THIRRJE PËR DHEMBSHURI NDAJ QENVE ENDACAKË

Qentë endacakë janë një çështje e përhapur në shumë shoqëri moderne dhe problemi ka tendencë të jetë më serioz në zonat ekonomikisht më pak të favorizuara. Qentë kanë një shkallë të lartë riprodhimi, me dy pjellë në vit, dhe mungesa e fondeve publike për të mbështetur programet e kastrimit, sterilizimit dhe masave të tjera të kontrollit të kafshëve kontribuon në rritjen e pakontrolluar të popullsisë së tyre.

 

Qentë endacakë dhe kërcënimi i sëmundjeve

Rritja e numrit të qenve endacakë rrit rrezikun që njerëzit, veçanërisht fëmijët, të sulmohen dhe të infektohen potencialisht me sëmundje të bartura nga këta qen, duke e përfshirë tërbimin. Megjithatë, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme jo shumë të suksesshme të Kosovës për të kontrolluar popullatën e qenve endacak, lajmi pozitiv është se deri më tani nuk është raportuar asnjë rast i sëmundjeve të bartura nga qentë, siç është tërbimi. Ky rezultat është dëshmi e përpjekjeve të agjencive dhe OJQ-ve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të cilat i kanë trajtuar dhe sterilizuar qentë endacakë tash e sa vite.

 

Trendi shqetësues i helmimit të qenve endacakë

Ndërsa i pranojmë problemet që lidhen me qentë endacakë, kohët e fundit ka pasur një rritje të një praktike mizore dhe potencialisht të rrezikshme, gjegjësisht helmimit të qenve endacakë nga individë. Marrja e ligjit në duart e veta nga ana e individëve nuk mund të justifikohet kurrë, pavarësisht qëllimeve apo rrethanave. Siç thotë proverbi i vjetër, “Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”. Për më tepër, përdorimi i helmit mund të çojë në pasoja të po aq e mbase edhe më të rënda.

 

Efektet e vazhdueshme të përdorimit të helmit

Një aspekt kritik i helmeve është se ato nuk zhduken, por treten në tokë, ujë, apo edhe në ajër. Kjo paraqet rrezik jo vetëm për kafshët e tjera, por edhe për njerëzit që banojnë në zonat ku janë të pranishme këto helme të përqendruara. Problemi nuk përfundon me vdekjen e qenit sepse helmi mbetet në sistemin e tyre. Kur kafshët dhe insektet e tjera bien në kontakt me kufomat, i gjithë ekosistemi mund të prishet. Për më tepër, depërtimi i këtyre helmeve në burimet ujore sipërfaqësore ose nëntokësore mund të ketë efekte afatgjata për vitet në vijim.

 

Refuzimi i mizorisë dhe përqafimi i zgjidhjeve të dhembshura

Përveç rreziqeve të shumta që lidhen me përdorimin e helmit kundër qenve endacakë, është thelbësore të mos anashkalohet se ky akt është në thelb i tmerrshëm dhe mizor. Asnjë qenie e gjallë, qoftë njeri apo kafshë, nuk meriton t’i nënshtrohet praktikave të tilla të dhimbshme si helmimi. Përveç vuajtjeve të padurueshme që shkakton, helmi vepron ngadalë, duke bërë që objektivi i synuar të përjetojë një vdekje të dhimbshme dhe të zgjatur. Me fjalë të tjera, është torturë dhe shoqëria nuk mund ta pranojë atë.

 

Promovimi i veprimit pozitiv dhe ndërgjegjësimit

Si arritëm në këtë pikë dhe çfarë duhet të bëjmë më pas? Së pari, kjo është një çështje sociale dhe nuk mund të fajësojmë vetëm një institucion apo agjenci të caktuar; ne të gjithë e ndajmë përgjegjësinë. Prandaj, secili prej nesh duhet të kontribuojë. Për shembull, sa prej jush janë angazhuar në punë vullnetare ose kanë menduar të japin një donacion për një OJQ ose agjenci të dedikuar për trajtimin e çështjes së qenve endacakë? Është e lehtë të shpërndash video online të qenve që i sulmojnë njerëzit, pasi jetojmë në epokën e internetit ku çdokush mund të arrijë moshatarë të panumërt. Prandaj, është thelbësore të tregojmë kujdes në lidhje me përmbajtjen që e ndajmë në internet. Përdorimi i fjalëve si “virale” për të përshkruar video të caktuara, audio ose përmbajtje të shkruar mund të duket tërheqës, por ato duhet të konsiderohen si një ortek që shkatërron gjithçka në rrugën e tij. Sa prej nesh kanë shpërndarë përmbajtje që promovojnë punë dhe praktika pozitive që synojnë trajtimin e kësaj çështjeje si shoqëri?

 

Përqafoni zgjidhjet e mëshirshme

Si përfundim, çështja e qenve endacakë kërkon dhembshuri dhe veprim pozitiv nga të gjithë anëtarët e shoqërisë. Ndërsa popullsia në rritje e qenve endacak paraqet sfida, tendenca shqetësuese e helmimit të qenve endacak kërkon vëmendje të menjëhershme. Helmimi jo vetëm që përjetëson mizorinë, por gjithashtu paraqet rreziqe për mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Në vend që t’u drejtohemi metodave të tilla çnjerëzore, ne duhet të refuzojmë mizorinë dhe të përqafojmë zgjidhje të dhembshura. Secili prej nesh e ka një rol për të luajtur në adresimin e kësaj çështjeje, qoftë përmes punës vullnetare, donacioneve për organizata të përkushtuara, apo promovimit të praktikave pozitive dhe ndërgjegjësimit në internet. Së bashku, ne mund të bëjmë një ndryshim dhe të krijojmë një shoqëri që e vlerëson mirëqenien e të gjitha qenieve të gjalla, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE