TOLERANCA – ÇELËSI I BASHKËJETESËS NË PAQE!

 

Nëse e bëjmë një kërkim në internet për tolerancën, përgjigjja më e zakonshme dhe më e thjeshtë që do të marrim është se ajo është të qenët të durueshëm, mirëkuptues dhe pranues të dallimeve. Si e tillë, nuk është për t’u habitur që toleranca është një karakteristikë e rëndësishme që i ndihmon njerëzit që të jetojnë bashkë në paqe.

 

Toleranca është jetike!

Të jesh tolerant do të thotë që të pranosh mendimet dhe preferencat e njerëzve të tjerë, edhe kur nuk pajtohesh me ata. Toleranca, është një cilësi që e nënkupton se nuk i vendosni mendimet tuaja mbi ato të të tjerëve, edhe kur jeni të sigurt që ju keni të drejtë. Njerëzit tolerant e shfaqin maturinë dhe forcën se janë në gjendje që të përballen me mendime dhe pikëpamje të ndryshme. Toleranca sot është edhe më e rëndësishme sepse globalizimi, digjitalizimi dhe mediat sociale i kanë hequr barrierat e hapësirës dhe kohës duke iu mundësuar njerëzve me prejardhje, kultura dhe fe të ndryshme që të bashkëpunojnë dhe komunikojnë me njeri-tjetrin. Bota është bërë shumë kulturore dhe përplot me diversitet, andaj vendosja e tolerancës dhe harmonisë është bërë jetike. Prandaj, ajo është çelësi për një botë përplot mundësi.

 

Mungesa e tolerancës çon në konflikt

Mungesa e tolerancës, çon në luftë dhe dhunë, dhe si rrjedhojë e shkatërron paqen dhe sigurinë e shoqërisë. Kur njerëzit dështojnë në diskutimet e tyre, ata priren të bëhen jo tolerant, dhe ata e përdorin forcën dhe dhunën për të mbështetur pikëpamjet e tyre. Kemi parë incidente të shumta kohëve të fundit, ku për shkak të mungesës së kësaj cilësie të paçmuar, njerëzit i kanë sulmuar njerëzit e tjerë thjesht sepse ata janë ndryshe.

 

Toleranca mund të shfaqet në shumë mënyra, në raste të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Një person mund të mos pajtohet fare me të tjerët për një çështje, nga feja e deri te politika, dhe njëkohësisht të nderojë dhe respektojë ata që kanë ide dhe mendime të ndryshme si dhe t’i trajtojë ata më dinjitet dhe nderim të plotë. Shfaqja e respektit dhe tolerancës ndaj mendimeve të të tjerëve, jo domosdo do të thotë që ju duhet të bëni kompromis me parimet tuaja, ose që duhet t’i miratoni idetë e të tjerëve. Ajo është thjesht një çështje e të drejtave themelore të njeriut. Një tjetër përparësi e tolerancës është se duke qenë të hapur ndaj mënyrave të tjera të të menduarit mund të ndihmojë zhvillimin personal. Duke ditur më shumë për mendimet dhe idetë e ndryshme nga mbarë bota, do t’ju ndihmojë që ta kuptoni botën më mirë.

 

A mund të mësojmë të jemi më tolerant?

Përkundër asaj që mund të mendoni, apo se sa e vështirë mund të duket, ne të gjithë mund të mësojmë që të bëhemi më tolerant duke i respektuar tri rregulla të thjeshta: dëgjoni, mendoni dhe mësoni.

 

  1. Dëgjoni – Një nga gjërat më të rëndësishme që mund ta bëjmë është thjesht të dëgjojmë. Të dëgjuarit aktiv është një periudhë e heshtjes me mirësjellje dhe duke i kushtuar vëmendje asaj që dikush tjetër është duke e thënë pa formuluar një kundërshtim për atë që bashkëbiseduesi i juaj sapo e ka thënë. Sidoqoftë, shfaqja e durimit për të dëgjuar atë që e shpreh dikush tjetër dhe angazhimi konstruktiv është një vegël e rëndësishme në zhvillimin e mirëkuptimit dhe respektit më të madh ndërmjet njerëzve. Ju nuk mund të zhvilloni një bisedë konstruktive duke i bërtitur tjetrit. Rrallë ndodh që mendimet të ndryshojnë kur ato hasin në armiqësi, përkundrazi ato përforcohen dhe ngurtësohen edhe më shumë. Duke u angazhuar që të dëgjojmë me vëmendje njëri-tjetrin, edhe nëse nuk pajtohemi në fund, prapëseprapë ne do të arrijmë tolerancë më të madhe dhe do të nxisim përparim.

 

  1. Mendoni – Të menduarit për pikëpamjen e një personi dhe tentimi për të kuptuar pse ai mendon ashtu, jep rezultate më të mira se sa dënimi i prerë i këtyre mendimeve. Hedhja poshtë e dikujt sepse ka mendim të kundërt nuk do ta bind atë që të ndërroj mendje, por një diskutim i mirëfilltë mundet. Një aspekt tjetër i rëndësishëm për këtë është aftësia për vetë vlerësim. Kur ishte hera e fundit që i ke vënë në dyshim besimet dhe mendimet e tua? Të kuptuarit se prej nga vijnë besimet tuaja do t’ju ndihmojë që të filloni t’i diskutoni ato që i kanë të tjerët.

 

  1. Mësoni – Dituria është pushtet! Duke kërkuar informacion cilësor dhe mësuar për jetën e të tjerëve, ne do të krijojmë më shumë mirëkuptim të ndërsjellë. Bisedoni me kolegët dhe miqtë tuaj për pikëpamjet dhe përvojat e tyre të ndryshme. Mësoni se si të bëheni dëgjues më të mirë dhe se si të mendoni në mënyrë konstruktive. Rezultati do të jetë përmirësimi dhe përgatitja e vetes tuaj për t’u përballur me të ardhmen në paqe dhe harmoni.

 

Të dëgjuarit dhe menduarit për mendimet e njëri-tjetrit, do të na mundësojë që të kuptohemi më mirë dhe do të na sigurojë një jetë paqësore krah njëri-tjetrit.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE