Shkolla Fillore “Emin Duraku” është ndër shkollat e pakta në Kosovë që është e ndarë me objekt, dhe me drejtori sipas niveleve. Kjo do të thotë që shkolla fillore (klasat parashkollore ose niveli 0 dhe klasat 1-5 ose niveli i parë) e ka objektin e saj, dhe shkolla e mesme e ulët (klasat 6-9 ose niveli i dytë) i vijon mësimet në një objekt tjetër të ndërtuar më vonë.
Kjo është një shkollë shumëetnike
Ne e patëm kënaqësinë që për rubrikën Shkolla e Muajit të këtij numri të 4You Magazine të bisedojmë me drejtorin e shkollës fillore z. Fidan Shaqiri, i cili na tregoi se shkolla “Emin Duraku” në Shtime, për herë të parë e filloi punën në tetor të vitit 1941, si shkollë në gjuhën shqipe me mësuesin e parë Rexhep Shpendi.
“Shkolla jonë është në qendër të qytetit të Shtimes, dhe në këtë institucion sot përveç nxënësve shqiptarë, mësojnë edhe fëmijët e komunitetit ashkali dhe rom. Po ashtu, në hapësirat e shkollës sonë është funksionale edhe Organizata Jo Qeveritare ‘Shtime Learning Center’, e cila është pjesë e ‘Ballkan Sunflower Kosova’, organizatë kjo e cila ka për qëllim që t’i ndihmojë nxënësit e komunitetit ashkali dhe romë me mësimet e tyre,” tha z. Shaqiri. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se krahas objektit amë, kjo shkollë i ka edhe tri paralele të ndara, gjegjësisht në Davidovc (Klasat 1-9), Lagjen e Pajtimit (Klasat 1-5), Belincë (Klasat 1-5). Po ashtu, në tria këto paralele funksionon edhe nga një klasë parashkollore.
Investimet në të kaluarën – një bekim i papritur
Objekti i parë i shkollës “Emin Duraku” u ndërtua në vitin 1967 me 8 dhoma mësimi dhe 640 metra katror. Pas kërkesave të mëdha të kohës për hapësira të tjera, në vitin 1985 shkollës iu shtua edhe objekti tjetër me sipërfaqe prej 1640 metra katror. Kurse, në vitin 2008 filloi edhe ndërtimi i një objekti tërësisht të ri të shkollës. Falë investimeve për ndërtimin e këtyre objekteve në të kaluarën, sot është e mundur që kjo shkollë të jetë e ndarë sipas niveleve. Kështu, shkolla fillore (klasat 1-5 së bashku me klasat parashkollore) janë në objektin e vjetër, kurse shkolla e mesme e ulët (klasat 6-9) gjenden në objektin e ri.
Kjo është një shkollë kampione
Kur bëhet fjalë për sukseset e nxënësve, drejtori Shaqiri theksoi se institucioni që e drejton ai me të drejtë e mban emrin shkollës kampione. Suksesi i parë që ai e përmendi ishte pjesëmarrja në garat e robotikës, pasi aktualisht kjo shkollë është duke u përfaqësuar me tri ekipe të cilat gjenden në mesin e pesë ekipeve më të mira në Kosovë, përkatësisht një ekip në vendin e parë, dhe dy ekipet tjera e përcjellin pas. Sukses i njëjtë u arrit edhe vitin e kaluar, ku pas fitores në edicionin e kaluar të garës së robotikës, shkolla u shpërblye më një printer 3D.
Krahas arritjeve në gara, drejtori Shaqiri theksoi se gjatë këtij viti ata kanë arritur edhe që të krijojnë partnerë të rinj për të zhvilluar mësimdhënien dhe për të ndjekur zhvillimin teknologjik. “Kemi përfituar nga British Council që për herë të parë në Kosovë po e zhvillon programin: Mendimi Kritik, Zgjidhja e Problemeve dhe Përdorimi i Micro:Bit për klasat 1-5. Aktualisht jemi në fazën e dytë të projektit, ku mësimdhënësit së bashku me grupet e tyre me nxënës po pilotojnë projektet e para me Micro:Bit,” shtoi z. Shaqiri. Më pas ai theksoi se ata kanë nënshkruar edhe Memorandum Bashkëpunimi me Fakultetin e Edukimit nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” për zhvillimin e trajnimeve, programeve dhe hulumtimeve me bazë në shkollë.
Arsimi në Kosovë ka nevojë për mendim pozitiv
Në fund z. Shaqiri theksoi se rinia janë pasuria më e madhe e Kosovës dhe ne si shoqëri, por në veçanti ekspertët e arsimit duhet të përgatisin një program edukativo-arsimor për t’i përgatitur dhe orientuar këta të rinj për të ardhmen. Sepse, siç e theksoi ai, arsimi në Kosovë ka nevojë për mendim pozitiv.