THONI JO HEDHJES SË USHQIMEVE!

 

Vlerësohet se në nivel botëror njerëzimi i hedh në mbeturina rreth 1,3 miliardë tonë ushqime në vit, të cilat e kapin një vlerë prej 700 miliardë Euro. Kurse vetëm në nivelin e Bashkimit Evropian çdo vit hidhen 88 milionë tonë ose 143 miliardë Euro ushqime.

 

Krahas qindra e mijëra specieve (pemëve, perimeve, kafshëve, kërpudhave, etj.) që ne i përdorim drejtpërdrejt si ushqim, spektri i specieve të tjera, që janë thelbësore për prodhimin e ushqimit duke filluar nga polenizuesit që e mundësojnë riprodhimin e mbjelljeve e deri te mikroorganizmat që e pasurojnë tokën, është edhe më i gjerë. Nëse ne nuk e ruajmë këtë biodiversitet të pasur, ne nuk do të arrijmë që të mposhtim urinë deri në vitin 2030, që është edhe një prej Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

 

Problemi i hedhjes së ushqimeve në mbeturina shkon krah përkrah me problemet e ndryshimeve klimatike dhe plastikës nëpër oqeane. Kjo për arsyen e thjeshtë se prodhimi i këtyre sasive enorme të ushqimeve e nënkupton edhe shfrytëzimin masiv të burimeve të tjera primare si tokës bujqësore, ujit për vaditje si dhe energjisë (naftës, rrymës). Kështu, prodhimi i ushqimit është një prej faktorëve kryesor që e rrit drejtpërdrejt ndikimin e njerëzimit në mirëqenien e planetit tonë.

 

Pastaj, prania e mbeturinave të ushqimeve e ka edhe një ndikim tjetër të padurueshëm në deponitë e mbeturinave, pasi gjatë procesit të kalbjes së tyre ushqimet e lirojnë gazin e metanit, që është tejet helmues.

 

Njëkohësisht, përderisa sot në botë rreth 850 milionë njerëz janë mbipeshë, rreth 9 milionë njerëz vuajnë nga uria. Prandaj, për ta ndryshuar këtë statistikë është e domosdoshme që të gjithë ne të fillojmë të veprojmë. Fillimisht, mbështetni ndryshimet sistematike dhe thoni prerazi JO hedhjes së ushqimeve.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE