SI KRIJOHEN PERLAT?

 

Besimi i përgjithshëm është se perlat krijohen nga kokrrat e rërës që ngecin brenda molusqeve. Ndonëse, ky është një koncept tejet interesant dhe frymëzues, në realitet perlat krijohen kur një objekt irritues mikroskopik ngec brenda molusqeve që njihen si nënat e perlave.

 

Perlat natyrore

Perlat e vërteta natyrore krijohen pa ndikimin e njerëzve, dhe në kushte tërësisht natyrale. Një trup i huaj depërton brenda guacës së moluskut teksa ushqehet, apo përmes shpimit të guacës. Molusku nuk e nxjerr dot jashtë atë andaj fillon që ta izolojë atë duke e krijuar një qeskë rreth trupit të huaj dhe duke tajitur sedef rreth atij trupi, i cili më pas ngurtësohet dhe kështu krijohet perla.

 

Është shumë e vështirë që të gjendet një perlë natyrale “e egër”. Për ta gjetur një perlë të vetme të tillë duhet të hapen dhe rrjedhimisht vriten qindra mijëra guaca. Për shumë shekuj, kjo ka qenë mënyra e vetme dhe për këtë arsye dikur perlat çmoheshin jashtëzakonisht shumë.

 

Në ditët moderne ky problem është zgjidhur me krijimin e fermave për kultivimin e perlave të cilat mund të gjenden në ujëra të ëmbla ose të njelmëta. Rrjedhimisht ekzistojnë perla të ujërave të ëmbla dhe të njelmëta.

 

Prej nga vijnë perlat e kultivuara

Të gjitha molusqet, përmes proceseve natyrore mund të krijojnë një lloj të “perlës”, mirëpo shumica dërmuese e tyre nuk vlerësohen si gurë të çmueshëm. Në fakt janë vetëm katër lloje të molusqeve që kultivohen në prodhimin e perlave të çmuara. Tri prej tyre jetojnë në det dhe njihen si guaca (ose goca të detit) kurse, lloji tjetër jeton në ujëra të ëmbla dhe njihet si midhja e perlave e ujërave të ëmbla.

 

Guacat e detit që prodhojnë perla janë Akoya (Pinctada fucata), Guaca e Tahitit (Pinctada margaritifera), dhe Guaca e Detit Jugor (Pinctada maxima), kurse midhja e ujërave të ëmbla që prodhon guaca është Hyriopsis cumingii.

 

Perlat e ujërave të ëmbla

Pjesa dërmuese e perlave të ujërave të ëmbla sot prodhohet nëpër liqene artificiale në Kinë. Këto liqene janë krijuar enkas duke i përmbytur tokat në të cilat dikur kultivohej oriz. Në të kaluarën këto perla konsideroheshin si inferiore kundrejt perlave të detit, por sot cilësia e tyre është përmirësuar dukshëm dhe madje ato preferohen më shumë nga dizajnuesit e ndryshëm të bizhuterive, për shkak se ato vijnë në ngjyra, madhësi dhe forma të ndryshme.

 

Perlat e detit

Në mesin e perlave të detit (ose ujërave të njelmëta) më të njohurat janë Perlat Akoya, të cilat prodhohen në Japoni. Këto perla, të cilat njihen për shkëlqimin dhe bukurinë unike si dhe formën e përsosur sferike, prodhohen nga guacat më të vogla që prodhojnë perla. Prandaj, Akoyat kanë madhësi më të vogël nga 3 deri në 9 milimetra dhe shumë rrallë mund të rriten deri në 10 ose 10,5 milimetra. Ato e kanë edhe dendësinë më të mirë të ngjyrave dhe për këtë arsye janë zgjedhja e preferuar kur bëhet fjalë për bizhuteritë me perla.

 

Perla është mbretëresha e gurëve të çmuar dhe guri i çmuar i mbretëreshave

Siç e kemi cekur në llojet e perlave që prodhohen dallojnë si për nga madhësia ashtu edhe për nga ngjyra. Për sa i përket madhësisë perlat mund të rriten nga 3 deri në 20 milimetra. Sa i përket ngjyrave, perlat mund të jenë në disa nuanca pastel (të buta) të ngjyrës së bardhë, pastaj të zeza, rozë dhe ngjyrë të pjeshkës e nganjëherë edhe ngjyrë hiri të kaltër.

 

Pa marrë parasysh madhësinë apo ngjyrën e saj, një gjë është e sigurt, falë bukurisë dhe shkëlqimit të tyre unik, shumica dërmuese e perlave do të përfundojë në ndonjë lloj të bizhuterisë që do të zbukurojë duart apo qafën e femrave në mbarë botën.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE