TË FLASËSH ME DIKË NE GJUHËN E TIJ ËSHTË SHENJË E KUJDESIT, RESPEKTIT DHE TOLERANCËS

 

Njohja e gjuhëve të huaja ju mundëson që të njihni pikëpamje të ndryshme, të përparoni gjithmonë dhe të mos qëndroni në të njëjtin vend, por kjo njohuri ju mundëson në radhë të parë që të krijoni miqësi. Në Kamenicë, një qytezë në Kosovën lindore, serbët dhe shqiptarët po e mësojnë gjuhën e komunitetit tjetër, duke u përpjekur që t’i kapërcejnë dallimet që i ndajnë, por edhe të rrisin mundësitë e punësimit.

 

Ligjërues janë Bojan Stamenkoviq, i cili u mëson nxënësve shqip, dhe Teuta Kastrati e cila ligjëron serbishten. Në fillim të bisedës për revistën 4You Magazine, ata të dy na thonë se njerëzit që po e mësojnë gjuhën e fqinjëve të tyre do t’i ndihmojë të gjithë që t’i tejkalojnë dallimet, si dhe t’i afrojnë komunitetet në këtë komunë dhe në mbarë Kosovën me njëri-tjetrin.

 

Koha e pandemisë e bëri të pamundur mbajtjen e mësimeve në mënyrë tradicionale, por ata filluan të organizojnë mësime online dhe numri i pjesëmarrësve është vazhdimisht në rritje. Gjatë mësimit, Stamenkoviq i shqipton me kujdes fjalët në gjuhën shqipe. Ai flet rrjedhshëm dhe saktë, kështu që është e vështirë të vërehet se ai nuk po e flet gjuhën e tij amtare. Grupi i tij përbëhet nga nxënës që vijnë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, dhe janë të moshave dhe grupeve të ndryshme etnike.

 

Mësoni gjuhët e fqinjëve dhe mendoni për veten

Sipas tij, fakti që gjuha e tij amtare është serbishtja, ia lehtëson nxënësve të tij mësimin e shqipes. “Jam krenar me të gjithë nxënësit e mi që kanë mësuar shqip në tre vitet e fundit të cilëve u kam dhënë mësim dhe janë më shumë se dyqind të tillë. Më mbushet zemra kur i takoj sot dhe shoh që ata mund të komunikojnë pa problem me fqinjët shqiptarë”, na tha Bojani.

 

Kolegia e tij, Teuta, ua mëson serbishten shqiptarëve që duan ta mësojnë serbisht ose t’i përmirësojnë njohuritë e tyre në këtë gjuhë. Ajo thotë se tekstet nga të cilat mësojnë pjesëmarrësit janë shumë të mira, si dhe që interesimi për kurset dhe numri i pjesëmarrësve është vazhdimisht në rritje. Sipas saj, të rinjtë duhet ta lënë të shkuarën prapa dhe të mos lejojnë që të ndikohen nga ata që e promovojnë ndarjen ndëretnike. Kjo do t’ua mundësojë që të shohin përfitimet e vërteta të të mësuarit të gjuhëve të fqinjëve të tyre, sepse ata shkojnë në shkollë dhe jetojnë pranë njëri-tjetrit.

 

“Mësoni gjuhën e fqinjëve tuaj, mendoni për veten, hiqni qafe stereotipet, mos kini frikë nga ndryshimi dhe shikoni kah e ardhmja. Komunikimi është shumë i rëndësishëm, qoftë në procesin e pajtimit, qoftë në jetën e përditshme. Kjo është pika më e rëndësishme, që çdo gjë tjetër të fillojë”, shton ligjëruesi Bojan Stamenkoviq.

 

Jelena Saviq Rashiq është një nga pjesëmarrëset në kurs, e cila vjen nga Graçanica. Ajo është  punonjëse sociale dhe ka vendosur që të mësojë shqip në mënyrë që punën ta bëjë sa më mirë dhe të ketë komunikim më të mirë me fqinjët. Ajo shton me të qeshur se njohja e saj e shqipes është veçanërisht e rëndësishme kur bën pazar. Do të dëshiroja që të gjithë të rinjtë të mësojnë të paktën bazat e gjuhës së fqinjëve të tyre. “Të flasësh me dikë në gjuhën e tij është shenjë e kujdesit, respektit, tolerancës dhe ofron mundësi të shumta për përparim. Kamenica është multietnike, ashtu si edhe Kosova, dhe njohja e një gjuhe tjetër është thesar”, përfundoi Jelena Saviq Rashiq në fund të intervistës për revistën 4You Magazine.

 

Kamenica, Mamusha, Dragashi, Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut janë pesë komunat e Kosovës që kanë përfituar nga një projekt i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, i mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë, e cila ofron kurse falas të gjuhës shqipe dhe serbe. Kurset në Kamenicë mbahen çdo ditë, dhe organizatorët kanë përpiluar tekste shkollore që ofrojnë njohuri bazë të gjuhës shqipe dhe serbe. Në përfundim të kursit të përfunduar me sukses, pjesëmarrësit marrin certifikata.

 

Kurset organizohen disa herë në vit, dhe të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesëmarrës në kurse online në gjuhën serbe dhe shqipe, mund t’i përcjellin publikimet e kurseve të ardhshme në faqen e OJQ-së Qendra për Iniciativa Sociale – CSI.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE