SI TË BËNI FOTOGRAFI TË MIRA?

 

Me paraqitjen e telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale është rritur edhe interesimi për fotografinë. Ndonëse prodhuesit mundohen që t’iu përgjigjen nevojave të konsumatorëve, dhe rrjedhimisht edhe kamerat në këto pajisje nga gjenerata në gjeneratë sa vijnë dhe po përmirësohen, ekzistojnë disa gjëra që vazhdojnë të varen nga ne.

 

Pika e parë që duhet ta mbani mend lidhet me vet prejardhjen e fjalës fotografi. Ajo rrjedh nga fjalët greke “fotos” që do të thotë dritë dhe “grafe” që do të “vizatim ose shkrim”. Rrjedhimisht, fjala fotografi shprehimisht do të thotë “vizatim me anë të dritës”. Dhe është pikërisht drita çelësi i fotografisë së mirë. Ekspertët këshillojnë që asaj t’i kushtoni më së shumti rëndësi, sepse nëse bëjmë fotografi në dritë të papërshtatshme është sikurse të provojmë që ta përdorim një telefon që i është harxhuar bateria.

 

Më pas, është me rëndësi që të theksohet që fotografi të mira nuk janë vetëm fotografitë e peizazheve dhe pamjeve të bukura. Edhe fotografia e një shtëpie të braktisur ose rrugëve të papastra mund të jetë e bukur për sa kohë që ajo përçon emocione.

 

Një tjetër këshillë e rëndësishme për fotografi të mira është që të mos fokusoheni në një tërësi, por vetëm disa detaje. Një shembull i kësaj është një livadh përplot me lule. Një fotografi e tillë, sigurisht do të jetë shumë e bukur. Mirëpo, edhe nëse fotografia fokusohet në një lule të vetme, ajo mund të jetë vërtetë e bukur.

 

Kur bëhet fjalë për njerëzit kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet këndit nga i cili fotografohet. Prandaj, duhet ushtruar syri sepse fotografët më të mirë “kanë sy” për t’i kapur detajet. Andaj, nëse jeni entuziast dhe keni dëshirë që të bëni fotografi të bukura, filloni që të fotografoni gjithçka që ju duket interesante, si dhe provoni që t’i bëni ato nga kënde të ndryshme.

 

Në fund, mos harroni se nganjëherë sekreti i një fotografie të mirë është punë fati – kapja e momentit në mënyrë të përsosur. Por, për ta rritur këtë duhet të provoni të bëni fotografi.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE