi i muzikës, klubi i artit, klubi i teatrit, etj. Duke i pasur parasysh këto informacione nuk është aspak befasuese që nxënësit e kësaj shkolle radhiten ndër më të mirët në nivel komunal dhe kombëtar si në garat e ndryshme të dijes ashtu edhe për sa i përket rezultateve në Testin Kombëtar të Arritshmërisë.

 

Në fund, znj Jupolli u bëri thirrje të gjithë prindërve dhe mësimdhënësve që të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur gjeneratat e reja. “Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe ne kemi fëmijë shumë të mirë. Ne vetëm duhet t’i motivojmë dhe t’ju japim mbështetje për t’i nxitur që ata të japin maksimumin prej tyre dhe unë besoj se ata janë në gjendje që të realizojnë gjëra të mrekullueshme.”

 

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE