Në çfarë mënyre të rinjtë nga Kosova kuptojnë dhe mësojnë për trashëgiminë kulturore që i rrethon? Nga kush mësojnë në lidhje me rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe sa të gatshëm janë që ta pranojnë diversitetin kulturor të fqinjëve të tyre?
Kosova e ka një trashëgimi të pasur kulturore. Vendet e panumërta, të cilat e pasqyrojnë ndikimin e trashëgimisë historike dhe kulturore, mund të gjenden kudo. Kishat katolike dhe ortodokse, “kullat”, mullinjtë dhe urat, xhamitë, banjat turke, fortesat dhe lokacionet arkeologjike i përfaqësojnë të gjitha aspektet e historisë së pasur të rajonit. Qoftë trashëgimi e prekshme si monumente, peizazhe apo vepra arti, apo trashëgimi jomateriale si folklori, muzika dhe traditat e tjera, lidhja e shoqërisë me trashëgiminë kulturore është e ndërthurur dhe e dukshme në çdo hap.
Dymbëdhjetë vjeçarja Ana B. e vijon klasën e gjashtë në shkollën fillore në Kamenicë. Si të gjithë bashkëmoshatarët e saj, ajo zakonisht e kalon kohën e lirë në internet dhe rrjete sociale. Ajo e pëlqen veshjen moderne, muzikën dhe luan volejboll. Ajo është nxënëse e shkëlqyeshme dhe planifikon të studiojë arkitekturë, një ditë. Dashurinë për të e ka trashëguar më së shumti nga gjyshi. Së bashku me të, ata i vizitojnë shpesh shtëpitë e vjetra, të cilat janë me bollëk në lagjen e saj. Gjatë mëngjeseve të relaksuara të së dielave, ajo mësoi shumë prej tij se si dukej jeta në të kaluarën dhe pse ato struktura të vjetra janë të rëndësishme edhe për brezat e tashëm. Duke dëgjuar rrëfimet e gjyshit të saj të moshuar 80-vjeçar, ajo mësoi shumë për trashëgiminë kulturore dhe zakonet në Kosovë dhe trashëgoi dashurinë për strukturat simpatike, por të gjysmërrënuara e të vjetra. “Ne jemi ajo që e kujtojmë. Kujtimi është pjesë e identitetit tonë. Pa kujtim nuk kemi identitet dhe nëse e ruajmë trashëgiminë tonë kulturore, atëherë e ruajmë kujtesën tonë dhe vazhdojmë të ekzistojmë”, thotë gjyshi i Anës, ndërsa na përcjell nëpër korridorin e gjatë të shtëpisë së tij, të cilën e ka trashëguar nga të parët e tij.
Ai i di të gjitha karakteristikat e kësaj shtëpie, e cila besohet se është ndërtuar njëqind e pesëdhjetë vjet më parë dhe e ka një stil arkitektonik të dalluar. Duke buzëqeshur, ai na tregon dritaret me shufra hekura dhe kanata druri, roli i të cilave është që ta mbrojnë brendësinë nga sytë kureshtarë. Ai thekson se ndërtesat e vjetra nuk janë të rëndësishme vetëm sepse janë të vjetra, “janë të çmueshme për shkak të lidhjes që kanë me njerëzit rreth tyre”. Dyshemeja prej druri e kësaj strukture të lashtë kërcet nën këmbët tona dhe ndërsa ecim nëpër këtë ambient, ne i admirojmë ndërtuesit. Nga gjyshi i Anës mësuam se gjithë jetën e ka kaluar në Kosovë, ndaj i njeh shumë mirë veçoritë, kulturën dhe popullin e saj. Ai flet fjalët më të mira për fqinjët e tij dhe shpjegon se çdo periudhë kohore në Kosovë përmban një trashëgimi të pasur etno-kulturore, materiale dhe shpirtërore të epokave të ndryshme historike, e cila dallohet për peizazhin e saj kulturor, arkitekturor dhe gjeografik.
Për shkak të përvojës së madhe të këtij plaku të urtë, ne i kërkuam atij që të na i rekomandojë disa lokacione ku mund të njihemi me karakteristikat unike të Kosovës dhe të arriturat e banorëve të saj në të kaluarën. Ai na i rekomandoi lokacionet në vijim si fillim të kërkimit tonë kulturor:
Muzeu Etnologjik – Prishtinë
Si një nga ndërtesat e fundit që qëndron në këmbë në Tregun e Vjetër në Prishtinë, ndërtesa e Muzeut Etnologjik është e pasur me histori dhe kulturë. E ndërtuar në stilin osman prej guri dhe druri, ajo ishte shtëpia e familjes Gjinolli para se të bëhej muze.
Kalaja e Novobërdës – Novobërdë
Novobërda ishte një nga qytetet më të mëdha mesjetare të shekullit të 14-të. Aty është ndërtuar edhe kalaja e Novobërdës, e cila çdo vit tërheq një numër të madh të turistëve. Përveç kësaj, ajo është e njohur edhe për minierat që ekzistonin edhe para vetë kalasë.
Manastiri i Deçanit – Deçan
Manastiri është ndërtuar në vitin 1335 për nder të Krishtit Pantokrator dhe Ngjitjes së Zotit. Ai bën pjesë edhe në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-së.
Qyteti piktoresk i Prizrenit
Me kështjellën e vendosur në një kodër mbi qytet, xhamitë dhe kishat e bukura dhe lumin Bistrica që gjarpëron mes shtëpive me çati të kuqe, Prizreni është një qytet i kulturës, plot me lokacione të ndryshme. Prizreni është kulturalisht aq i pasur sa pothuajse çdo gur trashëgon historinë e vet dhe ka vlerën e vet kulturore.
Ky është vetëm një numër i vogël i vendeve interesante që na i rekomandoi gjyshi i Anës, përderisa në Kosovë ka edhe shumë të tjera. Lexues të dashur të Revistës 4You, ju ftojmë që të na bashkoheni në një udhëtim nëpër shekuj dhe të njiheni me trashëgiminë kulturore të Kosovës përmes artikujve tanë.
Trashëgimia kulturore dhe pasuria kulturore i përfshijnë të mirat që janë trashëguar nga brezat e mëparshëm, ose që janë krijuar në të tashmen, të cilat kanë vlerë specifike për popullin dhe duhet të ruhen për brezat që vijnë. Këto të mira shpesh janë nën mbrojtje, kanë rëndësi simbolike në ndërgjegjen e njerëzve dhe paraqesin potencial turistik nga ana ekonomike. Trashëgimia kulturore ndikon në identitetin e një vendbanimi, rajoni apo vendi të caktuar dhe kur bëhet fjalë për lokacionet e Trashëgimisë Botërore, ato kanë një vlerë të veçantë për njerëzimin.