TOKIO QYTETI I DRITAVE TË NEONIT

 

Dritat e neonit në Tokio janë një pamje tejet e veçantë. Ato janë të ndezura tërë natën shtatë netë në javë dhe ato janë aq të shndritshme sa që të krijojnë përshtypjen se qyteti nuk fle fare. Reklamat me dritat e shndritshme të ngjitura në muret e pothuajse çdo ndërtese janë një atraksion më vete që duhet parë. Përkundër se janë të shpërndara në tërë qytetin e Tokios, në vijim mund të lexoni për pesë zonat më interesante për ta përjetuar këtë fenomen.

 

Shinjuku

Kjo është mbase pjesa më e famshme për t’i parë dritat e neonit në Tokio. Ato janë kudo, por ç’ është edhe më e rëndësishme kjo është një zonë përplot me njerëz pasi që ky është një stacion përfundimtar i trenave në Tokio, andaj mijëra njerëz kalojnë andej çdo ditë. Po ashtu, kjo është edhe një zonë tregtare me dhjetëra dyqane të mëdha, qindra restorante, disa kinema, dyqane karioke dhe një park “Shinjuku Gyoen”. Për t’i parë nga lart dritat e kësaj zone pika më e mirë është ndërtesa e Observatorit të Ndërtesës së Qeverisë Metropolitane të Tokios.

 

Shibuya

Kjo është një nga zonat dhe një nga pamjet më të njohura të Tokios falë udhëkryqit të famshëm në të cilin kalojnë me qindra këmbësorë nga të katër drejtimet e tij pa u shndërruar në kaos total. Nëse shikohet nga lart, ky fenomen duket si një qilim me njerëz që lëvizin. Kjo pamje bëhet edhe më e jashtëzakonshme natën me dritat e neonit që vezullojnë në sfond. Shibuya është zonë e njohur edhe për jetën e natës dhe grumbullimin e të rinjve.

 

Ikebukuro

Ikebukuro është një tjetër zonë ku mblidhen shumë njerëz, posaçërisht gjatë fundjavave. Kjo zonë është e njohur edhe për ndërtesën ‘Sunshine City’ e cila është qendër tregtare, por që brenda saj e ka edhe një hotel, një akuarium, observator dhe madje edhe një planetarium. Po ashtu, në afërsi të saj gjendet edhe një Qendër Pokemon ku mund të blihen lodra për fëmijët. Observatori i Sunshine City është një prej vendeve më të mira prej ku mund të shikohen dritat e neonit.

 

Yurakucho/Ginza

 

Kjo është një zonë më e sofistikuar në krahasim me tri zonat e mësipërme. Edhe këtu ka dyqane të mëdha dhe vende për të ngrënë, por nuk duket po aq e ngarkuar ose kaotike. Kjo zonë është më e përshtatur për të rriturit dhe jo për të rinjtë. Distanca në mes të Yurakucho dhe Ginza është vetëm pesë minuta në këmbë. Qendra e kësaj zone është Chuo Dori, një rrugë e madhe në të cilën gjatë fundjavave ndalohet qarkullimi i trafikut nga ora 12: deri në orën 17:00. Gjatë kësaj kohe rruga mbushet me këmbësorë që kalojnë nga njëra shitore në tjetrën. Ndërsa, gjatë mbrëmjes pamja e rrugës ndryshon tërësisht nga ndezja e dritave të neonit në të dyja anët e rrugës dhe makinat që kalojnë ngadalë andej.

 

Odaiba

Odaiba është zona ballore e Gjirit të Tokios. Ajo gjendet në një ishull artificial në Gjirin e Tokios dhe mund të qaset përmes linjave të metrosë të Tokyo Rinkai Line ose Yurikamome Monorail që kalojnë nëpër urën e famshme të ylberit. Pothuajse të gjithë thonë që Ura e Ylberit është simboli i zonës së Odaiba. Por, mos u mashtroni, pasi që ajo nuk është e lyer me ngjyrat e ylberit siç mund të nënkuptohet nga emri i saj. Në fakt, ngjyra e saj është e bardhë, dhe natën ajo ndriçohet me drita, të cilat në kombinim me dritat e neonit në sfondin e saj e kthejnë atë në një pamje të mrekullueshme. Gjatë periudhës së posaçme nga fillimi i dhjetorit deri në fillim të janarit, dritat i marrin ngjyrat e ylberit, duke e bërë kështu Urën e Ylberit realiteti.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE