SHTABI I PËRGJITHSHËM I KFOR-IT NË PRISHTINË E SHËNOI DITËN NDËRKOMBËTARE TË FËMIJËVE

 

Sot është 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve e cila e ka origjinën e saj në Konferencën Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve, e cila u mbajt në Gjenevë në vitin 1925. Që atëherë, në pjesën më të madhe të botës, kjo ditë iu dedikohet fëmijëve për të cilët organizohen aktivitete të ndryshme. Sivjet, 1 Qershori u shënua edhe në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it Film City në Prishtinë, me ç’ rast rreth 30 fëmijë të moshave dhe etnive të ndryshme erdhën për vizitë në këtë kamp.

Pika e parë që këta fëmijë e vizituan ishin zyrat e mediave të KFOR-it, gjegjësisht Radio K4, redaksia e revistës 4You Magazine, dhe TV KFOR-i. Madje disa prej tyre, që nuk e kishin problem që të flisnin para një publiku të panjohur u inkuadruan drejtpërdrejt edhe në programin e Radio K4. Kështu, Lea, Simona, Tiara, Helena, Leo, Majda, Gjoni, Hana, Nikki, Konstantin, Diori, Eli dhe Petar ishin disa prej atyre që i shprehën emocionet për këtë vizitë si dhe ua uruan këtë ditë të shënuar fëmijëve në mbarë botën duke iu uruar shëndet dhe fëmijëri të lumtur.

Pas kësaj vizite përplot muzikë me tinguj të hareshëm të cilët fëmijët me shumë kënaqësi i përcollën me vallëzim në studiot e Radio K4, ishte koha që ata të shkonin që të takoheshin me komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc KAJÁRI. Me këtë rast, komandanti i KFOR-it ua uroi ditën e tyre të gjithë fëmijëve dhe u dëshiroi shëndet, paqe, dhe lumturi.

Pas drekës, këta vizitorë të vegjël i priti edhe një befasi tjetër, gjegjësisht vizita në njërin prej helikopterëve të KFOR-it që është në shërbim këtu në Kosovë. Krahas faktit që të gjithë këtyre fëmijëve iu dha mundësia që të hipnin në helikopter, pilotët me shumë durim u munduan që t’ua shuanin kureshtjen duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që ata i kishin.

Në fund të vizitës Lea Nikshiq i ndau me ne përshtypjet e saj për këtë ditë me këto fjalë: “Jam shumë e lumtur që mora pjesë në këtë vizitë në kampin Film City, sepse sot ishte një ditë shumë më ndryshe se çdo ditë tjetër e jetës sime. Për herë të parë unë sot e pashë nga afër një helikopter. Njëherit, krijova edhe shoqëri të reja me bashkëmoshatarë të mitë. Padyshim, kjo është një ditë që do ta kujtoj gjithmonë.”

Në anën tjetër, Simona Jovanoviq për revistën tonë tha që kishte ardhur për vizitë në KFOR, para së gjithash që të argëtohej. “Sot këtu jam njoftuar me mjaft shumë fëmijë ndonëse bashkë me mua janë edhe disa shoqe dhe shok të mitë. Gjithçka më ka pëlqyer, kemi dëgjuar muzikë të mirë, kemi vallëzuar dhe më pas e vizituam një helikopter. Të gjithë fëmijëve u uroj që të jenë të lumtur, të buzëqeshur dhe të bukur, ndërsa nga ju presim që të na ftoni sërish për vizitë këtu,” tha në fund Simona.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE