SPORTISTËT – AMBASADORËT MË TË MIRË TË NJERËZIMIT

Ndër pasojat më të dukshme të përhapjes së pandemisë së COVID-19 është edhe ndërprerja e të gjitha aktiviteteve sportive për më se tre muaj. Gjithsesi, duke i parë zhvillimet aktuale në botë dhe Evropë e posaçërisht në Kosovë, shpresojmë për kthimin e jetëve tona në normalitet. Me fjalë të tjera, porosia #rrinshpi, ndonëse ende e vlefshme, gradualisht ka filluar t’ia lëshojë rrugën porosive #mbajedistancën dhe #qëndronitësigurt. Kështu, kampionatet e futbollit në disa vende, gradualisht kanë filluar të rikthehen, ndonëse pa praninë e tifozëve. Ndërsa, pritet që shumë shpejt edhe sportet e tjera të rikthehen në palestrat dhe shtëpitë tona, përmes transmetimeve televizive. Në këtë mënyrë, sportistët janë duke e dëshmuar me të vërtetë se ata janë ambasadorët më të mirë jo vetëm të një shoqërie mirëpo, të tërë njerëzimit. Po ashtu, gjatë masave të rrepta të izolimit në shtëpi, shumë prej tyre dolën me mesazhe përkrahjeje për unitet në tejkalimin e kësaj sfide globale. Në vijim, mund t’i lexoni porositë e disa prej tyre.

 

MAJLINDA KELMENDI: BASHKË DO TA KALOJMË KËTË SFIDË!

Përshëndetje të gjithëve ne si popull i kemi kaluar shumë sfida. Qëndrimi të mbyllur në shtëpi nuk do të thotë asgjë në krahasim me sfidat që i kemi kaluar. Ju lus nga zemra që të qëndroni në shtëpi për të mirën tuaj, për të mirën e fëmijëve tuaj! Bashkë do ta kalojmë këtë sfidë! Më mirë të qëndrojmë në shtëpi se sa në spital. Kështu që mbajeni pastërtinë dhe lani duart sa më shpesh.

 

ARJANIT MORINA: RESPEKTONI RREGULLAT, POR STËRVITUNI NË SHTËPI

Shpresoj se ky video-mesazh të ju gjejë mirë, të gjithë basketbollistët/et, që nga moshat më të reja U12, deri tek seniorët. Ju lutemi që t’iu përmbaheni rregullave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, të qëndroni në shtëpi dhe banesat e juaja. Por, punoni për të mbajtur formën fizike. Nëse ju lejojnë mundësitë mundohuni që të punoni edhe teknikisht. Besoj se shumë shpejt do të kalojë edhe kjo pandemi dhe ne do t’i rikthehemi lojës sonë të dashur, basketbollit. Dëshiroj që shumë shpejt të jemi së bashku. Duroni edhe disa ditë, sepse shumë shpejt do t’i rikthehemi parketit.

 

ATDHE NUHIU DHE VEDAT MURIQI: QËNDRONI NË SHTËPI PËR TA KALUAR MË SHPEJT PANDEMINË!

Përshëndetje!

Në këtë kohë të vështirë dua që të shfrytëzojë rastin që t’ju drejtohem të gjithëve me apelin #rrininështëpi. Por, po ashtu, dua që të përcjellë edhe një mesazh falënderimi për të gjithë mjekët, infermierët dhe policët të cilët po e japin maksimumin e tyre në këtë kohë të vështirë dhe po e shërbejnë popullin më gjithë kapacitetin e tyre. Së bashku do të kalojmë këtë situatë #rrininnështëpi. Atdhe Nuhiu

Përshëndetje për të gjithë!

Jemi në një situatë jo të mirë, jo vetëm ne por, e gjithë bota. Në këtë situatë të vështirë dua t’ju drejtohem me një apel që të qëndrojmë në shtëpitë tona dhe t’i zbatojmë udhëzimet dhe rregullat e dhëna. Sa më shumë që t’i respektojmë rregullat për mbajtjen e distancës aq më shpejt do ta kalojmë këtë situatë. Gjithashtu, në emrin tim dhe të gjithë popullit tonë, dua të falënderoj mjekët dhe infermierët tanë që po punojnë çdo ditë pa ndërprerë për t’i ndihmuar ata që kanë nevojë. Po ashtu, dua të falënderoj edhe policinë e Kosovës për punën dhe angazhimin e tyre për të na dalë në ndihmë edhe ne. Ju lutem #rrininështëpi se shumë shpejt do ta kalojmë këtë situatë. Vedat Muriqi

 

BERNARD CHALLANDES: NE DO TA KALOJMË KËTË SË BASHKU!

Përshëndetje popullit të Kosovës!

Shpresoj që jeni mirë dhe të shëndetshëm gjatë kësaj kohe të vështirë, jo vetëm për Kosovën por, për tërë Evropën, duke e përfshirë edhe vendin tim Zvicrën, e cila, sikurse Kosova, po përballet me Coronavirusin. Prandaj, në këto kohë të vështira, dëshiroj që t’ju bëj thirrje të qëndroni në shtëpi dhe të qetë për sigurinë shëndetësore për ju dhe familjet tuaja. Ne do ta kalojmë këtë së bashku! Mirëpo, deri në atë ditë është e rëndësishme që të zbatoni masat e ndërmarra nga institucionet tuaja shtetërore, t’i respektoni ato dhe kësisoj ta luftojmë së bashku këtë virus, të cilin do ta mposhtim të gjithë së bashku si një ekip, por me kontributin e secilit prej jush. Ne do t’ia dalim dhe pastaj do të kthehemi për të arritur qëllimet dhe ëndrrat tona, së bashku, të udhëhequr nga vlerat e ekipit tonë kombëtar, që janë disiplina dhe solidarizimi. Kështu ne do të fitojmë! Gjithë të mirat…

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE