SHTËPIA NGA FILMI HOME ALONE DEL NË SHITJE

 

Shtëpia e famshme në të cilën u realizua filmi i paharrueshëm i viteve të ’90-ta Home Alone, në të cilën familja McCallister e harroi të birin e tyre Kevin vetëm për Krishtlindje tani është në shitje. Që nga shfrytëzimi i saj në këtë film, shtëpia i është nënshtruar renovimeve rrënjësore dhe tani ajo e përfshin edhe një konservator dhe një fushë basketbolli ultra moderne.

 

Kjo është hera e parë që kjo shtëpi është hedhur në treg që nga viti 2012, dhe siç raporton Sky News agjentët e patundshmërive The Dawn Mckenna Group kanë deklaruar se pronarët aktual pothuajse e kanë dyfishuar sipërfaqen banuese të kësaj shtëpie.

 

Shtëpia e përshkruar nga agjentët e patundshmërive si një prej shtëpive më të famshme në botë i ka dy dhoma të ndenjës, një kuzhinë të madhe, garazhin për tri makina si dhe shkallaren e paharrueshme në të cilën u realizua skena e famshme e rrëshqitjes me sajë në të nga protagonisti i filmit dhjetëvjeçari Macaulay Culkin. Shtëpia, e cila gjendet në Winnetka, Illinois në SHBA, i ka edhe pesë dhoma të gjumit dhe gjashtë banja.

 

Në vitin 2021 adhuruesve të këtij filmi klasik iu dha mundësia që të qëndronin në këtë shtëpi, pasi Airbnb e publikoi këtë pronë për qëndrim ekskluziv një natësh, kurse tani ajo është vënë në shitje për 5,25 milionë dollarë amerikan.