TENISI NA BASHKON! TË RINJTË NGA BEOGRADI, PRISHTINA, PEJA, PODGORICA – DUKE STËRVITUR SË BASHKU PËR QËLLIMIN E NJËJTË

 

“Të lumtë! Vazhdo kështu! Ti mund t’ia dalësh! Tani më ngadalë, luaj me mend! E shkëlqyeshme, përpara, duro edhe pak!!!”, dëgjohej nga të gjitha anët ndërsa tenistët e rinj pa u lodhur e godisnin topin në dy fusha në Brestovik pranë Pejës, ku së fundmi u mbajt turneu evropian për kategorinë e tenistëve deri në moshën 16 vjeçe. Prindërit dhe miqtë e tyre u brohorisnin nga tribunat, teksa atmosfera e krijuar e krijonte përshtypjen sikur ishim në Uimbelldon (Wimbledon). Sportistët tanë ishin nga rajone të ndryshme, kurse ne e patëm rastin që të takonim disa prej tyre dhe t’i dëgjonim historitë e tyre se si ata vendosën që të vinin dhe si kaluan në këtë turne.

 

Kaq shumë të njohur! Kaq shumë miqësi!

Filip Paviq dhe Dastan Imeri janë tenistë të rinj që vijnë respektivisht nga komuniteti serb dhe shqiptar në Kosovë. Dy djemtë stërviten dhe marrin pjesë në turne së bashku – ata i bashkon dashuria e tyre për tenisin.

 

Filip Paviq jeton në komunën e Novobërdës dhe vjen në Prishtinë disa herë në javë për tu stërvitur me Dastanin në fushën e familjes Imeri. Filipi u dashurua me tenisin duke e shikuar Novak Gjokoviqin. Atij ia dhuruan raketën e tij të parë pesë vjet më parë, kur edhe filloi të stërvitej. Që atëherë, ai i ka fituar mbi 30 turne në kategoritë e tij. Tani, përparimi i Filipit është i dukshëm dhe rezultatet flasin vetë. “Novobërda është 40 kilometra larg, dhe qëkur Dasti dhe unë jemi bërë shokë, ne kemi filluar që të ushtrojmë së bashku. Për mua është shumë e rëndësishme që mund të stërvitem me të pasi që në zonën time nuk ka fusha tenisi, dhe askush tjetër nuk luan tenis,” na tregoi Filipi.

 

Ne e respektojmë ekipin tonë dhe kundërshtarin para vetes!

“Tenisi është një sport që e inkurajon shoqërimin sepse nevojitet edhe një person në anën tjetër të rrjetës. Ai krijon miqësi të reja dhe i forcon miqësitë e vjetra që në moshë të re, miqësi që mund të zgjasin tërë jetën,” thotë 14 vjeçarja Mia Milisavljeviq nga Sokobanja. Ajo luan tenis tash nëntë vite dhe kjo ishte hera e parë që ajo erdhi në Kosovë. Ajo thekson se ishte shumë e kënaqur me atmosferën në Brestovik. Pas këtij turneu ajo shkoi në turneun radhës në Shqipëri. Nga ajo ne e morëm vesh se kishte qëndruar në një hotel në qendër të Pejës, ku edhe e pati mundësinë që të dilte dhe të njihej me njerëzit. “Shoqërimi është shumë i mirë këtu, kam zënë shumë miq nga Kosova, Mali i Zi e Britania e Madhe. Patjetër do të vij edhe vitin e ardhshëm, sepse dua që sërish të mblidhemi të gjithë në të njëjtin vend dhe të ndajmë dashurinë për këtë sport,” tha Mia.

 

Në këtë turne, ne e takuam edhe Stela Xhemoviqin nga Beogradi. Edhe pse ajo është vetëm trembëdhjetë vjeçe, ajo është bartëse e shumë medaljeve të tenisit nga turnetë e ndryshëm. Ashtu si Mia, edhe ajo ishte për herë të parë në Kosovë. Sipas saj, ajo merret me sport sepse në këtë mënyrë, ajo takon njerëz të ndryshëm. “Ne krijojmë një lidhje të veçantë dhe e forcojmë miqësinë dhe shoqërinë,” tha ajo dhe vazhdoi: “Ne do ta mbështesim njëri-tjetrin në fushë dhe jashtë saj. Ne e respektojmë ekipin dhe kundërshtarët tonë dhe nga çdo situatë dalim më të fortë!”.

 

Kreshnik Arifi, është drejtori i këtij turneu, dhe ai ishte shumë i kënaqur. Sipas tij, dobia më e madhe e këtij turneu ishte se sa mirë kaluan me njëri-tjetrin të gjitha ekipet, lojtarët dhe organizatorët. “Ne pamë shumë miqësi, dhe të gjithë këtu krijuan kujtime pozitive nga qëndrimi së bashku si një familje e madhe ku të gjithë e duan tenisin”. Kreshniku vazhdoi me vendosmëri në zërin e tij: “Sporti i bashkon njerëzit dhe i ftoj të gjithë të rinjtë që të merren me sport,” pastaj shtoi duke buzëqeshur: “Gjithmonë them se nuk ka sport të keq, prandaj filloni të merreni me sport”.

 

Organizatorët e turneut “U16 Peja Open 2021” janë: Klubi i Tenisit “Peja”, Shoqata e Tenisit të Kosovës dhe Komuna e Pejës. Këtë vit, ata ishin nikoqirë të rreth 50 tenistëve të rinj nga vende të ndryshme, në kategorinë deri në 16 vjeç.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE