TË DREJTAT E GRAVE JANË TË DREJTA NJERËZORE!

 

“Të drejtat e grave janë të drejta njerëzore” – kjo thënie është duke u dëgjuar gjithnjë e më shumë. Synimi i saj është që të theksojë se të drejtat e grave nuk janë diçka e re. Të drejtat e grave nuk janë asgjë më tepër se sa të drejtat e parapara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila është miratuar nga Kombet e Bashkuara rreth 70 vjet më parë. Ky dokument në mes të tjerash parasheh të drejta të tilla si: e drejta për të jetuar të lirë nga dhuna, skllavëria dhe diskriminimi, e drejta për të zotëruar pronë, për të votuar, dhe fituar pagë të drejtë dhe të barabartë. Përkundër kësaj, në botë ekzistojnë shumë vende ku këto të drejta themelore u mohohen grave dhe vajzave.

 

Cilat janë shkeljet më të shpeshta të të drejtave të grave?

Mënyrat më të shpeshta se si shkelen të drejtat e grave janë rezultat i rrethanave të përgjithshme shoqërore që mbizotërojnë në një vend dhe/ose kohë të caktuar. Për shembull, në zonat e luftës dhunimet dhe dhuna seksuale përdoren si mjet i luftës dhe terrorit. Në vendet e varfra, femrat janë shënjestër e trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim të shfrytëzimit seksual në rrjetet e prostitucionit. Në disa prej shoqërive më të zhvilluara femrave iu mohohet e drejta për kujdes shëndetësor reproduktiv. Pabarazia në paga është një fushë tjetër e shqetësimit ku në shkallë globale 77 për qind e grave paguhen më pak se sa meshkujt për punën e njëjtë. Dhuna në familje është një tjet ër problem i pranishëm pothuajse në çdo vend të botës. Këto janë disa shembuj t ë shkeljeve më të zakonshme të të drejtave të grave.

 

Pse është me rëndësi që të luftojmë për të drejtat e grave?

Nuk mund të kemi shoqëri të lirë dhe të barabartë nëse nuk jemi të gjithë të lirë dhe të barabartë. Sipas Kombeve të Bashkuara, barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është vetëm një qëllim në vetvete, por edhe një prej faktorëve kyç drejt arritjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes ekonomike, si dhe paqes dhe sigurisë. Studimet dhe shembujt konkret e kanë vërtetuar se shoqëria përmirësohet për të gjithë kur të drejtat e grave respektohen dhe merren seriozisht.

 

Cili është roli i KFOR-it në marrjen parasysh të nevojave të grave për siguri?

Bazuar në Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, NATO angazhon Këshilltarë Gjinor në të gjitha misionet, sikurse edhe në KFOR. Këta Këshilltar Gjinor sigurohen që të kihen parasysh nevojat për siguri të burrave, grave, djemve dhe vajzave, të cilat nganjëherë dallojnë. Në këtë mënyrë sigurohet një ambient i qetë dhe i sigurt për të gjithë.

 

Si mund të fuqizohen të drejtat e grave?

Vetëdijesimi global në lidhje me rëndësinë e respektimit dhe fuqizimit të grave dhe të drejtave të tyre është në ngritje në mbarë botën, ndonëse ka ende shumë hapësirë për përmirësime. Disa prej mënyrave më të shpeshta për të përmirësuar pozitën e grave në shoqëri tashmë janë në zbatim e sipër dhe në mesin e tyre përfshihen:

Emërimi i grave në pozita udhëheqëse me fuqi vendimmarrëse

Gratë kanë filluar që në mënyrë aktive të përfshihen në industrinë e teknologjisë, prodhimin e ushqimeve, menaxhimin e burimeve natyrore, mirëqenien e familjes, sipërmarrësi, si dhe në ndryshimin energjetik dhe klimatik. Gjithsesi, një pjesë e mirë e tyre vazhdojnë të mos kenë qasje në vende të mira të punës dhe me pagë më të mirë.

 

Investimi në idetë sipërmarrëse

Shumë qeveri të botës janë duke investuar gjithnjë e më shumë në zhvillimin e grave. Kjo është duke u bërë përmes investimeve në shkollim por, edhe në programe të ndryshme profesionale të cilat ua mundësojnë grave që të vijnë me ide sipërmarrëse në fusha në të cilat ato më parë nuk kanë pasur qasje fare.

 

Më sipër u përmendën vetëm disa prej mënyrave se si duhet të adresohet përmirësimi i pozitës së grave në shoqëri. Mirëpo ato nuk janë të vetmet. Ajo që ka rëndësi është që të gjithë ne duhet ta kuptojmë se investimi në mirëqenien e grave është investim në të ardhmen e shoqërisë. Prandaj, është thelbësore që të ndërmerren hapa që e nxisin tërë shoqërinë që t’i thyejë konceptet tradicionale në lidhje me pozitën dhe rolin e grave në shoqëri. Për të arritur qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm është koha që t’i thyejmë barrierat e vjetra dhe të eksplorojmë programe alternative të cilat avokojnë për të drejta të barabarta për gratë dhe të cilat e promovojnë gjithë përfshirjen financiare.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE