THE FLASH

 

‘The Flash’ është një serial televiziv amerikan me super heronj i zhvilluar nga Greg Berlanti, Andrew Kreisberg dhe Geoff Johns, i cili transmetohet në kanalin televiziv ‘The CW’. Ai bazohet në personazhin e Barry Allen nga ‘DC Comics’, i cili quhet The Flash, një super hero i maskuar i cili e lufton krimin me fuqinë e tij për të lëvizur me shpejtësi mbinjerëzore. Ky serial ka buruar nga seriali tjetër ‘Arrow’, dhe rrjedhimisht, ngjarjet ndodhin në të njëjtin univers imagjinar të njohur si ‘Arrowverse’. Seriali e ndjek Barry Allen, i cili luhet nga Grant Gustin, një hetues i skenave të krimit (forenzikës), i cili fiton shpejtësi mbinjerëzore të cilën e shfrytëzon për të luftuar krimin, si dhe personazhet e tjera që po ashtu kanë fuqi mbinjerëzore.

Fillimisht, ishte planifikuar një testim anësor, mirëpo reagimi pozitiv ndaj Gustin për dy paraqitjet e tij në rolin e Barry Allen në serialin ‘Arrow’, i bëri drejtuesit që të vendosnin për ta zhvilluar një episod të plotë testues për të pasur një buxhet më të madh dhe për të mundësuar mishërimin e botës së Barry Allen në mënyrë më të detajuar. Seriali është xhiruar kryesisht në Vankuver të British Columbia, në Kanadë.

‘The Flash’, e pati premierën në Amerikën Veriore më 7 tetor 2014, dhe episodi i tij testues u bë premiera e dytë më e shikuar në historinë e kanalit ‘The CW’, pas serialit ‘The Vampire Diaries’ në vitin 2009. Seriali, u pranua shumë mirë nga kritikët dhe publiku dhe po atë vit (2014) e fitoi ‘People’s Choice Award’ (çmimin e publikut) si ‘Favorite New TV Drama’ (Drama Televizive e Re më e Pëlqyer). Seriali ‘The Flash’ së bashku me ‘Arrow’ kanë shërbyer si platformë për krijimin e personazheve dhe serialeve të tjera të reja. Në vitin 2020, kanali ‘The CW’ e rinovoi kontratën e këtij seriali për sezonin e shtatë, premiera e të cilit pritet të shfaqet në janar të vitit 2021.

 

Dizajni

Kostumi i ‘The Flash’ është dizajnuar nga Colleen Atwood, e cila i ka dizajnuar edhe kostumet për ‘Arrow’. Ai është i punuar kryesisht nga lëkura, por ka edhe zona me material që zgjatet për t’ia mundësuar Gustinit përkuljen. Fillimisht Gustin-it i duheshin 40 minuta për ta veshur kostumin e tij, pasi maska e parë ishte  një protezë e cila duhej të mbyllej dhe ngjitej në fytyrën e tij. Në episodin e tetë, kjo kohë u reduktua në rreth 15 minuta, pasi që dizajnuesit arritën që të krijonin një maskë të re e cila tërhiqet në fytyrën e Gustin-it dhe qëndron në vend.

 

Reagimi i kritikës

Faqja përmbledhëse e vlerësimeve ‘Rotten Tomatoes’ ia dha sezonit të parë një shkallë të miratimit prej 92%, ku vlerësimi mesatar ishte 7,75/10 në bazë të 63 vlerësimeve. Në konsensusin e kësaj faqeje thuhet se: “seriali përfiton nga atmosfera e cila është qëllimisht e lehtë, dhe e cila e bën këtë një serial unik me superheronj të pëlqyer nga adhuruesit e këtij zhanri por, edhe adhuruesit e rinj.” ‘Metacritic’, që e përdor një mesatare të peshuar ia ka dhënë 73 pikë nga 100, në bazë të 27 vlerësimeve, gjë që nënkupton vlerësime përgjithësisht pozitive. Vlerësuesi i episodeve javore, Scott Von Doviak i dha vazhdimisht vlerësime të larta sezonit të parë, kurse episodit të tij të fundit i dha notën A, duke e quajtur këtë episod “shumë të kënaqshëm” dhe e vlerësoi serialin lart, sepse: “ia ka arritur që të kap shpirtin e materialit bazë në një mënyrë argëtuese dhe të lehtë, gjë që shumë pak ekranizime të tjera të librave me vizatime e kanë arritur.”

 

Shpërblimet

Seriali ‘The Flash’ është nominuar për këto çmime: gjashtë nominime BMI Film, TV & Visual Media Awards (i ka fituar të gjitha), dy nominime Hollywood Post Alliance Awards, një nominim Hugo Award, shtatëmbëdhjetë IGN Awards (i ka fituar katër), dhjetë nominime Kids’ Choice Awards, gjashtëmbëdhjetë nominime Leo Awards (i ka fituar pesë), dy nominime MTV Movie & TV Awards, katër nominime  People’s Choice Awards (e ka fituar një), një nominim Primetime Emmy Award, gjashtëmbëdhjetë Saturn Awards (i ka fituar gjashtë), një nominim TCA Award, njëzeteshtatë Teen Choice Awards (i ka fituar gjashtë), një nominim TV Guide Award (e ka fituar), dhe një Visual Effects Society Award. Seriali, po ashtu, e mban rekordin botëror në Librin Gines të Rekordeve për “Serialin televiziv më të kërkuar me super heronj” dhe “Serialin televiziv aksion dhe aventurë më të kërkuar”.

Në vitin 2016, Revista ‘Rolling Stone’ e radhiti si të 23 në listën e saj të “40 Serialeve Fantastiko-Shkencore më të Mira të të Gjitha Kohërave”.

 

Përfundimi

Deri tani – mrekullueshëm. DC e ka bërë një punë të mrekullueshme për serialet e veta televizive. Fatkeqësisht, këtë nuk e ka bërë edhe për filmat e vet.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE