TIGRI I FUNDIT I TASMANISË

 

Tigri i Tasmanisë, ujku marsupial, tilacini (thylacin), apo ujku i Tasmanisë (latinisht Thylacinus Cynocephalus) ishte marsupiali mishngrënës më i madh i kohëve moderne, të cilin e kanë shfarosur njerëzit në shekullin e njëzet. Dikur ai jetonte në Australi dhe në Guinenë e Re, ndërsa vendbanimi i tij i fundit ishte Tasmania. Në këtë ishull nuk jetonte konkurrenti i tij kryesor dingoja (lloj i qenit të egër), prandaj kjo specie mbijetoi atje deri në arritjen e evropianëve.

 

Për nga pamja ai dukej si një ujk apo qen, por në shpinë i kishte disa shirita të ngjashëm me ato të tigrit. Trupi i ngjashëm i tigrit të Tasmanisë me qenin është pasojë e evolucionit konvergjent (kur dy lloje, që nuk janë të lidhura me një paraardhës të përbashkët të kohëve të fundit, bëhen më të ngjashme), pasi që këto dy specie nuk kanë lidhje të afërta. Si femra ashtu edhe mashkulli i këtij marsupiali e kishin qesen, e cila shërbente për mbrojtjen e pasardhësve. Po ashtu, kjo specie kishte nofulla të cilat mund t’ i hapte deri në 120 shkallë, kurse lëvizjet i kishte të ngjashme me kërcimet e kangurit (marsupialit tjetër më të njohur në botë).

 

Tigri i Tasmanisë ishte lloji i fundit i mbijetuar nga familja Thylacinidae dhe rendi Thylacinus. Në Tasmani, ai mbijetoi deri në vitet 1930, kur më në fund u shfaros nga gjuetia si një dëmtues që i sulmonte delet. Po ashtu, atij iu shkatërrua edhe habitati si dhe u përball me konkurrencën nga qeni. Edhe një sëmundje e panjohur infektuese e uli në mënyrë drastike numrin e tyre.

 

Individi i fundit i kësaj specie ngordhi më 6 shtator 1936 në kopshtin zoologjik të Hobartit në Tasmani. Që atëherë ka pasur raportime të pakonfirmuara për hasjen e tyre, mirëpo në vitin 1986 tigri i Tasmanisë u shpall si një specie e zhdukur. Në vitin 1999, u nis një projekt për klonimin e tigrit të Tasmanisë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE