TREGONI KUJDES NË KOMUNIKACION!

 

Aksidentet në trafik janë një dukuri e përditshme. Vetëm gjatë muajit janar 2023 në Kosovë kanë ndodhur gjithsejtë 1549 aksidente, të cilat kanë rezultuar me pesë fatalitete dhe 1219 persona të lënduar. Kur themi aksidente nuk nënkuptohen vetëm aksidente me makina, por edhe aksidente të këmbësorëve. Duke e pasur këtë parasysh, është e qartë që sigurisë në trafik duhet t’i kushtohet vëmendje nga të gjithë dhe posaçërisht nga gjeneratat e reja, të cilat shumë shpejt do t’i zëvendësojnë biçikletat dhe monopatinat me motorë dhe makina.

 

Kujdes kur jeni në rrugë

Falë zhvillimeve teknologjike, viteve të fundit, është shtuar dukshëm numri i mjeteve që punojnë me rrymë elektrike, sidomos trotineteve, biçikletave dhe mopedëve (motorëve) me rrymë. Këto pajisje janë mjeti i përzgjedhur transportues për të rinjtë dhe posaçërisht adoleshentët. Gjëja e parë që bie në sy tek ky grup i ri i pjesëmarrësve në komunikacion është se sa pak vëmendje i kushtojnë ata sigurisë. Sa për ilustrim: Sa prej jush e përdorni kokoren mbrojtëse kur dilni me biçikletë apo çfarëdo mjeti tjetër të ngjashëm që e operoni ju vet?

 

Mos i mbyllni të dy veshët me kufje

Një tjetër kërcënim për adoleshentët në komunikacion është tendenca për të bartur kufje dhe dëgjuar muzikë teksa janë duke ecur në rrugë. Rreziku paraqitet për dy arsye që janë të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën. Së pari, gjatë kohës që i keni kufjet në vesh ju nuk i dëgjoni zhurmat përreth jush dhe për rrjedhojë as nuk do t’i shihni makinat mirë sidomos ato që ju vijnë nga prapa. Së dyti, kur jeni duke dëgjuar muzikë me kufje në vesh në mënyrë të pashmangshme ju do të përthitheni nga muzika, dhe nuk do t’u kushtoni më pak vëmendje shenjave dhe rregullave të komunikacionit. Me fjalë të tjera, kur i mbyllni të dy veshët me kufje ju e kufizoni edhe dëgjimin edhe shikimin tuaj.

 

Mësoni rregullat e komunikacionit

Biçikletat, trotinetet, mopedët, ua mundësojnë që të depërtoni më lehtë nëpër komunikacion të dendur. Mirëpo, lëvizja e tillë e rrit edhe rrezikun për ju, pasi që shpesh herë vozitësit e makinave nuk janë në dijeni për praninë tuaj. Për më tepër, shumica e adoleshentëve nuk i njohin rregullat e komunikacionit, duke e rritur kështu rrezikun për aksidente. Prandaj, është e rëndësishme që kur të dilni në rrugë t’i vendosni pajisjet mbrojtëse, posaçërisht kokoret, kur jeni pjesë e komunikacionit por edhe t’i mësoni rregullat e komunikacionit, në mënyrë që të merrni vendime më të mira për t’i parandaluar aksidentet. Të mësuarit e rregullave të komunikacionit do t’ju ndihmojë edhe në marrjen më të lehtë të patentës së shoferit pasi t’i keni mbushur 18 vjet.

 

Policia e Kosovës ka nevojë për bashkëpunimin tuaj

Të gjithë e dinë që Policia e Kosovës janë institucioni i parë dhe më i rëndësishëm kur bëhet fjalë për sigurinë në trafik. Në përputhje me këtë, ata punojnë vazhdimisht në përmirësimin dhe ngritjen e sigurisë në trafik. Për suksesin e këtij misioni ata i përdorin të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion, duke filluar nga organizimi i fushatave vetëdijesuese, e deri te patrullimet dhe gjobitja e atyre që i shkelin rregullat e komunikacionit në tërë Kosovën. Sidoqoftë, siguria në trafik kurrë nuk do të jetë në nivelin e duhur, nëse të gjithë nuk kontribuojnë në këtë drejtim. Mos harroni, siguria në trafik varet nga të gjithë pjesëmarrësit e trafikut – nga këmbësorët dhe çiklistët e deri te vozitësit e mjeteve motorike.

 

Disa këshilla për sigurinë në trafik

  • Respektojini rregullat e komunikacionit.
  • Kushtoni vëmendje shenjave dhe gjendjes së komunikacionit.
  • Vendoseni kokoren mbrojtëse çdo herë që dilni me biçikletë apo mjete të ngjashme (trotinete, motor, etj.).
  • Kurrë mos i mbyllni të dy veshët me kufje.
  • Sa herë që hipni në makinë, vendoseni rripin e sigurisë – EDHE NË ULËSET MBRAPA!
  • Kushtojini vëmendje ambientit rreth jush, posaçërisht kur jeni duke luajtur me top në afërsi të rrugëve dhe makinave.
  • FATI SHPËTON RRALLËHERË, KUJDESI ÇDO HERË!
PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE