SI TË FITONI BURSË?

Të gjithë tashmë e dini se bursat në fushën e edukimit iu ndahen nxënësve dhe studentëve më të mirë, të cilët deri në periudhën e caktuar të shkollimit të tyre janë treguar më të suksesshmit dhe i kanë arritur rezultatet më të mira.

 

Qëllimi i bursave është që t’i stimulojnë nxënësit e mirë që të vazhdojnë shkollimin e tyre ose që të kualifikohen në aspektin profesional. Krahas atyre që i kanë treguar rezultatet më të mira shkollore, bursat shpesh iu ndahen edhe nxënësve që janë të talentuar në ndonjë fushë të caktuar si arti, sporti, gjuhët e huaja, etj.

 

Kush ndan bursa?

Dhënësit e bursave mund të jenë ministritë e ndryshme, qeveritë, kompanitë private, universitetet, shkollat, fondacionet, komunat, dhe kështu me radhë. Krahas institucioneve vendore, dhënësit e bursave shpesh janë edhe persona fizik dhe juridik ndërkombëtar. Në të shumtën e rasteve dhënësit e bursave i shpallin konkurset në në një periudhë të caktuar kohore, dhe shpesh ato përsëriten çdo vit.

 

Kushtet për fitimin e bursës

Për çdo bursë ekzistojnë kushte të caktuara të cilat duhet të përmbushen nga kandidatët potencialë. Madje, për t’u marrë parasysh, gjegjësisht për të hyrë në konkurrencë për fitimin e cilësdo bursë, secili aplikues së pari duhet t’i përmbushë të gjitha kriteret e bursës specifike për të cilën konkurrojnë. Pasi të keni konfirmuar që ju i plotësoni kushtet për konkurrim, atëherë duhet që t’i dorëzoni të gjitha dokumentet e kërkuara, të cilat dallojnë nga një bursë tek tjetra.

 

Krahas dokumenteve të kërkuara, është me rëndësi që të përgatisni edhe aplikacionin tuaj. Me këtë rast lexoni me kujdes të gjitha kërkesat formale dhe jo formale që janë cekur nga dhënësi i bursës. Aplikimi duhet patjetër të jetë i plotë dhe të dorëzohet në kohë sipas radhës së kërkuar. Saktësia gjatë dorëzimit të aplikacionit është me rëndësi, pasi që numri i kandidatëve që do të fitojnë bursë zakonisht është i kufizuar, kështu që zbatimi i rregullave është tejet i rreptë, përndryshe ju mund të s’kualifikoheni përkundër se i përmbushni kriteret për aplikim.

 

Po ashtu, duhet ta keni parasysh që për shkak të interesimit për fitimin e bursave, zakonisht paraqitet një numër i madh i kandidatëve që i plotësojnë kriteret, dhënësit e bursave e parashohin edhe organizimin e disa testeve shtesë. Këto teste mund të jenë akademike, fizike si dhe psikologjike, dhe të gjitha e kanë për qëllim gjetjen dhe përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë.

 

Si fitohet bursa?

Faktori kryesor për të fituar një bursë është këmbëngulja. Një numër i madh i konkurseve për bursa kalon pa u shfrytëzuar për shkak që nxënësit dhe studentët nuk janë në dijeni as që ekzistojnë dhe as nuk dinë si ti gjejnë. Për këtë arsye, është me rëndësi që një kohë të mirë t’ia kushtoni kërkimit. Për këtë mund ta kërkoni ndihmën edhe nga të afërmit e juaj, sidomos nga familja e ngushtë (prindërit dhe motrat dhe vëllezërit). Falë teknologjisë informative kërkimi për bursat ekzistuese nuk është aq i vështirë, por që gjithsesi mbetet një proces që kërkon angazhim dhe kohë nga ana e juaj.

 

Krahas kërkimit, nëse mendoni që të aplikoni për ndonjë bursë, atëherë duhet të filloni të përgatiteni për këtë shumë kohë përpara. Në fakt, si rregull i përgjithshëm për sa u përket bursave është që preferohet që fituesit e ardhshëm të kenë CV (Curriculum Vitae) sa më të pasur. Me fjalë të tjera është e dëshirueshme që kandidatët të kenë vijuar sa më shumë aktivitete jashtëshkollore. Krahas notës mesatare dhe suksesit në shkollë, vlerësuesit për ndarjen e bursave shpeshherë i shikojnë dhe vlerësojnë aktivitetet në të cilat janë të përfshirë kandidatët dhe mënyrat se si ata kanë kontribuuar në komunitetin e tyre. në këtë mënyrë ata i gjejnë personat që dëshirojnë që të kontribuojnë në mjedisin e tyre, që janë proaktiv dhe që janë të gatshëm që të krijojnë mundësi për veten e tyre. Prandaj, mos harroni sa më shumë aktivitete jashtëshkollore që zhvilloni aq më shumë i shtoni gjasat që të fitoni bursën për të cilën ju do të aplikoni në të ardhmen.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE