TË RINJTË DHE MBROJTJA E MJEDISIT

 

Mbrojtja e mjedisit është prioritet për mbijetesën e shoqërisë njerëzore dhe edukimi në kohë i të rinjve për një mjedis të shëndetshëm mund të kontribuojë shumë në këtë.

 

Pothuajse çdo ditë dëgjojmë se si situata në botë, por edhe në Kosovë për sa i përket mbrojtjes së mjedisit nuk është më e mira. Problemi i ndotjes së mjedisit po bëhet një temë që merr gjithnjë e më shumë vëmendje, duke qenë se efektet e saj po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Ajri dhe lumenjtë po ndoten gjithnjë e më shumë, deponitë e egra po mbijnë në brigjet e lumenjve dhe ne nuk jemi as afër që të kontrollojmë efektet e ndryshimeve klimatike. Herë pas here, të gjithë mendojmë se sa mund të kontribuojmë kur bëhet fjalë për këto probleme globale. Veprimet tona individuale ndoshta nuk e bëjnë një ndryshim të madh globalisht, por veprimet individuale të mijëra apo miliona njerëzve janë diçka tjetër. Prandaj, edukimi i të rinjve për mbrojtjen e mjedisit është i një rëndësie të veçantë, pasi që gjeneratat e reja janë pishtarët e së ardhmes dhe është e rëndësishme që qëndrimi i tyre ndaj mjedisit të formësohet në kohën e duhur.

 

Vendi i ekologjisë në kurikulën e sistemit arsimor

Pavarësisht se a flasim për shkollimin formal apo joformal, çdoherë ka vend për edukim. Ka shembuj të shkëlqyeshëm në praktikë dhe një formë e tillë e përfshirjes aktive të fëmijëve për t’u marrë me ekologjinë është t’u mësosh atyre se çfarë do të thotë një mjedis i shëndetshëm, domethënë çfarë e dëmton atë, si dhe organizimi i aksioneve për pastrimin e natyrës dhe mjedisit të afërt. Pjesë e praktikës janë edhe ligjëratat për këtë temë, si dhe aksionet e mbjelljes së pemëve, të cilat janë veçanërisht interesante për fëmijët dhe të rinjtë.

 

Media si mjete edukimi dhe reklamimi

Rinia e sotme është e fokusuar në botën virtuale dhe fakti është se ky është drejtimi në të cilin njerëzimi po ecën me shpejtësi të madhe. Gjersa është e rëndësishme të merret me ridrejtimin e vëmendjes së të rinjve në mjedisin e tyre fizik, ndikimi i mediave dhe rrjeteve sociale mund të jetë i dobishëm si një formë edukimi për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit. Sot organizata dhe iniciativa të ndryshme e reklamojnë nevojën e kujdesit të intensifikuar ndaj mjedisit dhe në këtë mënyrë kjo temë po ngrihet gjithnjë e më shumë tek brezat e rinj. Kështu, të rinjtë po interesohen për mënyrat se si mund të kontribuojnë në kauzën mjedisore, dhe përmes medias ata mësojnë për praktikat e zgjuara në ndjekjen e reduktimit të mbetjeve, efektet pozitive të kursimit të energjisë në mjedis, për ndotësit kryesorë dhe mënyrat për të luftuar kundër tyre, apo diçka të ngjashme.

 

Kthimi në natyrë

Mënyra e jetesës që e kultivojmë, nga njëra anë na ndan nga mjedisi natyror dhe e bën mjedisin natyror pothuajse të huaj për ne, ndërsa nga ana tjetër, pikërisht kjo situatë na zgjon nevojën për t’u kthyer në natyrë. Kjo përpjekje për një mënyrë jetese më të thjeshtë dhe mjedis natyror është shumë e përhapur dhe intensive në mesin e të ashtuquajturës ‘Gjenerata Z’ sot dhe është e rëndësishme që të mbështesim edhe brezat e ardhshëm në këtë dhe t’i edukojmë ata për rëndësinë e natyrës duke qenë në natyrë. Sa i përket të rinjve, kjo praktikë është e rëndësishme për t’i mësuar mënyrat se si ndodhin proceset natyrore dhe që t’i bëjmë ata të kuptojnë pse është e rëndësishme t’i mbështesni dhe të mos i shqetësoni.

 

Rutinat, shprehitë dhe përgjegjësia

Edukimi mjedisor duhet të kryhet gjithashtu përmes praktikës edukative dhe fëmijëve duhet t’u mësohen modele të sjelljes që kanë efekt pozitiv në mjedisin e tyre që në moshë më të hershme. Kjo e përfshin depozitimin e mbeturinave në mënyra miqësore ndaj mjedisit, përpjekjet për minimalizëm dhe një qëndrim të shëndetshëm ndaj blerjeve, si dhe zgjedhjen e paketimit të biodegradueshëm dhe shmangien e produkteve plastike njëpërdorimshme. Ajo që është e rëndësishme është që sjellja e përditshme e prindërve do të vendosë një bazë solide për zakonet e fëmijëve në të ardhmen, prandaj është e rëndësishme të zgjidhni opsionet ekologjike kur zgjidhni një mjet transporti dhe veshje, të flisni për kursimin e energjisë dhe në thelb të shpjegoni të gjitha zgjedhjet e mira dhe lërini hapësirë që fëmijët të bëjnë pyetje të mundshme rreth tyre. E ardhmja e planetit është në duart e brezave të rinj dhe është shumë e rëndësishme që brezi që po rritet dhe edukohet në këtë moment të drejtohet drejt ruajtjes së një mjedisi të shëndetshëm.

 

Ajo që mund të bëjmë ne si individë është të dërgojmë një mesazh për rëndësinë e çështjeve mjedisore me shembullin tonë personal, domethënë të rrisim vetëdijen tonë dhe të të tjerëve për mjedisin sepse në këtë mënyrë ne japim kontribut të rëndësishëm për të gjithë njerëzimin.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE