TIFOZËT E VALENCIAS QË E OFENDUAN VINICIUS JR. DËNOHEN PËR ABUZIM RACOR

Pas një sërë rastesh të abuzimeve racore mjaft të rënda të drejtuara ndaj Vinicius Jr., sezoni futbollistik 2022-2023 në Spanjë kulmoi me një incident mjaft të shëmtuar në ndeshjen Valencia – Real Madrid. Incidenti ndodhi pasi që lojtari në fjalë përfundoi duke u përballur me tifozët e Valencias, për shkak të ofendimeve racore që disa prej tyre i kishin drejtuar ndaj tij. Në përfundim Vinicius u ndëshkua me karton të kuq, dhe disa ditë më vonë ai përfundoi duke qarë gjatë një konference për shtyp kur u pyet në lidhje me këtë çështje. Mirëpo, me sa duket: “Qesh më ëmbël ai që qesh i fundit.”

 

Shqiptohen dënimet e para për racizëm në futbollin profesionist në Spanjë

Mediat e ndryshme në Spanjë dhe mbarë botën, raportuan dje se pas rreth një viti gjykatat spanjolle i shpallën fajtorë dhe i dënuan me nga tetë muaj burgim secilin prej tre tifozëve të Valencias, të cilët u deklaruan fajtor gjatë procedurave në fjalë.

 

Në lidhje me këtë vendim Vinicius Jr. deklaroi në platformën X se “Dënimet e para penale në historinë e Spanjës për abuzim racial nuk janë një fitore për të, por për të gjithë njerëzit e zinj. Racistët e tjerë le të kenë frikë, turp dhe le të fshihen në hije. Përndryshe, unë do të jem këtu për t’iu kërkuar llogari. E falënderoj LaLiga dhe Real Madridin për ndihmën e tyre në këto dënime historike.”

 

Krahas dënimeve me burg edhe dënime të tjera

Krahas dënimit me burgim të tre individëve, po ashtu, iu shqiptuan edhe ndalime për hyrje në çfarëdo stadiumi ku zhvillohen ndeshje të LaLiga apo ndeshje të organizuara nën juridiksionin e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF).

 

LaLiga, e cila e dorëzoi raportin fillestar që çoi deri në nisjen e rastit penal, deklaroi që edhe klubi i Valencias kishte bashkëpunuar gjatë hetimeve dhe i kishte përjashtuar që të tre individët nga anëtarësia e klubit.

 

LaLiga dhe Real Madrid po ashtu e konfirmuan se gjatë seancave dëgjimore të tre të paditurit e lexuan edhe një letër kërkim faljeje për Vinicius Jr.