SHKOLLAT “KUVENDI I VERRAVE TË LLUKËS” DHE “LIDHJA E PRIZRENIT” NDIHMOHEN NGA KFOR-i

 

Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, KFOR-i rregullisht ka ndihmuar institucionet në Kosovë përmes donacioneve të ndryshme. Këto donacione vazhduan edhe gjatë muajit dhjetor të vitit 2020 dhe përfituesit e radhës ishin dy shkolla njëra në Deçan dhe tjetra në Pejë.

 

Pajisje për kabinetin e informatikës në SHFMU “Kuvendi i Verrave të Llukës”

Së pari u ndihmua Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Kuvendi i Verrave të Llukës” në fshatin Llukë e Epërme, komuna e Deçanit. Falë një donacioni të CIMIC-ut (Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak të KFOR-it), më 17.12.2020 kjo shkollë u furnizua me 20 laptopë për kabinetin e informatikës, një makinë për plastifikimin e dokumenteve, si dhe me lodra didaktike për klasën e parashkollorëve.

 

Në lidhje me këtë donacion drejtoresha e kësaj shkolle, Besarta Tahiri Ukaj, tha: “Ne e kemi bërë një kërkesë për pajisje për kabinetin e informatikës, pasi që ato na kanë munguar shumë deri më tani, si dhe për klasën e parashkollorëve. Dua t’i falënderoj përfaqësuesit e KFOR-it për sigurimin e këtij donacioni, i cili është shumë i nevojshëm për ne dhe për nxënësit.”

 

Falënderues dhe entuziastë për këtë donacion ishin edhe nxënësit e shkollës. Valjeta Muçaj, nxënëse e klasës së gjashtë tha: “Jam shumë e lumtur sepse përmes këtyre laptopëve do të mësojmë gjëra të reja, prandaj dua ta falënderoj KFOR-in shumë.” Të njëjtin mendim e kishte edhe nxënësi tjetër, Ideal Sutaj: “Jam shumë i lumtur sepse në këto kushte të pandemisë do të kemi kushte më të mira për të përcjellë mësimin dhe për të mësuar gjëra interesante.”

 

Nëntë dyer të klasave dhe rrethoja e re vetëm një pjesë e donacionit

Me qëllim për të ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së arsimit në Kosovë, më 18.12.2020, misioni i KFOR-it e dorëzoi zyrtarisht një donacion edhe për SHFMU “Lidhja e Prizrenit” në Komunën e Pejës. Edhe ky donacion u realizua në kuadër të projekteve të CIMIC-ut, dhe për këtë shkollë u siguruan pajisje teknologjike për parashkollorët, një televizor, një makinë për pastrimin e dyshemeve, dyert për nëntë klasa, si dhe rrethoja e re e oborrit të shkollës.

 

Jashtëzakonisht falënderues për këtë donacion të KFOR-it ishte drejtori i Shkollës, Valdrin Husaj, i cili tha: “Gjatë kohës së pandemisë kur nuk e kishim të qartë se si do të rridhte situata për fillimin e vitit shkollor, nëse do të ishim prezent në shkollë apo do të kalonim në mësim online, ne kërkuam nga KFOR-i që të na mbështesë me mjete teknologjike dhe me pajisje që kanë të bëjnë me ngritjen e higjienës në shkollë, duke e ditur që si parakusht për parandalimin e pandemisë, ishte edhe mbajtja e higjienës. Ky donacion ka rëndësi shumë të veçantë, sepse ka ndikuar në motivimin tonë shtesë gjatë kësaj periudhe, që të angazhohemi edhe më tepër dhe të ndikojmë në ngritje të cilësisë. Mesazhi im është që asnjëherë të mos dëshpërohemi, sepse jeta është plot me sfida, por gjithherë duke e ditur se kemi një dritare dhe mund t’ia dalim duke mos u dorëzuar asnjëherë.”

 

KFOR-i mbetet i përkushtuar në sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë

Përmes projekteve dhe donacioneve të ndryshme të realizuara për të gjitha komunitetet, KFOR-i po e dëshmon përkushtimin në sigurimin e një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë, për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Mbase, rëndësinë e këtyre donacioneve më së miri e shprehu udhëheqësi i ekipit të KFOR-it në kuadër të LMT K14, togeri Paciolla Anthony, i cili me rastin e dorëzimit të donacionit në shkollën “Kuvendi i Verrave të Llukës” në mes të tjerash theksoi: “Ne jemi duke e realizuar këtë donacion për të mirën e fëmijëve, të cilët janë e ardhmja e Kosovës dhe natyrisht përmes këtij donacioni, nxënësit do të kenë kushte më të mira për të mësuar.”

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE