SHTATË ZBULIME TË ROMAKËVE TË VJETËR TË CILAT I PËRDORIM EDHE SOT

 

Shumë gjëra të cilat i shfrytëzojmë ne sot janë krijuar qysh në Romën e Vjetër, ndërsa në vijim i gjeni disa prej tyre për të cilat u jemi shumë falënderues.

 

Librat

Ndonëse njerëzit kanë shkruar përpara romakëve, librat ashtu si i njohim sot, ato me kopertina të trasha, janë krijuar në Romë. Ato njiheshin me emrin “codex”, i cili i referohej pikërisht këtyre kopertinave të forta që e mbronin përmbajtjen brenda. Ndonëse këto libra janë krijuar që në shekullin e 1, ato kanë hyrë në përdorim të përgjithshëm në mënyrë relativisht të ngadaltë, ndërsa u kthyen në standard vetëm në shekullin e 4.

 

Banesat (apartamentet)

Koncepti i banesave lindi në Romën e Vjetër si pasojë e popullimit dhe urbanizimit të madh. Arkitektët e asaj kohe me kohë filluan të ndërtonin ndërtesa gjithnjë e më të larta, në të cilat, në njësitë e ndryshme banuese jetonin familje të ndryshme.

 

Gazetat

Sigurisht, nuk bëhet fjalë për gazetat ashtu si i njohim sot, ato as nuk dukeshin njëlloj, kurse për fotografitë as që bëhej fjalë. Gjithsesi, romakët informoheshin vazhdimisht për ngjarjet në perandorinë e tyre. Lajmet më së shpeshti gdhendeshin në gur dhe vendoseshin në vende të frekuentuara. Natyrisht, duhet pasur parasysh që niveli i analfabetizmit ishte i lartë dhe shumica e popullsisë nuk dinin të lexonin se çfarë thuhej në to. Gjithsesi, mbetet fakti që gazetat e para u publikuan në vitin 59 p.e.s. gjatë sundimit të Cezarit.

 

Posta

Duke e pasur parasysh madhësinë e perandorisë, e cila shtrihej në tri kontinente, ishte e nevojshme që të gjendej një mënyrë efikase për komunikim. Transmetimi i letrave shtetërore, por edhe atyre private ishte obligim i shërbimit të korrierëve Cursus Publicus, të cilin e themeloi Perandori August, dhe i cili funksionoi si shërbimi i parë postar në botë.

 

Implantet dentare

Njëqind vjet para erës sonë, shkrimtari romak Celsus e shkroi një udhëzues për mjekësi dentare. Në të ai e përshkroi mënyrë se si të shërohet dhimbja e dhëmbit dhe se si të trajtohet humbja e dhëmbëve. Se romakët merreshin me “stomatologji” e vërteton edhe gjetja e arkeologëve në vitin 1998, ku në Francë u gjetën mbetje njerëzore nga shekulli i 1 ose i 2 të cilat kishin implant dentar të hekurit. Ky implant ishte formësuar saktësisht sipas modelit të dhëmbit të humbur. Dëshmitë për cilësinë e dhëmbëve të romakëve të vjetër janë gjetur edhe në trupat e zbuluar në Pompe.

 

Kondicionerët

Sigurisht nuk bëhet fjalë për kondicionerë ashtu si i njohim sot, mirëpo romakët e kishin një metodë gjeniale për ftohje. Akueduktët e famshëm nuk shfrytëzoheshin vetëm për transportimin e ujit, por edhe për ftohjen dhe ngrohjen e shtëpive të romakëve të pasur. Uji kalonte nëpër gypa që ishin endur nëpër muret dhe poshtë dyshemeve të shtëpive dhe në këtë mënyrë rregullohej temperatura e shtëpive (ose banesave 😊).

 

Proshuta

Ndonëse dëshmitë tregojnë që ishin kinezët të parët që e zbuluan proshutën, ishin romakët ata që e sollën në jetën e evropianëve dhe që e përsosën edhe më tej. Arsyeja ishte nevoja për gjetjen e një mënyre për ta ruajtur ushqimin (mishin) me ditë të tëra në kushte të ndryshme pa u prishur. Mishi fillimisht vetëm kripej dhe terej, dhe kështu gradualisht lindi receta e proshutës, produktit që sot vjen në forma të ndryshme, dhe që shumëkush e konsumon me shumë dëshirë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE